Për ty e ëmbla ime, nëna ime!

403

Entela Hidri

Me mijëra djepe njerëzore u rritën ne prehërin tënd.

Ti përkunde mbarë njerëzimin, e ata të harruan dhe vendosën një datë për të të përkujtuar ty.

Po ti je e mirë, e dashur, e përhumbur në ëndrrat që kërkoje dhe i ndërtoje për mua e unë u rrita si princeshë lumturie në kështjellat që ti i ngrije me përkushtim, mund e djersë.

Çdo nënë tret shpirtin e trupin dhe me fijet e nervave të tendosura, thur foleza lumturie për ata, të ëmblit zogj që rriten me cicërima gëzimi.

Nëna është ëndrra më e bukur e menduar, është lumturi që me vargje s’është e përfunduar. A mundesh me një poezi të tretësh sakrificë dashurie. Nëna është diell, jetë e vërtetë. Nëna është ajo që hap retë në ditët me shi. Është ajo që të hedh trikon e vet krahëve, sepse ty të ngroh dashuria.

Nëna është krah që të bën të fluturosh, është dorë që të jep forcë të ngrihesh, është shtysë që të çon përpara, është ajo që të mëson se pas furtunës ka diell, edhe nëse je në tokë po të ngrish kokën ka shpresë në qiell.

Ti je qenie që Zoti e krijoi si mrekulli. Dalë nga një brinjë për të lindur e rritur me mijëra të tilla. Ti je krijesë e veçantë. Asnjë penë s’mundi të të pikturojë aq me magji sa ç’je vetë ti.

Ka vite erëmira nëna ime, që aromën e dashurisë tënde nuk e ndiej më. Por nga ty mora dashurinë të cilën sot si një nënë ia jap vogëlushëve të mi.

Nuk mundem kurrë të kuptoj se si çastet rrjedhin në kohë e koha dergjet ndër vite, emri jot skalitet në çdo zemër, e sakrificat e tua i kuptojmë, kur marrim emrin tënd, prind.

Malli më mbështjell fytin, e s’mundem të mos shpërthej në dua lotësh.

U takofshim në Xhenet nënëmira ime!

Sot shtatore i ngre çdo heroine të heshtur, me emrin nënë. Në emrin tënd duhej të emërohen 365 ditët e vitit, e sot modernizmi emrin tënd ia jep vetëm një dite.

Rrofshin nënat që jetë japin, e nga jetët tona nuk kërkojnë kurrë asgjë!

Me dashuri, nga një zemër e përmalluar!

 

Revista Familja, mars 2017