Përqafimi i parë

16

Me mendime që vërtiten në errësirën e kësaj dhome të errët, kësaj nate të errët dhe kësaj toke të huaj rikthej në mendje një mendim të përshkruar. Përqafimin e parë që kam marrë, puthjen e parë dhe mbi të gjitha të ndjerit i sigurtë pas një errësire që më kishte kapluar për muaj të tërë. A e mban mend përqafimin tënd të parë? Nuk mendoj që dikush në këtë botë të ketë një kujtim të këtij çasti që është një nga momentet më të rëndësishme të jetës së çdokujt. Mbase mund edhe mos të kujtohet, por është i regjistruar në qelizat e gjithë trupit tënd. Errësirë, tokë e huaj, nëna…

Nëna ime e dashur, që më shtërngove në kraharorin tënd dhe më mësove se ç’është ngrohtësia, siguria, jeta… Errësirë, mendime, nëna…

Çfarë nuk shkon tek unë që ndodhem në këtë tokë të huaj? Errësirë, lot, nëna…

Mendimet vërtiten dhe përplasen në muret e ngrituara nga kjo errësirë që më trazon çdo pikë loti që më zbret ndër faqe për nënën time, që ndodhet mijëra kilometra duke ndjerë dhimbjen e pritjes së birit të saj. Lotoj, por pa zë. Nuk duhet që një burrë të lëshojë zë, sidomos kur është edukuar nga një nënë si e imja. Errësirë, lot, dhimbje, nëna…

Jam i fortë, nuk jam ashtu si mund të mendosh, por duhet të dish që hekuri sa më i fortë të jetë, aq më shumë rrihet që të zbutet. Mund të them që, ndoshta, jam në fazën finale të marrjes së formës. Errësirë, pagjumësi, nëna…

Do ishte e pakuptimtë që një burrë të lotojë për dikë tjetër përveçse për nënën e tij. Lotoj moj nënë se të dua. Lotoj, sepse është e vetmja gjë që mund të bëj në këtë vend ku zotëron errësira. Errësira nuk ndodhet vetëm këtu, porse në të gjitha vendet që ti nuk ndodhesh pranë meje. Errësirë, migrim, nëna…

Dëgjoj zërin tënd dhe vërej trishtimin, vetminë dhe dhimbjen e largimit tim. Sërish jam në errësirë, por jo në errësirën e barkut, në errësirën e tokës së huaj. E ndjej lutjen tënde që mbërrin tek unë dhe i ndjej mendimet e tua rreth gjendjes sime. Errësirë, përmallim, nëna…

Nerva të tendosura, fyt i tharë. Ku është uji? Po nëna ku është? Ah, nënë ku je? Sytë rrotullohen në errësirën e dhomës duke e mbuluar të tërën me dritën e mallit, me heshtjen e frikës. Fytyra mbulohet nën tymin e duhanit duke e bërë frymëmarrjen më të rëndë. Duart dridhen dhe marrin rrugën për të gjetur mbështetësen e karrikes. Sytë e fryrë dhe të skuqur nga pagjumësia nuk përgjigjen më si më parë. Nxjerr fytyrën në dritare, ngre sytë drejt qiellit. Errësirë, agim, nëna…

Vetëm një herë të vetme errësira nuk e bën detyrën e saj: në barkun e nënës. Nuk ka errësirë aty ku je ti nënë. Nuk ka vetmi dhe lot aty ku ndodhesh ti nënë. Nuk ka pafuqi aty ku ndodhesh ti nënë. Dhe nuk ka errësirë aty ku ndodhesh ti nënë. Dritë, kthim, nëna…

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Lysien Disha