Përrallë “Gara e pulave”

176

Na ishte seç na ishte. Na ishte një herë një bujk i cili kishte një pulari. Në pularinë e tij jetonin shumë pula e gjela. Një mëngjes, pulat ishin zgjuar duke i përplasur krahët e tyre fort dhe duke kakarisur me zë të lartë. Bujku i çuditur nga zhurma e tyre, iu hapi derën e kotecit. Me të dal përjashta, pulat filluan të vraponin. Një gjel i thirri dhe iu tha: – Ki –ki – ki. Nëse dëshironi të dini kush është më e shpejta nga ju duhet të viheni në garë. E kështu vepruan.

Pulat u rreshtuan. Gjeli u doli përpara dhe ua bëri me shenjë që të niseshin. Gjatë garës, pulat shtyheshin mes njëra-tjetrën e rrëzoheshin. Vetëm pula me ngjyrë gri, vrapoi pa parë majtas e djathtas, derisa arriti e para te gjeli. E kështu, gjeli e shpalli pulën gri fituese të garës. Pulat e tjera filluan të kakarisnin sërish sepse s’po e pranonin dot humbjen. Gjeli u nervozua dhe u hodh mbi një degë peme nga ku foli me zë të lartë:

  • Ki – ki – ki, mbani qetësi! Fitorja arrihet vetëm me punë dhe përkushtim. Pula gri është fituesja e garës sepse ajo as nuk i shtyu pulat e tjera, as nuk u rrëzua, e as nuk u hutua gjatë garës, por u tregua e kujdesshme dhe vetëm vrapoi. Pulat ulën kokën të turpëruara dhe shkuan drejt pulës gri për t`i uruar fitoren.

Morali: Suksesi arrihet me punë dhe drejtësi.

Foleza jeshile, nr. 23