Pogradeci, qyteti i luleve dhe i mjelmave

66

Nga Diana Syla

Të flasësh për Pogradecin, duket sikur janë thënë të gjitha e, në fakt janë thënë shumë. Por t’i kujtosh pushuesit se një nga gjërat  e bukura që mund të bëjnë në këtë periudhë, është të marrin rrugën për në juglindje, të ndalojnë në Drilon, jo thjesht për një koran a belushkë, por edhe për të marrë një varkë, me apo pa shoqërues, e të bëjnë një shëtitje të ngeshme nëpër burim pranë mjelmave. Kjo është një ndër kurat më të mira të stresit për çdokënd që kërkon të largohet sadopak nga e përditshmja.

Pogradeci ndodhet rreth 150 km nga Tirana, nëpër një itinerar që kalon nëpër Tiranë-Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafthanë-Pogradec. Infrastruktura është mjaft e mirë, madje kohët e fundit po zgjerohen edhe rrugët hyrëse për në qytet. Në fakt Pogradeci është një qytet që vizitohet nga shumë turistë, të cilët nuk e vizitojnë thjesht për qëllime pushimi, por edhe për të njohur kulturën e tij. Qyteti ka shumë se çfarë t’u ofrojë vizitorëve kulturorë, që nga arkiva e pasur e Lasgushit dhe Kutelit, e deri tek varret e lashta te Selcës, që tregojnë origjinën dhe kulturën e tij të hershme. Kush ka dëshirë të njohë më mirë Pogradecin dhe pamjet e papërsëritshme që ai ofron në çdo stinë, mjafton të bëjë një vizitë në studion e fotografit Ardi Fezollari, për të admiruar jo vetëm qytetin por edhe çdo detaj jete e kulture që është fiksuar në përvojën e gjatë të viteve dhe është nderuar edhe me çmime brenda e jashtë vendit.

Pogradeci është një qytet liqenor i cili si pak qytete të tjerë, të dhuron nga një pamje të ndryshme e të bukur në çdo stinë të vitit. Ky qytet lakmohet shumë nga moshat e mëdha për qetësinë e jashtëzakonshme që të fal, përveç bukurisë natyrore. Kjo na bëri që ta rekomandojmë këtë qytet në periudhën e pranverës, që e bën edhe më tërheqës e joshës, kur mendon për burimin e Drilonit të zhytur nën gjethet e gjelbërta apo për verandat e futura në liqen, të restoranteve të shumtë që ju presin përgjatë bregut, para se të hysh në qytet.

Banorët janë aq miqësorë saqë shpesh mund të ndihesh në siklet nga gjithë ato fjalë të mira e gjeste mikpritjeje, që nuk mbeten thjesht në kornizën e mirësjelljes për shkak të profesionit.

Duke shëtitur nëpër Pogradec ju mund ta zbuloni atë vetë, por ne po ju japim disa sugjerime:

10854228_683251308464514_7885285257161067262_oLyhndas – Liqeni i Dritës

Është shumë mbresëlënëse pamja që të shfaqet, kur makina lë të përpjetën e Qafthanës dhe i drejtohet qytetit teposhtë nga lindja. Romakët e kanë quajtur Liqeni i dritës. Një syprinë plot shkëlqim, herë blu e thellë, herë e çelët e herë e hirtë, aq sa shkrihet me horizontin e maleve të Maqedonisë, shtrihet e pamatë para syve e fillon e të shoqëron për rreth 20 km në të majtë, derisa mbërrijmë në qytet, ku bregu vazhdon të të shoqërojë bashkë me shëtitoren e famshme të mbushur në çdo stinë me lule, që i kanë dhënë edhe emrin “qyteti i luleve”. Është e habitshme sesi lulet janë kaq dominuese, jo vetëm nëpër parqet publike por edhe ne çdo qoshe rruge e ballkon apo oborr shtëpie.

Muzeumi – Pogradeci ka një muzeum të pasur me dëshmi antikiteti dhe të kohës së luftës. Është i hapur nga ora 9.00 – 16.00.

Xhamitë – Qyteti i Pogradecit ka dy xhami. Njëra ndodhet në qendër të qytetit dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricëë. Ju mund t’i vizitoni ato në çdo kohë.

pogradecParqet e Pogradecit – Pogradeci prej kohësh është quajtur “qyteti i luleve” dhe shëtitorja e saj, është traditë e ruajtur me fanatizëm edhe në ditët e sotme. Ju mund të shëtisni në shëtitoren “1 Maji”, përgjatë plazhit të qytetit, të shijoni peisazhin e mrekullueshëm të “liqerit që dremit”, të pini diçka nën freskinë e hijeve të pemëve dhe në mbrëmje të bëheni pjesë e xhiros tradicionale pogradecare. Nëse dëshironi ju mund të vizitoni pikën turistike të Drilonit, 4 km nga qyteti i Pogradecit, me burimet e saj të pastër dhe peisazhin që të mahnit.

Lundrimi – Në Pogradec përgjatë bregut të Liqenit, në plazhet kryesore ju mund të merrni me qera varka të ndryshme për të lundruar. Ju mund të zgjidhni një varkë me drejtues apo të lundroni vetë. Gjithashtu në portin e qytetit ndodhet edhe një anije që ju shëtit përreth Liqenit të Ohrit.

Pogradeci natën – Në qendrën e Pogradecit, në sheshin e quajtur “Odeoni”, çdo mbrëmje gjatë sezonit të verës organizohen shfaqje të ndryshme kulturore – artistike.

Plazhet e Pogradecit- Ato fillojnë që në kilometrat e parë që shihen nga lart, aty ku duket sikur në pëllëmbë të dorës tuaj shtrihet Lini, një nga fshatrat më të njohur të zonës.

10460504_677123835743928_4206629144074017379_nLini – Lini përveçse është një fshat shumë i bukur e i pari që mirëpret vizitorët, është edhe një qendër e rëndësishme e kulturës së lashtë. Ju mund të vizitoni Mozaikun e famshëm  që i përket shekullit  IV-V, kohës së sundimit të Perandorit Romak me origjinë ilire, Justinianit. Mozaiku i Linit ndodhet në tokë dhe ka disa figura si zogj, peshq e zbukurime të tjera të punuara shumë bukur. Në pjesën e pasme të gadishullit është ndërtuar edhe një resort turistik krejt i ri, që ofron mundësi shumë të mira për pushime të gjata në Pogradec.

Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Një distancë e gjatë kilometrike, shtrihet në zonën e Pojskës, që është zona që ju shoqëron deri në hyrje të qytetit. Përgjatë kësaj distance, në të djathtë, do të mund të shquani edhe një nga komplekset më moderne të qytetit, që mban edhe një emër të veçantë, me të cilin romakët thërrisnin dikur liqenin. Plazhi i qytetit shtrihet që në hyrje të shtëpive të para, përgjatë shëtitores së mbushur me gjelbërim, e deri në Tushemisht. Për të ndihmuar sa më shumë në frekuentimin e plazhit nga familjarët, është hedhur rërë, në bregun ekzistues me guriçka.

10407671_671429972979981_2130805395795526318_nTushemishti, aty ku peshku kapet me dorë – Plazhi i Tushemishtit është edhe zona më e frekuentuar, pasi aty ndodhen edhe një pjesë e madhe e hoteleve dhe restoranteve. Kush ka qenë në Tushemisht, vështirë se ka harruar të kthejë në kompleksin Rritja e Peshkut, ku në një basen aq të bukur mund të soditen e të admirohen korani i famshëm, peshq të tjerë e zogj të ndryshëm që ju bëjnë shoqëri, bashkë me mjelmat, që mirëpresin duart e vogla të fëmijëve që u hedhin për të ngrënë.

Kuzhina pogradecare -Pothuajse në të gjitha lokalet e Pogradecit, do të mund të shijoni koranin, mbretin e liqenit, të gatuar në shumë mënyra, koran në zgarë, në furrë, kombinuar me garnitura, madje edhe koran me arra. Kuzhina e vendit është e famshme edhe për sallatërat e ndryshme, gatimet tradicionale të zonës.

Akomodimi- Hotelet në Pogradec janë të standarteve shumë të mira dhe me çmime që nuk i kalojnë 50-60 euro në maksimumin e tyre, por që zakonisht variojnë në 3000-4000 leke për një dhomë në natë. Ju mund edhe të zgjidhni alternativën e marrjes së dhomave me qera, të cilat rrotullohen rreth një çmimi prej 25000-30000 lekë për dhomë, për një periudhë 10-ditore.

Pogradeci është një rajon me mundësi të pafundme për çlodhje dhe argëtim. Është vendi i duhur për turistet e të gjitha moshave, si për ata që mendojnë ta vizitojnë për një ditë ashtu edhe për ata që preferojnë të qëndrojnë më gjatë. Vend i paharruar ngelet Pogradeci për çiftet, që e zgjedhin për të kaluar muajin e mjaltit.

Selca e Poshtme- Në fund të Qafës së Thanës kur jeni duke shkuar për në Tiranë, do të ishte mirë të ktheheshit në të majtë dhe përsëri në të majtë në Selcën e Poshtme për të vizituar pesë varret monumentale. Kalaja, e cila ndodhet në një pozicion të dukshem të luginës së Shkumbinit, ka luajtur një rol të dores së parë në luftrat iliro-romake dhe iliro-maqedonase. Në afërsi të kësaj kalaje kalon rruga Egnatia. Ajo që e bën të njohur këtë vend janë pesë varret monumentale gdhendur në shkëmbin masiv të Gradishtës. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se kemi të bëjmë me një qendër të zhvilluar ekonomike-kulturore të një rëndësie të madhe të shekullit 4-3 –të para Krishtit.

Ura e Golikut – Kur kthehesh në të majtë të rrugës Qafë Thanë-Tiranë dhe ndjek rrugën e fshatit ju mund të shijoni luginën piktoreske të lumit Shkumbin. Në afërsi të fshatit Golik do të gjeni një urë të lashtë që nga periudha romake e njohur si Ura e Golikut. Kjo urë elegante me tre harqe është ndërtuar me një arkitekturë të veçantë.

Burimet e Kabashit- Vetëm 2 km nga Pogradeci, nëse ngjiteni përgjatë rrjedhës së lumit do të zbuloni një vend të mrekullueshëm. Me burime uji të kristaltë, lëndina të gjelbëruara dhe hije të freskëta do ishte vendi i duhur për piknik.

POGRADEC LAKEVizitoni Pogradecin – Pogradeci romantik është një vend që ka mahnitur çdo vizitor me peisazhin e tij mahnitës. Tashmë ky qytet nuk njihet vëtëm për terrenin e tij piktoresk, por edhe për traditat e popullsisë vendase.

Banorët janë të sjellshëm dhe mos u çudisni nëse ju ftojnë për një kafe apo nje pjatë reçel, që amvisat pogradecare dinë ta përgatisin në mënyrë aq të përsosur.

Nëse shkoni në Pogradec, kur të largoheni prej tij do ta kuptoni se keni bërë miq të rinj…

Poeti Lasgush Poradeci nuk ishte më kot i dashuruar me liqenin e Ohrit, sipas tij çdo kush që shihte këtë liqen marrosej pas tij, dhe vërtet të bën të dashurohesh me të.

Turistët që vizitojnë Shqipërinë nëse shkojnë një herë në këtë qytet rikthehen aty sërish dhe sërish.

Rev. Familja, prill 2015

11062352_682156675240644_4027024106877478255_o