Poligamia, e lejuar apo detyrim?!

147

Pyetje: Kam dëgjuar një hadith të pejgamberit Muhamed (a.s) ku një nga shenjat e Ditës së Kijametit është se një burrë do të ketë në kujdesin e tij 50 gra. “Ç’kuptojmë me këtë thënie, kur në fenë Islame burrit i lejohet të martohet vetëm me katër?

A është ky hadith shenjë treguese se gratë do të jenë më shumë prej banorëve të zjarrit ?

Përgjigje: Falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar përshëndetjet dhe salavatet qofshin mbi të dërguarin e Allahut për mbarë njerëzimin, profetin Muhamed (a.s), familjen, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin udhën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

E nderuar pyetëse Allahu jua shpërbleftë për interesimin që keni shprehur nëpërmjet kësaj pyetje. Ky hadith është tepër domethënes pasi është një prej shenjave të ditës së kijametit. Me këtë hadith nuk kuptojmë që një burrë do të martohet me 50 gra pasi në legjislacionin Islam burri e ka të ndaluar një martesë të tillë. Feja Islame ia ka lejuar burrit që të martohet deri në 4 gra. E megjithëse është e lejuar që të martohet me më shumë se një deri në katër, duhet të citojmë se kjo lloj martese ka kushtëzimet e veta. Allahu i Madhëruar në Kuran ka thënë: “Atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë, me dy , tre apo me katër, e nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua ose me atë që e keni nën pushtetin tuaj (robëresha), ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni” (En-Nisa 3).

Pra lejohet që burri të mbajë njëkohësisht katër gra, nëse ka mundësi, të jetë i drejtë ndaj tyre dhe t`ua sigurojë atë çka u nevojitet nga ushqimi, veshmbathja, banimi dhe nevojat e tjera elementare.

Pra, poligamia nuk është detyrim i domosdoshëm, ajo vetëm lejohet. Kjo do të thotë se burri ka të drejtë të martohet me më tepër se një grua, por nuk detyrohet.

Polygamy-Me këtë hadith do të kuptojmë që do të shtohen lindjet e femrave e do të pakësohen lindjet e meshkujve derisa do të vijë një kohë ku një burrë do të kujdeset për 50 gra. Këto gra nuk do të jenë bashkshortet e këtij burri, por ato gra do të jenë nën kudesjen e tij pa marrë parasysh se çfarë kategorie grash mund të jenë ato: hallat, tezet, mbesat, komshijet, etj.

Gjithësesi hadithi i plotë i profetit Muhammed (a.s) është i qartë për kuptimin e tij, ku profeti Muhamed (a.s) thotë: “Prej shenjave të kijametit është që do të shtohet injoranca e do të pakësohet dija, do të pihen pijet alkolike, do të shtohet imoraliteti, do të pakësohet përqindja e meshkujve dhe do të shtohet përqindja e femrave derisa për pesëdhjetë gra do të jetë një kujdestar i vetëm” (Imam Buhariu dhe Muslimi). Edhe statistikat mbarë botërore tani tregojnë rritjen e përqindjes së femrave. Kjo gjë vjen si rezultat i lindjeve të femrave më shumë se meshkujt apo të ndodhive si humbja e meshkujve në luftëra etj.

Vërtetë që këto pesëdhjetë gra mund të jenë të pivuara nga martesa, por nëse ato do të jenë të devotshme në fenë Islame me mëshirën e Allahut ato mund të jenë prej banorve të xhenetit.

Ndërsa në rast se këto pesëdhjetë gra nuk besojnë te Zoti dhe nuk zbatojnë rregullat e fesë Islame atëherë vendbanimi i tyre do të jetë Zjarri .

Për pjesën tjetër të pyetjes a është ky hadith shenjë treguese që gratë do të jenë më shumë prej banorëve të zjarrit të Xhehenemit?

Mund të themi se ky hadith nuk është shenjë treguese se gratë do të jenë më shumë prej banorëve të zjarrit pasi në një hadith të pejgamberit Muhamed (a.s) na janë treguar se cilat janë shkaqet që e bëjnë gruan që të jetë prej banorëve të zjarrit. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “O ju gra jepni lëmoshë (sadaka) sepse unë vërejta se ju jeni shumica e banorëve të Zarrit”. Ato i thanë : “Për çfarë arsye o i Dërguari i Allahut ?” Tha: “Sepse ju shpeshtoni mallkimin dhe i mohoni të mirat e bashkëshortit tuaj”. Gjithashtu edhe në një hadith tjetër Profeti Muhamed (a.s) ka thënë : “U ndala te dera e zjarrit (Xhehenemit) dhe aty vërejta se shumica e atyre që hynin në të ishin gra”.

Në këto dy hadithe tregohet se vërtetë gratë janë prej banoreve të zjarrit. Nënkuptohen gratë pasardhëse të Ademit (a.s) deri në ditën e kiametit dhe gjithashtu na tregohen edhe dy shkaqet kryesore që gratë në përgjithësi i kryejnë ato. Shkaku kryesor i cili bën që gratë të jenë prej banoreve të zjarrit është praktikimi i gjuhës së tyre me mallkime. Ndërsa shkaku tjetër është mosmirënjohja e tyre ndaj të mirave që i ofron bashkëshorti. Nëse bashkëshorti nuk plotëson një dëshirë të bashkëshortes ajo ia shumëzon me zero të gjitha të mirat e tij. Megjithatë në mesin e grave ka gra shumë të mira që i kryejnë urdhërat e Allahut i përmbahen lagjislacionit të Tij dhe e respektojnë Allhun dhe të Dërguarin e Tij. Nga ato në xhenet do të hyjnë shumë gra. Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit Muhamed (a.s) që thotë: “Grupi i parë që hynë në xhenet jane në pamjen e hënës së plotë kurse grupi që i pason atij në pamjen e yllit më të ndritshëm në qiell, çdo njëri nga ata ka 2 gra të cilave u shihet brendësia e pulpave dhe nuk ka asnjë në Xhenet që është i pa martuar”.

Madje Pejgamberi Muhamed (a.s) u është drejtuar shokëve të tij dhe u thotë: “A doni t`ju njoftoj për gratë tuaja të cilat janë prej banoreve të xhenetit? Po i thanë ata. Tha: Ajo grua që është e dashur tek burri i saj, e cila lind fëmijë, dhe sa herë që ajo zemërohet ose i është bërë padrejtësi apo është zemëruar bashkëshorti i saj më të shtrin dorën e saj dhe merr dorën e bashkëshortit të saj dhe i thotë: nuk do të ta shijoj gjumin deri sa të të kënaqë bashkëshortin e saj”, (En-Nesaiu, Et-Tabranij).

Pra gruaja besimtare e cila ruan moralin e saj, ruhet nga ligësitë e gjuhës dhe e kënaq bashkëshortin e saj do të jetë prej banoreve të xhenetit të amshueshëm, bazuar në hadithin e Pejgamberit Muhamed (a.s) që cituam më sipër. Allahu na bëftë ne dhe ju dhe të gjithë gratë myslimane prej banoreve të xhenetit, e na bëftë të jemi bashkëshorte të denja, që të fitojmë kënaqësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Maj-Qershor, 2014