Privimi i ushqimit, stres apo dobi e njeriut?

56

Nga Anxhela Peza, psikologe

Ramazani është një ndër muajt e besimit islam, ku njeriu privohet nga ushqimi në periudha të caktuara të ditës, duke bërë të qartë se agjërimi është shumë më tepër se uria dhe etja. Të shumtë janë ata që mendojnë se privimi nga uria, do ta bënte njeriun jo energjik, të pafuqishëm për të agjëruar dhe mbi të gjitha për të qenë në punë. Por është e udhës të përmendim disa nga dobitë e shëndetit fizik. Agjërimi apo riti i të ngrënit në orare të caktuara, ndihmon në eliminimin e toksinave apo helmeve nga trupi, redukton sheqerin dhe yndyrën në gjak. Krijon shprehi të të ushqyerit të shëndetshëm dhe rrit imunitetin.

  • Rrit detoksifikimin
  • pushon sistemin e tretjes
  • nxit humbjen e peshës (obeziteti, mbipesha, sëmundje të tjera)
  • nxit dietë të shëndetshme (për arsye të tjera shëndetsore, ndihmon në ushqyerjen e duhur)
  • mund të ndihmojë në tejkalimin e varësive (alkooli, duhani etj)
  • rrit imunitetin
  • zgjidh problemet inflamatore ( të cilat kur janë aktive nga ushqimi, shkaktojnë një  stres të lartë tek njeriu)
  • ul sheqerin në gjak
  • rrit zbërthimin e yndyrës.

Një tjetër aspekt nga ana psikologjike qëndron në faktin se individi që merr përsipër agjërimin, aktivizon vetveten me një kujdes të veçantë për cilësinë e jetës së tij, për një  pastrim të mirë shpirtëror dhe fizik njëkohësisht. Privimi nga ushqimi dhe instikti për t’u ushqyer balancohen nga idi dhe superego sipas Frojdit në dobi të  tij. Aspekti psikologjik në  këtë pikë ka prioritete për vendimin e marrë dhe tregon fare mirë se njeriu mund të mbajë  dietat e rekomanduara nga specialistët e fushave mjekësore ashtu sikurse agjërimi. Duke marrë shkas dhe nga varësitë e bixhozit, alkoolit, duhanit, bën të mundur largimin e njeriut dhe uljen e varësisë që ata kanë. Sigurisht që ka një kategori njerëzish që mendojnë se të  privosh veten nga ushqimi i rregullut në çdo vakt, do të shkaktonte një gjendje stresuese dhe alarmi mbi të dhe trupin e tij. Ashtu sikurse ka një pjesë tjetër njerëzish të cilët marrin përsipër vetë të bëjnë pauza një vit pa konsumuar pije alkoolike, pa ngrënë mish, apo të tjera si këto. Aspekti psikologjik është i ndërtuar në një formë të tillë që mund të përballojë gjithçka kur merr komandën e duhur nga vetvetja. Pra, të ndërtosh zakone për mënyrën e të ngrënit nuk e ç’ekulibron njeriun, përkundrazi ka mjaft dobi.

Shkencëtarët janë ende duke grumbulluar fakte që tregojnë se periudha të shkurtra agjërimi, nëse mbahen nën një kontroll mjekësor, mund të sjellin përfitime për shëndetin tonë. Eksperienca e agjërimit është një mësim i mirë për njeriun, i jep suport për të zhvilluar dhe dieta të tjera, pa mbingarkesë stresi, apo paniku me idenë se nuk mund të çojë deri në fund atë që është e nevojshme për të.

Agjërim të mbarë të gjithë besimtarëve muslimanë dhe atyre që po agjërojnë për herë të parë!

Qershor 2017