Problemet e një viti të ri shkollor

116

Nga Jolanda Lila

Pavarësisht propagandës politike bajate që përcillet orë e çast, problemet e arsimit në vendin tonë vijojnë të gjallojnë. Problemet barten nga viti në vit në formë ciklike dhe jo vetëm që nuk gjejnë zgjidhje, por në disa aspekte situata vijon të përkeqësohet. Trokitja e vitit të ri shkollor po i gjen fëmijët shqiptarë, me të njëjtat probleme, që pavarësisht se identifikohet me të madhe, sërish heshturazi përtypen nga të gjithë, për shkak të pamundësisë.  Bidatet e shpikura për t’u dhënë zgjidhje problemeve, nisin që nga zhvillimi i mësimit me turne, ku edhe këtë vit, nxënësit e kryeqytetit do ta zhvillojnë mësimin me dy turne dhe kjo për shkak të mungesës së shkollave, por edhe hapjes së më shumë klasave paralele.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Arsimore në Tiranë në vitin që lamë pas, 71 shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të kryeqytetit nuk e përballojnë dot fluksin e madh të nxënësve që rritet çdo vit. Në mungesë të ndërtimit të shkollave të reja apo ambienteve shtesë, zgjidhja e vetme për drejtuesit e arsimit është shtrirja e mësimit deri ne orët e pasdites. Ndërsa zgjidhja e vetme për prindërit është ose që ta përqafojnë këtë sistem, ose të përplasen në dyert e shkollave private dhe të paguajnë çmimet e kripura dhe aspak të barasvlefshme me atë që ofrojnë këto shkolla.

Një tjetër problem që vijon të bartet në arsimin shqiptar është mbingarkesa në tekstet shkollore. Shkolla, në kuptimin figurativ, është kthyer në një fabrikë që shtrydh nxënësit. Kjo pasi ata janë të detyruar të mësojnë brenda javës mbi 32 orë, çka është jashtë çdo norme pedagogjike.

Tashmë pranohet nga të gjithë se tekstet me të cilat punojnë dhe mësojnë nxënësit shqiptarë, janë të mbingarkuara me përsëritje temash, mbivendosje programesh dhe shpesh herë aspak të qartë. Mospërputhja mes orëve të programuara dhe temave që supozohet të përvetësohen nga nxënësit e kthen sistemin arsimor në sistem që gjithçka funksionon për të kaluar radhën.  Kjo reflektohet edhe tek disa mësues, që reflektojnë mungesë njohurish për shtjellim më të detajuar e praktik të temave të caktuara. Kjo situatë, më ndërmend një konstatim të Faik Konicës, të bërë në një ese për edukimin kur thotë: “Do ta cilësonim torollak kopshtarin që do të kultivonte në të njëjtën arë dhe me të njëjtën mënyrë kultivimi si lule, ashtu edhe kaçube, zarzavate e fruta të çdo lloji. Mirëpo, në fushën e edukimit, ne, në të vërtetë veprojmë si ky kopshtar: të njëjtit rregull, së njëjtës mënyrë arsimimi i nënshtrojmë mijëra e mijëra fëmijë, të gjithë të ndryshëm për nga prirjet trashëguese, mënyra e të konceptuarit të gjërave dhe shëndeti”.

Mungesa e pedagogjisë së mësimdhënies dhe shpesh mosdhënie në formë të përshkallëzuar të njohurive u krijon fëmijëve konfuzion, në vend që t’i iluminojë mbi atë që i rrethon. Kjo situatë ka krijuar mjaft amulli mes nxënësve në sistemin parauniversitar. Ata ankohen se e kanë mjaft të vështirë të përvetësojnë lëndët mësimore dhe shpesh të pamotivuar për të ndjekur mësimin.

Edukimi s’është gjë tjetër, veçse t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore. Ky sistem arsimor nuk i orienton fëmijët drejt të menduarit dhe forcimit të logjikës individuale, por iu shpërlan trutë me koncepte konfuze, që riprodhohen mekanikisht.

Pra, shkolla ka mbetur tek metodat e vjetra të mësimdhënies ndërsa zbatimi i metodave bashkëkohore e sidomos realizimi i projekteve bëhet në formë fragmentare, pasi nuk i kushtohet koha e duhur punës me projekte apo punës në grup.

Studimet e kryera në Shqipëri vitet e fundit, kanë arritur në përfundimet se kurrikula arsimore shqiptare ka disa kufizime. Ajo nuk e përgatit mjaftueshëm individin për jetën; ka një orientim të theksuar akademik; ekziston një disbalancë ndërmjet teorisë dhe praktikës në favor të teorisë; ka mbingarkesë për nxënësit në njohuri e koncepte; i jep hapësirë të madhe memorizimit riprodhues dhe më pak të menduarit kritik,  si dhe në procesin e të mësuarit mbizotërojnë metodat tradicionale të mësimdhënies.

A nuk ka ardhur koha të merremi seriozisht me qerren e problemeve të arsimit në Shqipëri dhe t’i japim fund deklaratave propaganduese? Le ta nisim nga parësorja, ndërtimi i shkollave të reja, që të mos bashkohen nga 50 nxënës në një klasë dhe të bëhen si kuti konservash, ku çdo gjë konsumojnë, përveç dijes. Le ta marrin në dorë arsimin specialistët, mendjehapurit e largpamësit, sepse investimi që mund të bëjmë sot, do të kthehet shumëfish nesër, me rezultatet e fëmijëve tanë.

Shtator-Tetor 2015