Pse është kaq e vështirë të thuash faleminderit?

49

Njerëzit janë qenie sociale dhe si të tillë jetojnë në raporte të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Të tërë në një moment të caktuar kanë nevojë për ndihmë dhe kur ajo të ofrohet, sigurisht që atë duhet ta pasojë mirënjohja dhe falënderimi.

Çuditërisht, të thuash falëminderit edhe kur ti e ndjen me të vërtetë, nuk është kaq e lehtë sa ç’duket dhe kjo duket dhe në faktin se jo të tërë e bëjnë atë. Të thuash falëminderit në moment, kur ti je akoma në nevojën e drejtëpërdrejtë për ndihmë, nuk është shumë e vështirë, por nëse i largohesh atij moment vështirësie ti harron. Të falënderosh dikë pasi fakti ka ndodhur dhe sidomos me shkrim, është diçka që në përgjithësi njerëzit mundohen ta anashkalojnë me argumente të kota ose ta lënë për një moment tjetër e në këtë mënyrë të mos e bëjnë kurrë.

Në jetën e përditshme ne ndërveprojmë me njerëz të tjerë dhe shohim akte të sinqerta shërbimi, por rrallë dëgjojmë fjalën “magjike” që na e kanë mësuar prindërit që në vegjëli. Njerëzit justifikohen në shumë mënyra për mungesën e kësaj fjale.

268656_10150227677891556_219916176555_7448629_5421178_nNë përgjithësi njerëzve u duket si dobësi personale t’u thonë të tjerëve “falëminderit”. Drejtuesit, menaxherët mendojnë që t’u thuash falëminderit punonjësve të tyre është në njëfarë mënyre gabim, sepse kjo do t’ju japë mundësi atyre që të dembelosen dhe të mos e bëjnë punën e tyre mirë. Por, kjo është shumë larg nga e vërteta. Studimet kanë treguar që në qoftë se ti ju shpreh mirënjohje punonjësve, ata do të punojnë më mirë dhe do të mundohen më shumë sepse e dinë që do të vlerësohen nga ju.

Klientët nuk thonë asnjëherë falëminderit dhe përgjigjja e tyre për këtë mungesë shprehjeje tw mirënjohjes është: “Ne e meritojmë këtë shërbim sepse kemi paguar për këtë shërbim kështu që kemi të drejtën e këtij shërbimi”. Gabim…

Në qoftë se ti ju shpreh mirënjohje shërbimit të kryer, ata herën tjetër do ta bëjnë më mirë dhe më shpejt shërbimin dhe jo në mënyrë mekanike apo pa dëshirë. Mungesën e falënderimit do ta marrin si snobizëm dhe superioritet, askujt nuk i pëlqen të ndihet inferior.

Nuk i themi kurrë falëminderit një mikeje/miku sepse ne mendojmë: “Edhe ne i kemi kryer një shërbim në një moment apo një tjetër”.

Por mendoni se sa mirë jeni ndier në momentin që dikush ju ka falënderuar për diçka. Pse nuk duhet ta bëni dhe dikë tjetër të ndihet po kaq mirë. Gjithnjë është e këndshme të dëgjosh një “falëminderit”.

Nëse është kaq e vështirë ta thuash me gojë, imagjinoni se sa e vështirë është të shkruash një letër falënderimi për një dhuratë apo një nder. Të falënderosh me shkrim dikë që të ka bërë një nder ose një shërbim është diçka shumë e vështirë, por studimet kanë treguar që njerëzit që i kanë marrë këto letra janë shumë të kënaqur dhe janë shumë më të predispozuar që në të ardhmen të të ndihmojnë me kënaqësi. Për të rinjtë e sotëm kjo është një zakon i dalë jashtë mode. Gjithashtu, studimet tregojnë që dhe vetë njerëzit, që i kanë shkruar këto letra ose i kanë marrë në telefon këta njerëz, janë ndjerë më mirë në ndërgjegjen e tyre dhe i ka bërë të ndihen njerëz më të mirë. Në përgjithësi njerëzit i vlerësojnë njerëzit që u tregojnë mirënjohje për shërbimin që i kanë kryer ose për dhuratën që u kanë bërë. Në pjesën më të madhe të rasteve njerëzit justifikohen me faktin që nuk dinë të shkruajnë një letër falënderimi. Ja disa hapa që duhet të mbahen mend kur shkruan një letër të tillë:

Jini specifik për çfarë po e falënderoni

Nëse e falënderoni për një intervistë pune, falënderojeni për mundësinë e dhënë dhe sa të kënaqur jeni nga kjo. Në qoftë se është një dhuratë, atëherë specifikojini dhuratën dhe shtojini mbiemra të bukur, që letra të duket sa më e bukur dhe më e sinqertë sepse kjo tregon vlerësimin për dhuratën e marrë.

Lërini ndjenjat e juaja të tregohen

Mos thoni faleminderit me gjysëm goje, ose bëjeni, ose mos e bëni fare. Edhe në qoftë se diçka nuk ju pëlqen mendoni se ata janë munduar. Tregojini punëmarrësit se ju do t’jua shpërbleni besimin dhe dikujt që ju ka bërë dhuratën tregojini se si do ta përdorni atë.

Mos flisni për gjëra të tjera në një letër falënderimi

Kjo gjë e ul vlerën e një falënderimi, sepse duket sikur po u kërkon një nder tjetër, ose është bërë vetëm si forcë zakoni, pa e ndjerë në të vërtetë këtë mirënjohje.

Studimet kanë treguar se mund të fitosh shumë nga një shenjë falënderimi, e bërë në çfarëdolloj mënyre që ju e ndieni të përshtatshme. Kështu që mos e merrni kurrë të mirëqenë këtë fjalë, por shpreheni. Njerëzve, ashtu si dhe vetë juve, u pëlqen ta dëgjojnë këtë fjalë sepse i bën që të jenë më të disponueshëm kur të tjerët kanë nevojë dhe mbi të gjitha u rrit vetëvlerësimin.

revista “Familja”, Mars -Prill 2012