Pse fëmijët duhet të kenë një marrëdhënie të mirë me dadot apo mësueset?

70

Nga Elona Çeço

Studimet tregojnë se lidhja emocionale e fëmijës me personin përkujdesës ka një ndikim të madh në mënyrën si rritet dhe përshtatet ai. Nëse duam që fëmijët tanë të kenë një ambient të mirë përkujdesës duhet t’i kushtojmë vëmendje pikave të mëposhtme:

  1. Lidhjet e sigurta emocionale i mbrojnë fëmijët nga stresi toksik

Në shumë çerdhe , kopshte dhe shkolla vihen re fëmijë që shfaqin shenja të stresit. Trupat e tyre mbiprodhojnë hormonin e stresit i cili sulmon sistemin imunitar të fëmijëve duke e bërë kështu të vështirë luftën kundër infeksioneve.

Pse gjithë ky stres? Shkaqet nuk dihen. Mbase fëmijët ndjehen të ngarkuar nga gjithë ato ndërveprime me bashkëmoshatarët. Çfarëdo qofshin shkaqet, ka disa faktorë që ndikojnë në lehtësimin e situatës. Lidhjet e besueshme dhe të dashura emocionale i mbrojnë fëmijët nga stresi toksik dhe kjo vlen për në klasë si dhe për në shtëpi. Në studimet e kryera nëpër kopshte, fëmijët që kishin lidhje të sigurta emocionale me mësuesit e tyre shfaqnin nivele normale të hormonit të stresit.

  1. Fëmijët që ndjehen të lidhur emocionalisht zhvillojnë aftësi më të mira sociale dhe kanë arritje më të mira akademike

Rezultatet e studimeve afatgjata që kanë ndjekur fëmijët për vite me radhë tregojnë se fëmijët që janë të parapëlqyer dhe të mbështetur nga personat që kujdesen për ta, jo vetëm që janë më të lumtur dhe më pak të stresuar, por kanë zhvilluar aftësi më të mira sociale dhe akademike.

Këto rezultate nuk përfaqësojnë vetëm fëmijët e sjellshëm. Përkundrazi efekti pozitiv i personave përkujdesës të dashur dhe mbështetës u ndje më shumë tek fëmijët me prirje për sjellje problematike. Për më tepër, studimet tregojnë se ne mund të përmirësojmë sjelljen e fëmijëve nëse i trajnojmë personat përkujdesës të tregojnë më shumë ndjeshmëri dhe empati.

  1. Lidhjet e sigurta emocionale nuk krijohen vetë. Ato formohen sepse personat përkujdesës janë të ndjeshëm, të pranishëm dhe me humor të mirë.

Studimet sugjerojnë se personat përkujdesës e përmirësojnë marrëdhënien me fëmijën dhe e ndihmojnë atë të ketë sukses kur:

  • E drejtojnë sjelljen e fëmijës me fjalë pozitive dhe jo me urdhëra dhe kërcënime
  • Fokusohen tek drejtësia
  • Shmangin kufizimet e panevojshme
  • Iu ofrojnë fëmijëve këshilla konkrete rreth menaxhimit të emocioneve dhe impulsive

Po roli i prindit?

Prindërit kanë ndikim në mënyrën si përshtatet fëmija në kopësht. Kur fëmijët kanë krijuar lidhje të sigurta emocionale me prindërit, ata e kanë më të lehtë t’i krijojnë këto lidhje edhe me personat e tjerë përkujdesës. Studimet tregojnë se fëmijët përfitojnë kur prindërit kanë një marrëdhënie të mirë me edukatoret apo mësueset.

 

Rev. Familja, prill 2015