Pse quhet dimri, stina më e mirë e besimtarëve?

518

Thuhet se dimri është një kohë kur njerëzit vuajnë nga çrregullime emocionale sezonale, gjithashtu të njohura si “dëshpërimi dimëror” ose depresioni i dimrit. Megjithatë, është interesante të shihet se si muslimanët e hershëm e kanë mirëpritur dimrin, siç është e qartë se ata e kanë parë nga një prespektivë krejt tjetër.

Këtu janë katër mënyra se si ata përfitonin prej dimrit:

1 & 2 – Agjërimi dhe namazi

Transmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dimri është stina më e mirë për besimtarin. Netët e saj janë të gjata për t’u falur në to dhe ditët e saj janë të shkurta për të agjëruar në to.”

Ahmedi transmeton se Omer Ibn el-Hatabi ka thënë: “Dimri është çmim shpërblyes për besimtarët.”

Ibn Rajab el-Hambali ka thënë: “Dimri është stina më e mirë për besimtarin sepse Allahu e forcon punën e tij në të duke e bërë adhurimin të lehtë. Kjo është sepse në dimër besimtari mund të agjërojë gjatë ditës me lehtësi pa vuajtur nga uria dhe etja. Ditët janë të shkurtra dhe të ftohta e në këtë mënyrë ai nuk e ndien vështirësinë e agjërimit…

Ndërsa sa i përket namazit të natës gjatë dimrit, për shkak të netëve të gjata, njeriu mund të ketë një pjesë për gjumë e pastaj të zgjohet për t’u falur dhe të recitojë të gjithë atë që zakonisht reciton nga Kurani, përderisa edhe gjumin e ka bërë të mjaftueshëm. Pra, mund të kombinojë mes gjumit për të cilin ka nevojë dhe sasisë së zakonshme të recitimit nga Kurani, të cilën e kryen gjatë një dite. Kështu ai përmbush edhe interesin e fesë së tij edhe rehatinë e trupit të tij.”

Ibn Mes’udi ka thënë: “Mirësevini në dimër! Bekimet bien mbi të, netët janë të gjata për t’u falur në to e ditët e tij janë të shkurtra për të agjëruar.” Gjithashtu transmetohet nga ai dhe El-Hasani: “Dimri është një kohë e mrekullueshme. Netët e tij janë të gjata për t’u falur në to dhe ditët e tij janë të shkurtra për të agjëruar.” Kur ishte kohë dimri, Ubajd bin Umajr thoshte: “O njerëzit e Kuranit! Netët tuaja janë tani të gjata për ju për të recituar në to. Kështu që recitoni! Ditët tuaja janë tani të shkurtra për ju që të agjëroni. Kështu që agjëroni! Namazi i natës në dimër është i njëjtë me agjërimin e ditës gjatë verës.” Kjo është arsyeja pse Muadhi dëneste në shtratin e tij të vdekjes dhe thoshte: “Unë po qaj sepse do të më mungojë etja që kisha kur agjëroja, namazi i natës gjatë dimrit dhe ulja gjunjë për gjuri (ballë për ballë) me dijetarët gjatë tubimeve të dijes.”

Është transmetuar nga Ahmedi, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërimi gjatë dimrit është fitim i lehtë i shpërblimit.”

Ibn Rexhebi e ka komentuar kështu: “Dhe kuptimi i të qenit fitim i lehtë i shpërblimit është se ai është një çmim (shpërblim) që përfitohet pa ndonjë betejë ose përpjekje ose vështirësi. Pra, fituesit të këtij çmimi i është dhënë kjo si një dhuratë pa ndonjë mund nga ana e tij.”

3 – Përkujdesja për të varfrit

Ibn Rexhebi ka thënë: “Përkujdesja për të varfrit gjatë dimrit dhe mbrojtja e tyre nga të ftohtit është një vepër madhështore. Safuan bin Selimi doli gjatë një nate të ftohtë në Medinë afër xhamisë dhe pa një njeri me mbulesë të mangët. Kështu që ai e hoqi pallton e tij dhe e mbuloi me të. Dhe dikush që jetonte në Sham pa në një ëndërr se Safuan bin Selimi kishte hyrë në parajsë me një këmishë që e kishte bërë. Dhe ai shkoi në Medinë dhe tha: “Më tregoni ku është Safani.” Kur e gjeti, ai i tregoi për ëndrrën.

Gjithashtu, Mis’ari pa një beduin duke qëndruar në diell dhe duke thënë:

Dimri ka ardhur dhe unë nuk kam para.

Dhe një gjë e tillë mund t’i ndodhë vetëm një muslimani;

Njerëzit kanë vendosur palltot e tyre në krahë.

Dhe kjo është sikur të jem në Mekë i veshur vetëm në ihrame…

Kështu, Mis’ari e hoqi pallton e tij dhe e vendosi mbi këtë njeri.

Është transmetuar te njëri nga udhëheqësit e drejtë se kishte qenë një grua me katër fëmijë jetimë, të cilët ishin të zhveshur dhe të uritur. Dhe ai e urdhëroi një njeri të shkoi tek ata dhe t’u jepte rroba dhe ushqime. Pastaj, ai hoqi rrobat e sipërme dhe tha: “Unë nuk do t’i vesh këto apo të ngrohem nga këto derisa të ktheheni dhe të më tregoni se ata janë të veshur dhe të ushqyer.” Pra, njeriu shkoi dhe u kthye dhe konfirmoi tek udhëheqësi duke u dridhur në të ftohtë se ata i kanë marrë rrobat dhe kanë ngrënë gjithashtu. Atëherë ai i veshi prapë rrobat e jashtme dhe

Tirmidhiu transmeton nga Ebu Sa’id el-Khuderi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që e ushqen një besimtar të uritur do të ushqehet nga Allahu në Ditën e Gjykimit nga frutat e Xhenetit; kushdo që e shuan etjen e tij, do t’i shuhet etja nga Nektari i Panjohur; kushdo që e vesh atë, do të vishet nga mëndafshi i gjelbër i Xhenetit.”

Dhe Ibn Ebi ed-Dunja transmeton me zinxhirin e tij se Ibn Mes’udi ka thënë: “Njerëzit do të mblidhen në Ditën e Ringjalljes të zhveshur, të uritur dhe të etur si kurrë më parë. Kështu që kushdo që e ka veshur dikë, do të vishet nga Allahu; kushdo që e ka ushqyer dikë do të ushqehet nga Allahu; kushdo që ia ka shuar etjen ndokujt do t’i shuhet etja e tij nga Allahu dhe kushdo që i ka lehtësuar barrën dikujt do t’i jepet lehtësim nga Allahu.”

4 – Përkujtimi i realitetit të Xhehenemit

Profeti (a.s.) ka thënë: “Xhehenemi u ankua tek Zoti i tij duke thënë: “Pjesë nga të mijat kanë djegur pjesë të tjera.” Dhe Ai ia lejoi atij dy frymëmarrje dhe frymënxjerrje: një në dimër dhe një në verë. Sa i përket frymëmarrjes së tij në dimër, kjo është të ftohtët e hidhur dhe frymëmarrja e tij në verë është nxehtësia ekstreme.”

Ibn Rexheb thotë: “Dhe nga vetitë e dimrit është se të përkujton të ftohtët e skajshëm të Xhehenemit dhe e detyron njeriun të kërkojë mbrojtje nga ai…”

Zubejd el-Jami u zgjua një natë për namaz. Shkoi tek ena me ujë prej së cilës do të lahej dhe vuri dorën në të për të prekur ujin dhe pa se ishte aq i ftoftë, saqë gati ishte ngrirë. Kjo i përkujtoi atij të ftohtit ekstrem të xhehenemit dhe nuk e largoi dorën e tij nga ena derisa u zgjua më vonë dhe shërbëtori i tij erdhi dhe e gjeti në këtë gjendje. Shërbëtori i tha: “Çfarë po bën zotëri? Pse nuk u fale gjatë natës siç bën zakonisht? Pse je ulur kështu këtu? Ai u përgjigj: “E vura dorën time në këtë enë dhe preka ujin e ftohtë dhe m’u kujtua të ftohtët ekstrem të xhehenemit. Pasha Allahun, unë nuk e ndjeva ashpërsinë e kësaj ftohtësie derisa ti erdhe tani. Pra, shko dhe mos i trego askujt për këtë derisa unë të vdes.” Dhe askush nuk diti për këtë ndodhi derisa ai vdiq, Allahu e pastë mëshiruar. Është përmendur në një hadith autentik (sahih) se: “Xhehenemi u ankua tek Zoti i tij, duke thënë: “Pjesë nga të mijat kanë djegur pjesë të tjera.” Dhe, Ai ia lejoi atij dy frymëmarrje: një në dimër dhe një në verë. Sa i përket frymëmarrjes së tij në dimër, kjo është të ftohtët e hidhur dhe frymëmarrja e tij në verë është nxehtësia ekstreme.”

…Sa shpesh vjen dimri e pastaj vera

Dhe pranvera shkon e vjen vjeshta.

E ne shkojmë prej të nxehtit në të ftohtë.

E shpata e shkatërrimit është e ngritur përmbi kokën tënde.

O ti që je i parëndësishëm në këtë botë.

Deri kur do të të mashtrojë zvarritja ty?

Ti që kërkon atë të përkohshmen, deri kur

zemra jote do të jetë e zënë me atë që është e përkohshme?

I çuditshëm është ai i cili e poshtëron veten e tij për këtë botë

E derisa një copë bukë do t’i mjaftonte atij për çdo ditë…

Pra, këta shembuj tregojnë se koha e dimrit është një kohë e veçantë të cilën duhet ta shënojmë jo duke qenë joaktiv, përkundrazi, duke e rigjallëruar energjinë tonë për adhurim dhe robërim ndaj Allahut.

Hekuran Helshani

Shkurt 2017