Pse-të e shumta të gurëve në veshka

89

Gurët në veshka, sa të shpeshtë janë dhe kur duhet të dyshojmë për to?

5% e femrave dhe 12% e meshkujve të çdo moshe kanë pasur të paktën një krizë nga gurët në veshka apo rrugët urinare.

Nuk është shumë vështirë për një të sëmurë me gurë në veshka që të dyshojë për praninë e tyre, pasi në shumicën e rasteve ata shoqërohen me kriza. Kriza nga gurët është një dhimbje që kalon kufijtë e durimit. Dhimbja zakonisht fillon në ije e përhapet në bark, në drejtim të fundit të tij nga përpara. Dhimbja është më e fortë se thyerja e kockave apo plaga e armës. Gratë e krahasojnë me dhimbjet e lindjes. Zakonisht krizat e veshkave fillojnë natën apo gjatë lëvizjeve e sforcove fizike. Gjaku në urinë duhet të të bëjë të dyshosh ndërmjet të tjerave edhe për gurë në veshka apo rrugët urinare.

Cilat janë shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje?

Trashëgimnia dhe mënyra e jetesës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në formimin e gurëve në veshka. Një individ me prindër që kanë vuajtur nga gurët në veshka ka 3 herë më shumë mundësi që të vuajë nga gurët në veshka në krahasim me një individ pa trashëgimni. Nga ana tjetër 95 % e të sëmurëve me gurë në veshka tregojnë se pinë me pak se 1 litër ujë në ditë. Po ashtu, njerëzit mbipeshë – obezë kanë më shumë tendencë të formojnë gurë në krahasim me ata me peshë normale. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rritjen e obezitetit, shpeshtësia e gurëve në veshka ka arritur në mbi 18% të popullatës. Në muajt e verës shpeshtësia e shfaqjes të gurëve është më e shprehur, duke u konsideruar kështu si “sezoni i gurëve”.

Mjekimi i gurëve në veshka

Gjatë 15 viteve të fundit mjekimi i gurëve në veshka dhe në rrugët urinare ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Medikamentet e reja si dhe përdorimi i aparatit të thyerjes së gurëve (Litotripsia) kanë bërë që ditëve të “përdorimit të thikës” në mjekimin e gurëve në veshkat t’u vijë fundi. Gjithsesi, cilidoqoftë përparimi i metodave të heqjes së gurëve, zbulimi i shkaqeve të formimit të gurëve dhe parandalimi i formimit të tyre përbëjnë mjekimin më të mirë të gurëve në veshka.

Mjekimi me dietë dhe barna

Gurët nën 7 mm kanë shumë mundësi të dalin nëpërmjet pirjes së një sasie të konsiderueshme të lëngjeve (2,5-3 litra në 24 orë ) si dhe përdorimit të barnave që zgjerojnë kanalet urinare apo ulin aciditetin e urinës duke mos i dhënë mundësi kristaleve të qëndrojnë të bashkuara në trajtën e gurëve. Ky dimension nuk është i rastësishëm pasi mendohet se kanali urinar është i gjërë rreth 6-8 mm.

Çfarë lëngjesh rekomandohen të pihen dhe çfarë nuk rekomandohen ?

Ujë i zakonshëm, lëngje popullore dhe me preference do të sugjeroja 1 litër e gjysëm ujë ku të jenë tretur 2 limona, çdo ditë. Mos preferoni ujin e gazuar, koka-kola, fanta e lëngje të tjera industriale.

Mund të hahet çdo gjë apo duhen kufizuar ushqimet me kripë? A duhen kufizuar ushqimet që përmbajnë Kalcium?

Natyrisht sa më e madhe sasia e kripës në ushqim aq më e madhe është tendenca për të formuar gurë. Pra, është shumë e rëndësishme të pakësohet kripa në ushqim. Kufizimi i kalciumit, i rekomanduar fatkeqësisht nga shumica e mjekeve, do të ishte një gabim fatal sidomos për fëmijët dhe gratë. Mos zhvillimi i mirë i kockave të fëmijës dhe fraktura të tyre në menopauzë tek gratë janë pasoja të vëna re në të sëmurët që kanë kufizuar kalciumin në dietë. Natyrisht kjo nuk do të thotë të abuzojmë me dieten me kalcium. Ushqimet me predominim të zarzavateve dhe frutave, të freskëta të sezonit dhe jo ato të thata (sidomos arrat, bajamet dhe lajthitë), shoqëruar me shumë lëngje, janë të shkëlqyera për të sëmurin me gurë në veshka. I vetmi nga agrumet që kufizohet është qitro e cila përmban shumë oxalate. Kafeja, deri vonë e kufizuar, vitet e fundit ka marrë “lirinë” prej 2 studimeve të mëdha mbi dietën në të sëmurët me gurë në veshka. Kaloritë e alkoolit mund të shkaktojnë mbipeshë dhe rrjedhimisht shoqërohet me rritje të shpeshtësisë së gurëve në veshka.

Uralyt,Renalof, Bio-K-Mag, Grodurex dhe Allopurinoli janë medikamentet më të përdorshme në eleminimin, shkrirjen dhe parandalimin e gurëve në veshka dhe në rrugët urinare. Mënyra e përdorimit, koha dhe dozat e tyre përdoren ekskluzivisht nga mjeku. Përdorimi i tyre ka bërë një revolucion në shkrirjen dhe parandalimin e gurëve në veshka. Është kjo arsyeja që në vendet perëndimore këto medikamente janë ndër më të përdorurat.

Parandalimi i formimit të gurëve në veshka

Mjekimi ideal i gurëve në veshka është parandalimi i tyre. Nëse një pacient nxjerr një gur, brenda vitit ai ka 20% shanse të formojë gurin tjetër. Për 5 vjet rreth 80% e tyre kanë riformuar përsëri gurë. Për këtë arsye është e rëndësishme të gjykohen shkaqet e formimit dhe përmbajtja e gurëve.

70-80% e tyre kanë përmbajtje oxalate dhe fosfati kalciumi, 10% acidi urik dhe 1-2% cistine. Pjesa tjetër janë karbonatet. Nëse pacienti ka një gur që e ka nxjerrë më parë analiza e përmbajtjes së tij do të ishte ideale. Por natyrisht më i rëndësishëm nga të gjithë është përdorimi me shumicë i lëngjeve. Dieta me lëngje, mbi 2-3 litra në ditë, është shumë e rëndësishme për parandalimin e formimit të gurëve. Sa më shumë lëngje aq më pak gurë dhe aq më pak sëmundje të veshkave.

Ekzaminimet dhe analizat e domosdoshme

  • Matja e kriprave në gjak dhe urinë; Kalcium, Fosfor, Magnezium, Natrium, Kalium, Acid urik.
  • Vlerësimi i funksionit të veshkës, gjendrave paratiroide, kockës.
  • Vlerësimi i ekuilibrit acido-bazik.
  • Vlerësimi i përmbajtjes së gurit, nëse i sëmuri ka ndonjë gurë që ka nxjerrë më parë.
  • Echografi,Radiografi dhe /ose pyelografi (UIV), jo rrallë skaner.

Maj-Qershor, 2014