Pushtimi i atdhedashurisë

74

Nga Driton Arifi
Të ngazëllehet njeriu nga dashuria e pashterrur për atdheun nuk është e çuditshme, po të ndodhë e kundërta ka vend për habi. Dashuria për vendin është e mpiksur në shpirtin njerëzor dhe është e ngjizur në karakterin e secilit. Shkulja e kësaj ndjenje nga shpirti mbetet një mision tejet i vështirë, por megjithatë, gjatë gjithë historisë kanë arritur “ta kryejnë me sukses” një shtresë e ulët e njerëzve.
Nga e kaluara e afërt e vendit tonë, u kuptua se edhe sakrifica për tokën ku ka rënë koka, llogaritet ndër sakrificat më sublime që njeriun e lartësojnë në altarin e denjë të lirisë. Ata që u dashuruan me dheun e kësaj toke, qenë të gatshëm që të flijonin më të shtrenjtën, jetën e tyre, edhe pse ndoshta vetë ata nuk ishin të sigurtë nëse gjaku i tyre do të arrinte që t’i freskonte ndonjëherë lulet e lirisë së atdheut.
Lënia pas e viteve të sakrificës nga ana e këtij populli, bëri që pa kuptuar të dizenjohen standarde të reja të patriotizmit dhe të dashurisë për atdheun. Patriotizmi dhe atdhedashuria tashmë, po maten me atë se sa me ngazëllim po përkujtohen dhe mitizohen figurat e së kaluarës, sa me përkushtim flitet në emër të tyre, gjithsesi me kusht që ata emra të mitizuar të përzgjidhen në formë selektive, pa pranuar diskutim fare për ta.
Meqë në vendet e zhvilluara, të cilat e kanë lënë pas luftën para shumë dekadash, atdhedashurinë e tyre e matin me gatishmërinë për derdhjen e tërë potencialit intelektual e fizik për avancim të vendeve të tyre, si dhe për besnikërinë dhe fanatizmin në ruajtjen e vlerave të së kaluarës, tek ne standardi duket se qëndron pak më ndryshe.
Në vendet europiane ka shumë prej njerëzve që as emrin e presidentit të tyre aktual nuk e dinë, lërë më të atyre që kanë vdekur më herët, mirëpo për aq kohë sa punojnë konform ligjit dhe derdhin djersën për të mirën e vendit, në asnjë rast nuk privohen nga epiteti patriot dhe atdhetar.
Si komunitet shumicë dhe historikisht kontribues thelbësor në shtetformim, muslimanët më vuajnë më pak nga kompleksi se a është dikush duke e vlerësuar dashurinë, punën dhe gadishmërinë tonë për sakrificë ndaj atdheut apo jo, sepse si ngushëllim për mosmirënjohje eventuale nga të tjerët marrin gjithnjë citatet hyjnore, si ky: “Dhe thuaj: “Punoni, Zoti, Profeti i Tij dhe besimtarët do të shohin punë tuaj. Ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme, e do t’u lajmërojë për atë që keni punuar”. (Et-Teube, 105). Ky ajet na sjell ndër mend një parim shumë thelbësor, që motiv për punën tënde për atdheun nuk duhet të jenë ovacionet e duartrokitjet e të tjerëve, aq më pak dekoratat që do të ndahen nga liderët e së ardhmes në kohë paqeje, kushdo qofshin ata. Para së gjithash, motiv le të mbetet kërkesa hyjnore e Zotit për të vepruar e punuar punë të mbara gjatë tërë jetës, vepra të cilat rrjedhimisht do ta shpien përpara vendin dhe si të tilla do të regjistrohen tek Ai, edhe nëse të tjerët t’i mohojnë. Për të tjera motive nuk dimë, vetëm se ky hyjnori pa dilemë do të mbetet përjetësisht i fuqishëm në vetëdijen njerëzore dhe do t’ua mbajë atyre të gjallë, dashurinë e çiltër për atdheun.
Viteve të fundit, vërejmë një fenomen të çuditshëm në shoqërinë tonë, që atdhedashuria si vlerë së pari përvijohet me disa korniza tekanjoze, e pastaj e njëjta dëshirohet të monopolizohet e të ozurpohet për të mbetur pronë e paprekshme e një shtrese të ngushtë të njerëzve, numrin dhe tiparet e të cilëve i përcaktojnë vetë ozurpuesit e kësaj vlere.
Këtyre i famshmi Thomas Jefferson, do t’u jepte një këshillë tejet me vlerë, ndoshta prej tij e pranojnë më lehtë ku thotë: “Divergjenca dhe mospajtimi në mendime sa herë të jetë i nevojshëm, është forma më e lartë e patriotizmit”. Besojë që edhe për këtë lloj patriotizmi kemi nevojë sot, bëhuni pak më zemërgjerë. Besojmë që me këtë standard edhe ndjenja e atdhedashurisë do të marrë frymë pak më lirshëm.
Madje, të njëjtit që vendosën standarde të reja të atdhedashurisë, i dhanë të drejtën vetvetes që të mos i lejojnë të tjerët që të duan atdheun pa lejen e tyre dhe pa i pranuar standardet e tyre.
Viktimë e një diskriminimi selektiv duket se na dalin jo rrallë herë muslimanët e këtyre trojeve, të cilët vihen në thumb të shigjetave mediatike, e ndonjëherë edhe nëpër vepra e libra të disa autorëve, që të cilësohen hiç më pak se “gjak i prishur” i shqiptarit, që si të tillë s’meritojnë të jetojnë fare në këto troje.
Këtyre me “gjak të kulluar të shqiptarit” e që e kanë tejet të zhvilluar aftësinë e harresës historike dhe aftësinë për etiketime njollosëse ndaj të tjerëve, u kujtojmë që më këtë “gjak të prishur” në masën absolute, por jo në tërësi, është paguar edhe fatura e lirisë së Kosovës. Këta që s’qenkan meritorë të qëndrojnë në këto troje, s’pranuan t’i lëshojnë ato ndryshe vetëm për së vdekuri.
Në përfundim të këtij shkrimi, ju kujtojmë që me këto standarde të reja të patriotizmit e të atdhedashurisë bëjmë mëkat të pafalshëm, së paku karshi atyre që u flijuan në altarin e lirisë së atdheut, e të cilët atdheun nuk e deshën në formën siç e përcaktuat ju.
Ndryshoni këto standarde, së paku për hir të tyre!

Tetor 2017