Qabja, simbol adhurimi apo simbol i Njësimit të Allahut?

186

Nga Elona Muça

A është Qabja simbol adhurimi apo ajo është simbol i njësimit të Allahut të Madhërishëm dhe i unitetit?

Pasi disa njerëz nga padituria bien preh e gabimeve të idhujtarisë kur vjen momenti i kryerjes së obligimit të haxhit.

Përgjigje: Me emrin e Allahut Mëshiruesit Mërshirbërësit, pershendetjet e nderimet per njeriun më të dashur profetin Muhamed (a.s.).

Të nderuar lexues të revistës “Familja”, haxhi është rituali i fundit nga pesë shtyllat e islamit që është obliguar të kryhet nga Allahu i Madhërishëm .

Obligimi i këtij rituali është bërë në vitin e nëntë e hixhretit. Në botën e udhëtimeve, haxhi është një udhëtim unik ku muslimani transferohet me trup dhe me zemër për në vendin e sigurt, Qaben e bekuar. Në ajetin 125 të sures Bekare, Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit… ”

Qabja është simbol i njëhsimit të Allahut të Madhërishëm dhë të unitetit të muslimanëve, prandaj është bërë e detyrueshme që çdo musliman t’i drejtohet Qabes çdo ditë në namazet e tij. Në suren Bekare, ajeti 144, Allahu i Madhëruar thotë: “ pra, kthehu në drejtim të xhamisë se shenjtë (Qabes) dhe ju o besimtarë kudo që të jeni kthehuni nga ajo anë.”


Qabja është shtëpia e parë që është ngritur mbi sipërfaqen e tokës për adhurimin e Zotit. Profeti Ibrahim dhe djali i tij Ismaili u obliguan nga Allahu për ndërtimin e Qabes. Ndërsa po ndërtonin Qaben e shenjtë, ata të dy iu lutën Allahut të Madhëruar me një lutje të sinqertë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili, ngritën themelet e Qabes u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je që dëgjon dhe di gjithçka!O Zoti ynë!  Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet Ti je i Plotëfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare, 127-129)

islamic-cards-kaaba-last-visited-01-1024x729Profeti Ibrahim (a.s) është njohur në histori si armiku i idhujtarisë dhe simboli i Njësimit të Allahut. Ai është i pari që na ka quajtur muslimanë ndaj dhe Zoti i Madhëruar në Kuran thotë: “Ibrahimi nuk ka qenë as hebre, as i krishterë , por ka qenë besimtar i vërtetë(monoteist) i përulurndaj Allahut dhe nuk ka qenë nga politeistët.” (Al Imran, 67)

Sipas rëndesisë e domethënieve të këtyre ndjenjave që i lidhin muslimanët me shtëpinë e shenjtë dhe ndërtuesin e saj të parë, Ibrahimin (a.s), të cilin Allahu e obligoi atë të kryejë Haxhin dhe të porosisë për kryerjen e tij të gjithë ata që kanë mundësi. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “…Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrefyese për popujt në të ka shenja të qarta (që janë:) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); fakti që kushhyn në të është i sigurtë; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E  kush nuk e beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al Imran, 96-97)

Ai që niset për të kryer haxhin, le të meditojë për daljen e tij nga jeta e kësaj bote duke kujtuar se çfarë ka prëgatitur nga punët e tij për në botën tjetër. Ndaj le ti kërkojë falje e pendim Allahut (xh.sh). Kur të vesh “Ihramin” le të kujtojë veshjen e qefinit të tij. Kur të thërasë ‘’Leb-bejke Allahume leb-bejke, leb-bejke la sherike leke leb-bejk!” le të ndjejë që i është përgjigjur thirrjes së Allahut. Në suren El-Haxh (ajeti 27) Allahu i Madhëruar thotë: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta,”

Kur të arrijë në Qabe, ta ndjejë që po hyn në një vend të sigurtë, e t`i lutet Allahut që ta sigurojë atë nga dënimi, e kur ta shoh Qaben le të sjellë në zemër madhështinë e saj dhe të falënderojë Allahun (xh.sh) që e bëri atë prej atyre që vizitojnë shtëpinë e Tij. Kur të përshëndesë gurin e zi që ndodhet në një nga qoshet e Qabes, le të mendojë se kjo është besa që i ka dhënë Allahut për t’ju bindur Atij, duke i bashkëngjitur kësaj bese vendosmërinë për ta mbajtur premtimin e kësaj bese te Allahu i Madherishëm, d.m.th: “O Zot, me besimin tek Ty dhe jo tek guri, tek libri i Yt dhe jo tek legjendat, për të mbajtur premtimin Tënd që është njësimi i Zotit dhe jo idhujtaria e për të ndjekur shembullin e profetit Tënd, që i shkatërroi idhujt”. Ndërsa kur të rendësh mes kodrinës Safa dhe Merëa kujto historinë e Haxheres me djalin e saj Ismailin dhe njëkohesisht medito peshoren e veprave të tua në ditën e gjykimit. Ndërsa qëndrimi në Arafat i përkujton me numrin e madh të njerëzve dhe ngritjen e zërave të tyre me gjuhë të ndryshme  me përkujtimin e ditës se gjykimit ku njerëzit kërkojnë ndërmjetesimin. Ndërsa kur të gjuash guralecat përkujto bindjen ndaj urdhërit të Zotit dhe shfaqjen e nënshtrimit tënd ndaj Tij.

Qabja e nderuar do të mbetet përherë një simbol i ngritur mbi tokë, rreth të cilit Islami ka përqendruar domethëniet më të shenjta, më të përjetshme dhe më të larta të humanizmit dhe të vëllazërisë mes gjithë njerëzve.

Lus Allahun që pyetja juaj të ketë gjetur përgjigjen e duhur.

 Shtator-Tetor 2015