Qëndisja, një zanat plot shije e finesë

535

Nga Oriola Sula

Është vërtetë e mahnitshme, se çfarë njeriu arrin të bëjë përmes artit. Muzika, piktura apo skulptura nuk janë të vetmet prirje që mund të konsiderohen art i mirëfilltë. Ka shumë degëzime, përmes të cilave njeriu shpreh talentin e tij artistik. Mes tyre është edhe qëndisja, një nga traditat më të vjetra të shqiptarëve, e ruajtur brez pas brezi. Qëndisja është një art shumë i bukur dhe shumë elegant, që kërkon saktësi dhe durim të madh, sepse kujdeset për çdo detaj, deri në perfeksion. Shumica e vajzave shqiptare i nisnin punimet artizanale, si qëndisja, puna me grep apo me mbushje, që në moshë të vogël. Në çdo trevë të Shqipërisë, dikur nënat i mësonin vajzat të qëndisnin, si një zanat plot shije dhe finesë, që preferohej ta kishte çdo vajzë në prag martese. Madje ato ishin të afta të përgatisnin me duart e tyre edhe pajën e martesës, ndoshta duke konkurruar edhe me shoqet e tyre.  

Por, për fat të keq, pas viteve 90, me futjen e produkteve të huaja, të prodhuara në mënyrë mekanike, kjo traditë u zbeh. Të tërhequra nga shkëlqimi i rremë i punimeve moderne, me shumëllojshmëri ngjyrash e figurash, vajzat nuk preferonin më të mësonin qëndisjen nga nënat e tyre. Por sot, kjo traditë po rivlerësohet, sidomos nga të huajt, të cilët kanë shprehur interes të madh për punimet tona artizanale. Ato pak femra që dinë të qëndisin, janë të detyruara që pasionit të tyre për punët e dorës, t’i shtojnë edhe një shkak të fortë, që janë përfitimet financiare. Por ka edhe nga ato gra e vajza, që ruajtjen e kësaj tradite po e bëjnë duke e gërshetuar atë edhe me elemente dhe trende bashkëkohore. Kjo ka ndikuar që kërkesat të jenë gjithnjë e më shumë në rritje dhe qëndisjet, punimet me dorë, punimet me grep apo me mbushje tashmë eksportohen në shumë vende si Itali, Francë, Greqi, Gjermani, Maqedoni etj. Kjo traditë e rrallë, në të vërtetë konsiderohet prej tyre si një art i veçantë, çka është një vlerë e shtuar për popullin shqiptar. Ky është një motivim për shumë gra e vajza shqiptare, që kanë zgjedhur ta bëjnë artin e qëndisjes, pjesë të jetës së tyre.

Por nga ana tjetër arti i qëndisjes është mjaft i dobishëm edhe nga pikëpamja psikologjike e sociale, duke kontribuuar kështu në mirëqenien dhe cilësinë e jetës. Sipas disa studimeve, qëndisja, puna me grep apo me shtiza është një mënyrë shumë e mirë për të larguar stresin dhe për të qenë më krijues. Femrat që merren me artin e qëndisjes, punojnë me grep apo me shtiza janë më të lumtura, kanë më pak ankth dhe më shumë vetëbesim.

Fakti që shumë gra sot janë të punësuara në profesione të ndryshme, nuk përbën pengesë që ato të përkushtohen disa orë në ditë edhe në punimet e dorës, pasi kjo është edhe një mundësi më shumë për t′u çlodhur, por edhe për të përfituar vepra të vërteta arti.

kolazh 2-Erkida Cjapi kolazh 1- Erkida Cjapi

Erkida Cjapi nga qyteti i Lushnjës, ka nisur të angazhohet me punë dore që prej vitit 2014. Edhe pse ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Infermierisë dhe aktualisht është mami me kohë të plotë, kjo nuk e ka penguar aspak që të ndjekë pasionin e saj për punimet me dorë, të kultivuar që në fëmijëri. Një emision televiziv mbi artin e këtyre punimeve, do të shtynte atë në fillimin e rrugëtimit drejt “botës” sa të bukur, aq dhe sfiduese të artizanatit. Sot ajo realizon bizhuteri (byzylykë, vathë, varëse etj.) me rruaza dhe me grep, gjithashtu punon shaje, kapuça për fëmijë e të rritur si dhe çanta me grep, pas të cilave është e apasionuar. Për të realizuar një çantë, asaj i nevojiten 2 deri në 3 javë punë, ndërsa për punime të tjera më të thjeshta, shpenzon 2 deri në 5 ditë.

Sipas saj, sot është më e lehtë ta promovosh këtë lloj arti e pasioni, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe pjesëmarrjes në grupe te ndryshme artizanale shqiptare e të huaja. Si çdo profesion, edhe punimet me dorë kanë vështirësinë e vet, duke filluar që nga gjetja e materialit, koha dhe realizimi i saj, gjetja e teknikave të reja, por mbi të gjitha, sfida më e madhe me të cilën përballet çdo artizane është tregu, pasi vendi ynë ofron pak mundësi shitjeje. Erkida thotë se, përveç kënaqësisë që merr pas realizimit të një pune me grep, është edhe përfitimi material, ai që të nxit të vazhdosh edhe më tej.

Mesazhi i Erkidës për vajzat që kanë pasione të tilla, por kanë frikë të guxojnë është: “Lëreni guximin të sundojë frikën! Vetëm atëherë dëshira dhe pasioni takohen së bashku, për të shkrirë fantazinë dhe talentin.”

kolazh 2-Puen dore jusra kolazh -Puen dore jusra

Një tjetër artiste në qëndisje dhe punë dore është edhe Nafie Pitomina nga Durrësi, e cila e shndërroi pasionin e saj në një biznes të mirëfilltë, nën emrin “Punë Dore Jusra”. Duke dashur të mbajë të gjallë traditën e trashëguar nga nëna e saj, Nafia punon me pasion, sidomos pas kënaqësisë që merr, kur punët e saj pëlqehen nga të gjithë. Për t′iu përshtatur ndryshimeve të kohës, ajo ka mundur të realizojë qëndisje dhe punime dore me rruaza, mjaft të pëlqyera kohët e fundit. Mjaft të preferuara sipas saj janë produktet që shërbejnë si objekte zbukurimi, por në të njëjtë kohë, janë edhe funksionale si kutia e bizhuterive, koshi i frutave, mbajtësja e picetave, mbajtësja e karameleve etj. Nafia thekson se panairet e ndryshme mbi punimet artizanale, brenda dhe jashtë vendit, janë një mënyrë shumë e mirë për promovimin e këtij arti sa të bukur, aq edhe sfidues. Sipas saj çelësi i suksesit në këtë zanat është një ndërthurje mes durimit, pasionit dhe vullnetit.

Mars 2018