Qëndrimi me prindërit e burrit

428

Nga Elona Muça

Pyetje: Një prej konflikteve të dukshme në shoqërinë shqiptare është që çiftet e reja kanë dëshirë të mos qëndrojnë me prindërit e bashkëshortit. Si e trajton feja islame këtë çështje?

Përgjigje: Me Emrin e Allahut Mirëbërësit, Mëshiruesit. Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, paqja dhe begatia qofshin mbi profetin Muhamed, familjen, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë udhën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Deri para disa vitesh, nusja e sapo ardhur ishte e mirëpritur në shtëpinë e re. Të gjithë e respektonin dhe e donin njëri-tjetrin. Vjehrra dhe vjehrri e konsideronin nusen si vajzën e tyre e ajo i konsideronta ata si prindërit e saj. Të gjithë kishin si synim të jetonin të gëzuar në familjen e madhe.

Ajo muslimane e cila i kupton mësimet e fesë së saj dhe që ka karakter të lartë sillet mirë me nusen e djalit sikur ta kishte djalin e saj.  Pasi Zoti e ka caktuar që kjo nuse të jetë bashkëshorte e djalit të saj dhe ajo është bërë anëtare e familjes së tyre. Po kështu edhe nusja e djalit, nëse është edukuar në bazë të vlerave dhe rregullave islame, largohet nga shtëpia e prindërve për të shkuar tek shtëpia e bashkëshortit të saj duke e filluar jetën e martesore në shtëpinë e re e duke i konsideruar prindërit e bashkëshortit të saj si të ishin prindërit e saj.

Që në momentin kur nusja e djalit vjen në shtëpi, një vjehërr e mençur e di se nusja ka të drejtë të jetojë jetën e saj bashkëshortore në të gjitha aspektet saj. Dhe po ashtu, e di se askush nuk ka të drejtë të përzihet në jetën private të partnerëve bashkëshortorë, përveç në rastet kur kjo është tepër e nevojshme, sepse çdo musliman i mirë e ka obligim të japë këshillë të sinqertë, siç na mëson Muhamedi (a.s.), feja është këshillë.

Vjehrra, ashtu siç dëshiron për vajzën e saj që të ketë një martesë të suksesshme, të lumtur e të pavarur, të njejtën gjë duhet ta dëshirojë edhe për nusen e saj pa bërë dallim, në mënyrë që nusja të ndjehet e dashur dhe e respektuar në atë shtëpi.

Vjehrra nuk duhet ta fshehë gëzimin kur ajo e sheh birin e saj të jëtë i lumtur me bashkëshorten e tij, por duke ia shfaqur këtë gëzim, kjo sjellje e rrit edhe më shumë lumturinë e çiftit. Në këtë mënyrë, vjehrra bëhet e dashur për nusen.

Ky është një kontrast direkt i shoqërive që ne po përjetojmë. Vërtet po jetojmë në një shoqëri të civilizuar por fatkeqësisht, sa civilizuese mund të thuhet kur ajo është drejt degradimit të marrëdhënjeve vjehërr-nuse. Edhe pse sot shumica e çifteve jetojnë të ndarë nga familja e bashkëshorit apo nga prindërit e tij shikojmë që urrjetja shfaqet si një përbetim i shëmtuar midis vjehrrës dhe nuses, saqë ky fenomen është bërë tradicional dhe është bërë objektet i krijimit të teksteve humoristike e tallëse. Në shoqëritë që e kanë përqafuar islamin me sinqeritet, në të cilat u përmbahen mësimeve dhe vlerave të tij, edhe pse djali me nusen mund të jetojnë në një shtëpi më vete e të pavarur, përsëri nusja do ta respektojë familjen e bashkëshortit të saj duke mos e përgojuar atë në shoqërinë ku ajo punon dhe jeton. Pasi në shoqërinë islame, kjo marrëdhënje bazohet në kriterin e moralit të fesë islame siç thotë Allahu në Kuran: “nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të bëhet menjëherë miku yt i ngushtë, ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh”.

Vjehrra e mirë është që të mos i zbulojë cilësitë negative dhe gabimet e nuses para djalit të saj. Por, ajo duhet ta këshillojë nusen më vete në mënyrën më të mirë. Me këtë lloj sjellje, nusja e kupton që vjehrra është e sinqertë në këshillim dhe jo një armik i rreptë që mezi pret ta ngacmojë. Ndërsa kur është koha për të gjykuar rreth një çështje ku djali i saj përdor forcën dhe është i padrejtë ndaj bashkëshortes, frika që ka ndaj Allahut e bën që ajo t`i japë të drejtë nuses së saj dhe jo djalit. Allahu në Kuran në suren En-Nisa thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet tua ktheni atyre që u përkasin dhe kur të gjykoni midis njerëzve të gjykoni drejt. Vërtet Allahu ju këshillon me mirësi, dhe i dëgjon dhe vështron të gjitha punët”.

Ndërsa sot në ditët tonan gjërat kanë ndryshuar. Shumica e vajzave ëndërrojnë që ta kalojnë jetën martesore në shtëpinë e tyre të posaçme. Feja islame e lejon që çifti i ri të jetojë në shtëpi të posaçme, në mënyrë të pavarur nga familjarët e bashkëshortit, por kjo nuk nënkupton që ata t’i braktisin prindërit e tyre apo t’i shohin ata si një pengesë në jetën e tyre bashkëshortore. Ata mund të jetojnë në shtëpi të ndarë por, detyrimet për prindërit nuk bien poshtë. Si djali dhe nusja duhet t’i vizitojnë prindërit dhe të afërmit e bashkëshortit sa më shpesh dhe të kujdesen për ta duke ua plotësuar nevojat dhe kërkesat e tyre. Gjithashtu, një këshillë për të gjithë nuset, të mos bëhen pengesë në përkujdesjen që djali duhet të ketë ndaj prindërve të tij, pasi xheneti i djalit është nën këmbët e nënës dhe nën respektin dhe shërbimin e prindërve të tij. Gjithashtu, ajo nuk duhet ta shohë marrëdhënien e bashkëshortit të saj me prindërit e tij si marrëdhënie që pengon lidhjen me bashkëshortin. Ajo duhet të jetë gjithashtu, gojë ëmbël dhe e dashur sepse Allahu i do ata që flasin mirë dhe duhen për hatër të Tij.

Në këto situata duhet të kemi parasysh se secila prej tyre si, vjehrra e cila dëshiron një jetë të lumtur për djalin e saj, ashtu edhe bashkëshortja dëshiron që të jetojë e lumtur dhe e gëzuar me bashkëshortin e saj. Kështu që duhet të kuptojnë se kjo çështje është shumë e lehtë nëse ato përpiqen të shohin anët positive dhe cilësitë e mira të njëra-tjetrës dhe ta këshillojnë njëra-tjetrën për t`ia arritur qëllimit që kanë, dhe jo të grinden e të bëhen shkak i shkatërrimit të jetës së tyre siç thotë fjala popullore, ku vjehrra thotë: prej inatit të resë vrava djalin.

Duhet që vjehrra ta trajtojë nusen e djalit të saj me dashuri e respekt dhe ta mësojë atë. Po ashtu edhe edhe nusja duke i respektuar fiton dashurinë e tyre e i shtohet doashuria me bashkëshortin e saj dhe harmonia familjare. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh faktin se si do të sillemi me prindërit e bashkëshortëve tanë ashtu do të sillen nuset e djemve tanë me ne apo më keq, sepse çfarë do të bëni do të gjeni.

Lus Allahun t’ju japi lumturi në familjet tuaja dhe të keni jetë të gjatë plot harmoni e begati.

Revista Familja, shkurt 2016