Racizmi është për njerëzit e vegjël

59

Nga Armira Jaku

Asnjë vend europian nuk është krejtësisht i pastër në luftën kundër racizmit, ksenofobisë dhe krimeve të frymëzuara nga urrejtja racore.
Racizmi është një fenomen që nuk njeh kufi. Pavarësisht zhvillimit të shkencës dhe bashkëjetesës në kohën moderne, racizmi vazhdon të jetë simptomë e gabimit njerëzor.
Çdo ditë flitet rreth tij, rreth asaj që ky fenomen nuk duhet të rritet por kjo gjë bëhet dhe shprehet vetëm në mënyrë fizike nëpër media. Sot, për çdo gjë njerëzit gjykohen, tallen dhe nënvlerësohen. Njerëzit mendojnë se ngjyra e lëkurës nuk të lejon të bëhesh i ditur, të mos jesh i dobishëm apo të mos jesh i suksesshëm. Të jesh i suksesshëm nuk ka rëndësi ngjyra, feja, gjinia; arritjet nuk njohin racizmin.
Racizmi shkel parimin themelor të të drejtave të njeriut kundër diskriminimit. Diskriminimi racor është praktikë, duke u marr me forcë njerëzve të drejtat e tyre duke përfshirë trajtim të padrejtë apo jo tolerues ndaj zgjedhjeve të tyre.
Ditët e sotme, njerëzit duan të shikojnë ashtu si ata duan dhe jo ashtu si duhet apo ashtu si ti ndjehesh me mirë. Jemi në shek. 21 dhe akoma pretendohet diktatura moralore dhe fetare.
Tallet zgjedhja e lirë, dëshirat e shfaqura nga ngjyra e lëkurës, nga paraqitja fizike duke anashkaluar fare atë morale, që po shkatërron shoqërinë e sotme.
A duhet të veprohet keshtu? A duhet të tallemi me krijesat që janë krijuar nga dikush tjetër? A duhet të tallemi me zgjedhjet personale të një njeriu?
Sigurisht, kjo është karakteristikë e njerëzve të dobët, të paditur. Njerëzit lexojnë apo dinë diçka fare të vogël ose fare të padobishme dhe mendojnë që kanë arritur zgjuarsinë për të ndërhyrë dhe paragjykuar tek zgjedhjet e të tjerëve. Në ditët e sotme po qarkullohet shumë informacion saqë është shumë e vështirë të kuptohet cila është e dobishme dhe cila jo, prandaj asgjë nuk ndryshon për mirë, vetëm ndryshim injorues dhe nënçmues ndaj zgjedhjeve të huaja.
Shumicave e aborteve selektive janë të shkaktuar kur fëmija i palindur është një vajzë dhe prindërit për arsyet kulturore ose te tjera duan djalë, kështu zbatohet praktikë e ndërprerjes së shtatzanisë…Kjo është diçka mjaft mizore. Racizmi nuk ka të ndalur pasi ai po zbatohet dhe tek foshnjat e palindura.
Është tepër e vështirë të mposhtësh racizmin, të bindësh njerëzit që jemi të barabartë. Kur një i ditur është pyetur se cilës racë i përket, ai pa hezitim është përgjigjur: racës njerëzore. Sido që të ndahemi, ne jemi njerëz, kjo është më kryesorja. Kombësia jonë është njerëzimi por në ditët e sotme është më e lehtë të thyesh një atom sesa një paragjykim ndaj një njeriu. Papritur një ditë pashë që qanin dy fëmijë, njëri i bardhë e tjetri i zi por lotët e tyre nuk kishin ngjyrë. Të urresh njerëzit për shkak të ngjyrës së tyre është e gabuar. Nuk ka rëndësi cila ngjyrë do të bëjë të urryer, por thjeshtë është e gabuar, një ndjesi e papranueshme për një njeri të lartë e të ditur.

A duhet të vuajnë fëmijët, të rriturit, të moshuarit më shumë nga racizmi se sa nga luftërat dhe nga varfëria? Kjo është absurde, por ja që po ndodh. Racizmi nuk po shërohet. Po vuajnë të gjitha qeniet njerëzore. Kur njerëzit nënçmohen nga ngjyra e lëkurës pse nuk nënçmohen edhe nga ngjyra e rrobave, ngjyra e syve, e flokëve etj.? Sepse njerëzit nga padituria i janë vendosur vetëm një subjekti që deri në shkatërrimin total të mos e lejojnë të ekzistojnë, por kjo nuk është në dorën e njerëzve.
Racizmi nuk poshtërohet vetem me të shkruajtura se jo te gjithë lexojnë, jo në publikimin e mediave sepse jo të gjithë kalojnë një pjesë të kohës duke ua kushtuar mediave. Por duhet të bëhemi të gjithë bashkë, sepse e gjithë raca njerëzore është një grusht, por në fakt i pashtrënguar. Ne duhet të afrohemi sa më shumë me njëri-tjetrin, pasi kur të shtrëngohemi askush nuk mund të na ndaj. Duhet të kemi parasysh se lumturia e njeriut të bardhë nuk mund të blihet nga mjerimi i një njeriu të zi… Në një shoqëri ku barazia është një fakt, jo thjeshtë një fjalë, fjalët e sulmit racor dhe poshtërimit janë thjeshtë disa rrokje të pakuptimta.

Rev. Familja, prill 2015