Ramazani i shumëpritur

21

Nga: MSc. Alba Gega

Ramazani është muaji i agjërimit dhe madhërimit të Allahut më së shumti. Fjala Ramazan e ka origjinën e saj nga gjuha arabe, “Ramadan”, e cila vjen nga fjala “ramad”, që do të thotë “shkrumb” dhe “vapë”. Është një polisemë e mrekullueshme azberguese, e cila përmbledh vlerat më të thella e më të vyera të këtij muaji.

Sipas imam Kurtubiut, Ramazani ka marrë këtë emërtim jo thjeshtë e vetëm për vapën dhe etjen që duhet të durojë agjëruesi, por është edhe një sinekdokë sintetizuese, është një perlë semantike, është një panoramë që përmbledh sublimitetin e këtij muaji. Sipas tij, Ramazani quhet i tillë se shkrumbon mëkatet dhe veprat e mira që realizohen në këtë muaj të begatë i fshijnë të këqijat, i bëjnë hi.

Ebu Hurejre, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton se Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Ju erdhi muaji i begatë i Ramazanit. Në këtë muaj Allahu ua ka bërë obligim agjërimin. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e zjarrit të Xhehenemit, prangosen shejtanët. Në këtë muaj ka një natë që është më e mirë se 1000 muaj, e ai i cili privohet nga e mira e kësaj nate është privuar shumë.”

Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e nisi këtë hadith së pari duke e cilësuar Ramazanin të begatë dhe e parashtroi duke thënë që Allahu e bëri obligim, urdhërim apo detyrim. Lind pyetja: “Pse Allahu e obligoi agjërimin e këtij muaji?” Kjo mbetet e vijon të jetë një pyetje retorike. Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë që është një muaj i begatë dhe të gjithë duhet të marrim pjesë në këtë begati. Duket sikur Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “e keni obligim o umet, sepse: (1) hapen dyert e qiellit; (2) që të mos shkoni në zjarr; (3) që të mos ndikoheni nga shejtanët; (4) që të përfitoni nga begatia e 1000 muajve në një ditë të vetme”. Pra, e keni obligim për të përfituar begatinë, pasurinë e dy botëve dhe mëshirën e Allahut.

Siç është Ramazani, ashtu edhe të gjitha urdhëresat fetare, nuk mund t’i marrim rebelisht si urdhërim apo detyrim, por si begati, si një tregti që na ofrohet, përfituesit e të cilëve jemi ne.

Le të shikojmë bashkë nga afër se çfarë dhe si është një ditë agjërimi dhe dobitë që sjell ajo. Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “kur agjëroni hapeni agjërimin me hurma, falni namaz dhe mos e teproni me të ngrënë në iftar”. Nga ana mjekësore, të qëndruarit pa ngrënë për një kohë largon toksinat dhe rigjeneron mëlçinë. Hurmat konsiderohen si burim energjie, pasi janë të pasura me sheqer, fibra kalcium dhe magnez. Ndër këshillat profetike është edhe kujdesi me ushqimin, pasi një e treta të jetë ujë, një e treta ushqim dhe një e treta bosh. Kjo konsiderohet shëndet dhe ripërtëritje e trupit. Tirmidhiu transmeton se Profeti, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Njeriu nuk mbush enë më të keqe se stomakun e tij”. Allahu thotë: “…hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”. (El Araf: 31)

Në një ditë agjërim, për njeriun, së pari fizikisht, është mosngrënia dhe mospirja nga agimi në daljen e fijes së errësirës së mbrëmjes. Por, a është e mjaftueshme kjo sakrificë?

Allahu xh.sh. thotë në Kuran: “te Allahu nuk shkon as gjaku as mishi i kurbanit, por devotshmëria”. (El Haxh: 37) Si kurbani, ashtu dhe etja, uria edhe çdo sakrificë tjetër mbetet e materializuar, për sa kohë që nuk thellohet dhe nuk vishet me devotshmëri dhe sinqeritet në adhurim. Devotshmëria sot po shihet si një vlerë dhe nocion teorik. Por ajo është e prekshme përmes veprimeve dhe fjalëve tona, bindjes ndaj Allahut, që do të thotë dhe bindje ndaj vlerave dhe moralit më të lartë. Në Ramazan duhet të agjërojë goja (të mos ofendojmë njeri, të mos bëjmë thashetheme dhe të mos dëmtojmë njeri përmes fjalëve tona), të agjërojnë gjymtyrët tona (të ecim dhe të prekim rrugën e xhamisë, të Kuranit, të së mirës si vlerë e përgjithshme), të agjërojnë sytë tanë (të mos përgjojmë tjetrin, të mos shohim të gabuarën). Pra, agjërimi është përsosje drejt përjetësisë, është të jesh i drejtë dhe t’i japësh vlerë vetes.

Revista “Familja”, Shkurt 2022