Reaksionet alergjike, si t’i njohim dhe t’i shmangim!

50

Stinën e pranverës e ndiejmë të gjithë, secili sipas mënyrës dhe temperamentit të vet. Është universal etiketimi i saj si stina e luleve, e pemëve, koha kur çdo gjë e gjallë merr jetë. Edhe ne bëhemi pjesë e kësaj simfonie natyrore që na fal shumë entuziazëm. Por përveç kësaj, shpesh kemi dëgjuar, pare, apo edhe përjetuar një ndikim aspak të këndshëm kur gjendemi përballë një alergjie.

Kur shqisat tona diktojnë një substancë të huaj, sistemi ynë imunitar reagon duke mbrojtur trupin nga agjentët e dëmshëm. Reagimi i tepruar i tij ndaj një substance të padëmshme (një alergjent) quhet reagim i tejndjeshmërisë ose reaksion alergjik. Një reaksion alergjik është rruga me anë të së cilës trupi i përgjigjet një substance që nuk e pranon.

Shkaktarët e reaksioneve alergjike

Pothuajse çdo gjë mund të shkaktojë një alergji. Alergjitë stinore zakonisht krijohen nga substanca mikroskopike që gjenden në natyrë vetëm në kohë të caktuara të vitit, por ka disa alergji që mund të jenë edhe të përhershme.

Në pranverë shkak bëhet zakonisht poleni i luleve të sapoçelura të pemëve, gjatë verës kullosa dhe barërat e këqija që prodhojnë polen, në vjeshtë dhe në dimër ndryshimi i temperaturave, lagështira në ajër etj. Alergjia e përhershme shkaktohet nga agjentë që janë të pranishëm gjatë gjithë vitit, të tilla si: insektet, pluhuri, myku, kafshët, ushqimet etj. Këta irritues mund të gjenden në lëkurë, poshtë veshjeve, te dollapet e rrobave, tapiceritë, qilimat e trashë, në mbulesat e shtratit, në kuzhinë, kopësht etj.

Reaksionet alergjike janë unike për çdo person. Ora e reagimit ndaj alergjeneve mund të ndryshojë shumë. Disa njerëz kanë një reaksion alergjik të menjëhershëm, për të tjerë duhet kohë për të reaguar. Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për alergjitë e caktuara dhe reagimin e organizmit të tyre ndaj tyre. Foshnjat gjithashtu mund të kenë alergji ushqimore. Ushqimet që mund të shkaktojnë reaksione alergjike te foshnjat përfshijnë vezën, qumështin, arrat dhe sojën. Vaksinat dhe medikamentet e ndryshme (si penicilina, amoksicilina, aspirina, ibuprofeni, jodi), pluhuri, poleni i luleve dhe myku njihen si substanca alergjike. Si të njohura mund të përfshihen edhe sapunët, detergjentët, ngjyrosësit e flokëve dhe boja që përdoret për tatuazhe. Shqetësime të vogla, si: temperatura e nxehtë apo e ftohtë, stërvitja, stresi apo emocionet e forta mund të shkaktojnë gjithashtu reaksione alergjike.

Është e zakonshme që një njeri të jetë alergjik ndaj më shumë se një substance. Reagimet mund të jenë të lehta, si skuqje dhe kruarje lëkure si pasojë e pickimit nga ndonjë insekt; në raste të rralla reaksioni alergjik mund të jetë kërcënues për jetën (i njohur si anafilaksis). Çdo vit në Shtetet e Bashkuara është vlerësuar se ka 150.000 raste të anafilaksis, 500-1000 njerëz vdesin çdo vit si pasojë e një reaksioni të rëndë alergjik.

Intoleranca e ushqimit nuk është njëjtë me alergjitë ushqimore. Alergjitë janë një përgjigje e sistemit imunitar, ndërsa intoleranca ushqimore është një përgjigje e sistemit tretës të një individi të paaftë të tresë ushqime të veçantë.

Disa shenja që mund të tregojnë se po përjetoni një alergji:

• Njolla në lëkurë;

• Hundë të rrjedhshme (shpesh ndodh edhe që hundët të bllokohen);

• Teshtima të shpeshta;

• Sy të skuqur;

• Vështirësi në frymëmarrje (deri në astmë);

• Probleme me tensionin e gjakut;

• Mund të sjellë ftohje të menjëhershme (në disa raste shoqërohet me kollë të lehtë);

• Diarre etj.

Çfarë duhet bërë?

Për reaksionet alergjike tipike mjekët ju ofrojnë ndihmën e tyre pasi ju bëjnë pyetje lidhur me simptomat dhe kohën shfaqjes së reaksionit alergjik. Testet e gjakut dhe rrezet X nuk janë të nevojshme, me përjashtim të rrethanave të pazakonta. Në raste të reaksioneve të rënda pacienti duhet të paraqitet menjëherë në urgjencën spitalore më të afërt, në mënyrë që të bëjë një kontroll. Çfarë ndodh në këtë rast?

– Hapi i parë është të kuptohet ashpërsia e reaksionit.

– Bëhet kontrolli i tensionit të gjakut dhe pulsit.

– Përcaktohet nëse pacienti ka vështirësi në frymëmarrje apo jo.

– Pastaj vendoset nëse pacienti ka nevojë të menjëhershme për ilaçe anti-alergjike (antihistamine).

Reaksionet alergjike mund të vazhdojnë nëse ju vazhdoni të ekspozoheni ndaj substancës alergjike, pra ju duhet t’i shmangni kontaktet me këto lëndë të dëmshme për ju. Ju mund t’i drejtoheni mjekut alergolog nëse vazhdoni të keni reagime të mëtejshme.

Këshilla për ata që janë alergjikë:

Ekzistojnë më shumë se 160 ushqime alergjike e qindra të tjerë të llojeve të ndryshme. “Prick test” ose test lëkure është ajo që duhet të bëjmë nëse dyshojmë për alergji. Ja si bëhet: Hiqet lëkura në disa vende (aq lehtë sa nuk shkakton dhimbje dhe as rrjedhje gjaku) prej 1 cm dhe në distancë 2 cm nga njëra-tjetra, te secila vihet një pikë solucioni me alergjenë të ndryshëm. Brenda 10-20 minutash duket një fryrje ngjyrë rozë dhe ndihet kruarje aty ku alergjeni specifik është vendosur.

Ja 10 këshilla që duhen pasur parasysh:

1- Shmangini kontaktet me lëndët që ju shkaktojnë alergji! P.sh.: nëse ju e dini se ju bëjnë alergji kikirikët, mos i konsumoni ato.

2- Kujdesi në shtëpi nuk është i mjaftueshëm për reaksionet e rënda. Një reaksion i rëndë kërkon urgjencë mjekësore. Mos u përpiqni ta trajtoni një reagim të ashpër në shtëpi.

3- Për reagimet e vogla të lëkurës përdorni një leckë të ftohtë, të lagur me ujë ose akull për lehtësim.

4- Evitojini ushqimet që kanë në etiketë aroma natyrore.

5- S’duhet të merrni ilaçe pa u konsultuar me mjekun. Përdorni vitamina të këshilluara nga mjeku, të dobishme për irritimet.

6- S’duhet të pini cigare dhe as të qëndroni në ambiente me tym duhani.

7- Ndiqni një regjim të rregullt ditor, ushqimor, pushimi dhe fjetjeje.

8- Përpiquni të mos stresoheni.

9- Kini kujdes në ditët e thata dhe me erë, sepse në këtë klimë përqendrimi i polenit në ajër është në maksimum.

10- Zgjidheni vendin e pushimeve në det dhe jo në mal, sepse në det polenet janë më pak të pranishme, ndërsa në mal kjo ndodh mbi 2000 metra.

Nëse mendoni se jeni të ndjeshëm ndaj një ushqimi apo kafshe, ilaçi, detergjenti apo çfarëdolloj substance, do të ishte mirë që t’i drejtoheni mjekut alergolog ose të bënit një test alergjie. Asnjëherë nuk duhet të jemi indiferentë apo të painteresuar kur bëhet fjalë për shëndetin tonë. Të njohim më shumë veten dhe trupin tonë sepse Krijuesi na e ka dhuruar dhe e kemi obligim të kujdesemi për të.

MAJ-QERSHOR 2013