Rrjolli, një perlë e fshehur e Shkodrës

47

Nga Diana Syla

Qyteti i mrekullueshëm i Shkodrës ofron bukuri natyrore të shumta. Liqen, det, lumenj në relieve të ndryshëm, fushorë, kodrinorë e malorë, bjeshkë të pakrahasueshme në lartësi të ndryshme. Shiroka, Zogaj, Velipoja, Thethi, Razma, Boga e Vermoshi janë pikat turistike që njihen nga të gjithë shqiptarët, por dhe nga të huajt dhe çdo vit në sezonte të ndryshme, por sidomos në verë, tërheqin pushues e vizitorë të shumtë vendas e të huaj. Por Shkodra ka dhe mjaft resurse të tjera, që qëndrojnë “të fshehura”, që nuk janë aq të njohura, por që afrojnë mundësi për turizëm, sidomos atë ditor. Janë vende që shkodranët i njohin, por që dyndja drejt pikave të mëdha të njohura ka bërë që këto perla të natyrës të mos marrin vendin që u takon dhe pse janë një mundësi e madhe zhvillimi e të ardhurash për banorët e këtyre zonave, por dhe më tej. Këto duken sikur janë të “fshehura” dhe “të mbuluara nga hija”. Rikonstruksioni i rrugëve drejt Rrjollit e Prekalit, zgjerimi i rrugës së Shirokës etj, kanë afruar të tjerë miniplazhe që, me zhvillim dhe të infrastrukturës së shërbimeve kanë mundësi që të bëhen jo vetëm vende relaksi e pushimi në verë, por dhe janë pasuri për zhvillimin e turizmit dhe shtimin e të ardhurave.
Një nga zonat turistike që ofron një peizazh të mrekullueshëm por që njihet shumë pak është fshati Rrjoll në Velipojë të Shkodrës. Kjo zonë bregdetare, një nga perlat në veri të vendit, nga viti në vit po bëhet një nga vendet me te preferuara për pushuesit. E ndodhur mes lagunës, malit dhe detit, Rrjolli ofron një bukuri natyrore të rrallë. Kjo zonë për shkak se nuk kishte rrugë, nuk kishte mundësi as ta mendonte zhvillimin e turizmit, por me ndërtimin e saj së fundmi gjërat ndryshuan.
Rrjolli sot shihet nga pushuesit si një zonë e sapozbuluar, krejt e virgjër, e paeksploruar dhe e padëmtuar nga ndërtimet dhe betoni.
Aji ndodhet 4 km larg Velipojës dhe konsiderohej një zone e virgjër për shkak të mungesës se infrastrukturës, por me shtrimin e rrugës, dhe qetësisë qe ofron plazhi pushuesit kanë nisur ta frekuentojnë çdo ditë e më shumë.
Ky fshat shtrihet në jug të plazhit te Velipojës dhe arrin deri në zonën turistike të Shëngjinit. Shtrihet pranë detit dhe mali i Rencit ngrihet thikë mbi të. Vizita në këtë fshat mund të bëhet me varkë nëpër lagunë apo me këmbë. Ky fshat është mjaf i njohur për traditat etnografike dhe folklorike. Plazhi i këtij fshati është i virgjër me rërë të pastër e ujë kristal. Duke ecur më tej, ndodhemi pranë rërës së hedhun, që përbën një masiv të rërës nga era në këmbët e kodrës gëlqerore të Rencit. Nga Velipoja në rërën e hedhun rruga është 8 km, por e vështirë. Mund të udhëtohet vetëm me barkë.

Historia e këtij fshati
78519400Sipas gojëdhënave, emrin Rrjoll, ky bajrak apo fis (siç quhej parabajrakut, shek. XVII.) e ka marrë nga vetë lumi i dikurshëm i Rrjollit (sot më shumë përrua), ku që herët gjendet si emër latin Rivulus, pra emërtim i kohës Romake. Emërtimet janë të hershme, por lidhen edhe me emërtimin e kështjellës Ballexa e Rrjollit, ku padyshim ka qenë një nga pikat më të rëndësishme, nga ku komanohej zhvillimi i jetës për vetë Rrjollin, për të gjithë Malësinë e Madhe, pse jo edhe për Shkodrën. Për të parën herë dokumentohet kjo kështjellë në dokumentet e vitit 1062, më vonë në ato të vitit 1067, por përsëri e gjejmë në ato të viteve 1200, 1347 e deri në vitin 1688, ku gjindet jo vetëm një hartë e kohës, por edhe materiali më i bollshëm i kështjellës. Në vitet 1416 – 1417 në kadastrin Venecian pershkruhet më saktë emri Rrjolli dhe një “Villa Clamanda Riola”, pra bën f]alë për një kështjellë të rëndësishme të Rrjollit, e cila padyshim është ajo e Ballexës. Në këto dokumente flitet se Villa Clamanda Riola kishte 11 shtëpi, por nuk jep saktë numrin e përgjithshëm të banorëve të krejt Rrjollit, por më vonë sqaron se po këtu në Kështjellë banonin 25 familje në qytezë, madje thuhet se 30% e banorëve të qytezës (Ballexës) ishin priftërinjtë, ndoshta bëhet fjalë edhe për murgj. Rreth vitit 1450 shënohet se në këtë qytezë kishte 350 bujq. Mbiemrat e banorëve të Rrjollit (që sigurisht si qendra e rëndësishme e tij ishte Ballexa) mbizotëronin mbiemrat e familjeve Aleks Mullisi, Kokaj, Leka, Pali i Ballexës, familje në krye të fisit Kabashi e mbiemra të tjerë zejtarësh.

Gojëdhënat
1015848_546037862098978_1109248501_oKështjellën e pati rindërtuar ushtria e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) para një beteje antiturke, që quhet Beteja e Kirit. Po sipas gojëdhënave, kjo Kështjellë priti vetë Skënderbeun, që për nder të tij ranë fuqishëm këmbanat e kishës së Shën Gjergjit të Ballexës, që thuhet se u dëgjuan deri larg në fshatrat e Krajës. Kjo pra tregon për rëndësinë që kishte në luftën kundër osmanllinjve Malësia e Madhe, por edhe Rrjolli me vetë pozitën gjeografike dominuese, si dhe me vetë zhvillimin e kësaj treve, ku shpesh flitet se këtu preheshin pará (lekë), e prodhohej barut. Duhet theksuar se pas pushtimit otoman, kjo Kështjellë thuajse u shkatërrua, aq sa këtu banonin vetëm 4-5 familje. Për Kështjellën e qytezën e Ballexës, sipas gojëdhënave flitet se shërbente si vend që mblidheshin të gjithë burrat e mençur nga Malësia e Madhe, fisi i Kabashit, për të organizuar besëlidhjet e tyre, e vendi ku takoheshin quhej Çang, ku edhe sot e kësaj dite, malësorët e quajnë këtë vend.

Destinacioni më i ri turistik për pushuesit
Deri para pak vitesh, ky plazh që përbën një perlë të bregdetit tonë verior, njihej shumë pak dhe nga shkodranët që tentonin të shkonin atje ishte një “mision gati i pamundur”. Kjo pasi rruga drejt Rrjollit që ndodhet në të majtë të rrugës Shkodër-Velipojë, pa hyrë këtu, sapo zbret maloren e Qafës së Shtiqes, kalohej vetëm nga makinat e mëdha ku dhe furgonët nuk kalonin dot për shkak të gjendjes së saj. Një mundësi tjetër ka qenë rruga përmes lagunës së Vilunit, cepit jugor të plazhit të Velipojës, një rrugë kjo vetëm për këmbësorë pasi kalon nëpër një urë druri të lëvizshme. Rikonstruksioni i plotë i rrugës për në Rrjoll ka bërë që për ky plazh të frekuntohet nga pushuesit, kryesisht ditorë. Investimet private këtu janë të pakta dhe po kështu dhe mundësitë e akomodimit disa ditor, por pushuesit ditorë nga qyteti i Shkodrës, gjithnjë e më shumë po zgjedhin Rrjollin. Ai ka një vijë bregdetare rreth 4 km, me gjerësi rëre 200 m dhe shtrihet në një zone me pyll shkurresh, duna të vogla rëre dhe pranë ka malin që bie thikë në det. Të shumta janë dhe ato familje shkodrane të cilat ndodhen të plazhin e Velipojës pasi aty kanë dhe ndërtimet e tyre private, por që përmes urës 360 m të gjatë të Vilunit, ose nga rruga automobilistike shkojnë në plazhin e Rrjollit. Edhe këtë vit duket se shkodranët e kanë “braktisur“ Velipojën e mbushur me pushues nga çdo anë dhe i janë drejtuar Rrjollit për turizëm ditor. Kjo pasi ky plazh i pashfrytëzuar afron një rërë të veçantë që siç shprehen pushues ditor nga rrethet e tjera, nuk e gjen askund në bregun e Adriatikut. Në fakt, sidomos në fundjavë, janë të shumtë mjetet me pushues nga Tirana apo qytete të tjera që vijnë në Rrjoll për të kaluar ditën. Mali fare pranë detit duket sikur rrëshqet në të ndërsa pemët në pjesën e sipërme të tij duken sikur kacavirren të mos bien, ndërsa ato poshtë, fare pranë rrugës, duket sikur presin rënien e tyre. Rrjolli vazhdon të jetë “i virgjër “ kjo edhe pse pronësia e tokës, ndryshe nga Velipoja, këtu ka dokumentacion të rregullt. Pylli nuk është tjetërsuar dhe shtrihet fare pranë rërës së pasur dhe në gjerësi të konsiderueshme, ndërsa uji i pastër ku në breg duken qartë gjurmët e përmbajtjes së lartë me jod. Këto kanë bërë që kjo perlë të jetë një prespektivë e mirë për plazh në Adriatik.

VELIPOJA+11

Shtator -Tetor 2015