Rrugës për shpërblime

62

Sapo hymë në moshën madhore, preukupohemi të zgjedhim dhe të fitojmë një degë të mirë në fakultet. Vitet kalojnë, një tjetër problem na preokupon, pikërisht një punë e mirë.Ç’do të thotë një degë e mirë? Një punë e mirë? Lek, pasuri… Të gjithë ne po vrapojmë nga mëngjesi deri në mbrëmje, e mbase ka nga ata që punojnë nga mbrëmja deri në agim. Asgjë s’është kundër këtij vrulli apo shpejtësie, sepse këto vite kapitaliste na detyrojnë të punojmë…

mbase më shumë seç duhet. Ky kapitalizëm e detyron foshnjën të dalë rrugëve me nënën e tij, të kërkojë lëmoshën e përbuzur. Ti i ri, duhet të punosh që të fitosh. Duhet të ndiehesh krenar e i dobishëm në familjen tënde. Muslimani nuk duhet të jetë dembel, islami e përjashton prej vetes dembelizmin. Besimtari duhet të jetë punëtor e kursimtar, e jo shpërdorues. Mbase, më saktë, besimtari duhet të qëndrojë mes kursimit dhe shpërdorimit. Allahu nuk i do dorështrënguesit. E si vallë të jesh dorështrëngues me pasurinë që ta dhuron Allahu? Ai na orienton dhe na ndihmon për ta fituar atë. Prandaj kujdes, sepse për çdo pasuri të fituar do të japësh llogari. Mbase gjithsecili nga ne ka mundësi ta fshehë pasurinë e tij, pra nuk e deklaron, por Allahu e di çdo thërrmijë pasurie që ti ke. Në zemrën tonë duhet të jetë Islami, plotësimi i obligimeve. Allahu çdo obligimi i ka dhënë me vete dhe lehtësimin. Ja, për shembull shtylla e pestë e Islamit, Haxhi. Kryerja e haxhit është obligim për çdo besimtar musliman, gjithnjë nëse ka mundësinë ekonomike dhe shëndetësore. Kryerja e këtij riti është një rrugë plot shpërblime. Që në momentin që besimtari punon, kursen dhe niset për Haxh, lapsi për të shkruan vetëm shpërblime.

Haxhi është obligim për çdo musliman që është i pjekur në moshë dhe i mençur (psikikisht i aftë) dhe nuk është obligim për jomuslimanin, as për fëmijët, e as për të rinjtë që ende nuk kanë hyrë në pubertet, siç nuk është obligim as për atë që nuk është i aftë mendërisht.

Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Qëndroni me ngulm në kryerjen e Haxhit dhe Umres, sepse këto dy ibadete flakin varfërinë dhe mëkatet sikur zjarri që ia shkatërron ndryshkun metalit”.

Te Allahu nuk humbet asgjë, çdo sakrificë shpërblehet. Shpërblimet e haxhilierit nuk kanë të mbaruar, Allahu i dhuron fshirje gjynahesh, furnizim dhe shpërblime pa fund.

Në një tjetër hadith Profeti a.s. ka thënë: “Haxhilierët dhe ata që e kryejnë umren, janë mysafirë të Allahut. Ai do t’ua japë atë që kërkojnë, do t’i përgjigjet duasë së tyre dhe do t’ua kompensojë atë që kanë shpenzuar në atë rrugë çdo dinar, mijëra e mijëra e mijëra (shpërblime)”.