Ruaje shëndetin mendor

55

Shkencëtarët e kanë ditur shumë vite më parë se truri dhe qelizat e sistemit nervor, ndryshe nga qelizat e tjera të trupit, nuk rigjenerohen. Numri i tyre nuk rritet me kalimin e kohës e as nuk ulet dhe nëse disa prej tyre vdesin e nuk zëvendësohen. Megjithatë mos u frikësoni nga ky informacion. Neuronet (qelizat nervore) janë të ndryshme plotësisht nga qelizat e tjera të trupit. Ato nuk përkeqësohen nga përdorimi i tepërt, përkundrazi sa më tepër që e ushtron trurin, aq më i mprehtë bëhet. Prej lindjes deri në moshën 2 vjeçare, truri i njeriut zhvillohet dhe gjeneron qeliza të reja, për këtë arsye pediatrët theksojnë rëndësinë e yndyrnave esenciale në dietën e foshnjës, pasi ato janë themel i qelizave nervore.

Pas moshës 2 vjeç truri zhvillohet plotësisht dhe neuronet që i posedoni tani janë ato që do t’i përdorni për pjesën e mbetur të jetës. Sa më tepër të angazhohemi në aktivitet intelektual, sa më shumë të mësojmë e të marrim dituri, aq më i fortë do të jetë stimuli i neuroneve për të ndërtuar më tepër lidhje mes tyre. Dhehebiu ka thënë: “Çdo organ forcohet dhe bëhet aktiv kur ushtrohet rregullisht, njësoj është edhe mendja. Nëse dëshiron ta mprehtësosh memorien tënde dhe të rritësh intelektin, shtoje të mësuarit, memorizoje Kuranin, vazhdo të mendosh dhe të meditosh dhe këmbëngul në përkujtimin e Allahut (dhikër)”.

Mbaje trurin aktiv tërë kohën. Truri yt ka nevojë të ketë sfida të vazhdueshme, pa pyetur për moshën tënde. Ai ka nevojë për ide të reja dhe përvoja të freskëta. Por si mund ta ruajmë ne shëndetin e trurit?

Ka nëntë mënyra për ta ruajtur shëndetin e trurit:

1. Kurrë mos u ndal nga të lexuarit. Sipas Dr. Richard Restak në librin e tij “Older and Wiser”, arsimimi është faktori më i rëndësishëm në arritjen e potencialit më të madh të trurit. Në Kuran Allahu e udhëzoi të Dërguarin a.s.: “…thuaj: ‘Zoti im, shtoma diturinë!’” (Sure Taha, 114). Bëje shprehi të lexosh së paku njëzet minuta çdo ditë. Lexo nga të gjitha fushat, zgjeroje diturinë dhe zbatoje në jetën e përditshme.

2. Kërko sfida mendore. Studimet tregojnë se koha e tepërt e lirë është njëri prej faktorëve që lidhet me dementinë. Truri ka nevojë për sfida të vazhdueshme dhe gjëra të reja që të qëndrojë i shëndetshëm.

3. Bëhu fizikisht aktiv. Një thënie e vjetër thotë: “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë.” Rëndësia e ushtrimeve është e theksuar dhe muslimanët nxiten t’u mësojnë fëmijëve të tyre sporte të ndryshme. “Mësoju fëmijëve tuaj shigjetarinë, notin dhe kalërimin.” Sportet e ndryshme dhe aktivitet e ndyshme fizike si vaprimi, çiklizmi, noti etj. njihen se përmirësojnë  imazhin e kolesterolit dhe ulin shtypjen e gjakut. Kjo çon në një zemër të shëndetshme. Kështu zemra juaj do të pompojë më shumë gjak me efikasitet të madh në të gjitha pjesët e trupit duke përfshirë trurin.

4. Ha ushqime të shëndetshme dhe shmangu nga shprehitë e dëmshme. T’i dërgosh ushqim të mirë trurit, duhet ta ushqesh në mënyrë të vazhdueshme të gjithë trupin. Hapi i parë në planin e të ushqyerit optimal të trurit tonë është të ndjekësh një regjim të shëndetshëm të ngrënies, që është konform piramidës së ushqimeve. Zgjidh ushqim bazik nga grupi i karbohidrateve komplekse. Ha shumë fruta dhe perime të freskëta, zvogëlojë mishin e kuq dhe në vend të tij konsumo peshk dhe fasule si burim tjetër të proteinave, pi qumësht, zvogëlo përdorimin e yndyrnave dhe të ëmbëlsirave. Mbaje mend rregullin hyjnor: “…hani e pini e mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që shpërdorojnë.” (Sure Araf, 31). Këto fjalë të shenjta janë të dobishme për shëndetin e trurit tonë. Nëse hamë një ushqim të balancuar pa kalori shtesë, ne do t’i marrim ushqyesit e nevojshëm dhe do t’i ruajmë funksionet e rinisë dhe vitalitetin e trupave tanë për një kohë më të gjatë.

5. Bëj gjumë të mirë natën. Askush nuk mund ta mohojë se gjumi i pamjaftueshëm e dëmton performacën e trurit tuaj. Gjumi i restauron, i plotëson dhe i rindërton pjesët e trurit dhe të trupit, të cilat mund të jenë lodhur nga një ditë e gjatë. Shkencëtarët besojnë se gjumi i jep qelizave të trurit kohë të përshtatshme për ta rigjeneruar dhe rikthyer energjinë e tyre. Një model i rregullt i gjumit është sidomos për fëmijët dhe adoleshentët, sepse hormonet e rritjes sekretohen gjatë periudhës së gjumit të thellë.

6. Mbaje një gjendje pozitive të mendjes. Nëse e mendojmë veten tonë si të paaftë për gjëra të caktuara, vetëdija jonë e pranon këtë ide dhe ne përfundojmë në një gjendje ku nuk mund të bëjmë diçka vetëm sepse mendojmë se nuk mund ta bëjmë atë. Vetëvlerësimi i lartë, besimi në vetvete, në potencialin tonë dhe në realizimin e qëllimeve tona është esencial në mbajtjen e një truri të shëndetshëm dhe në një gjendje pozitive të mendjes. I Dërguari (a.s.) na ka këshilluar: “Besimtari i fortë është më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, përderisa nga të dy ka dobi”.

7. Ushtroje të menduarit e thellë. Nuk ka vend të veçantë ose kusht të domosdoshëm për të menduar. Ju mund të mendoni gjatë shëtitjes, gatimit, ngrënies, gjatë relaksimit në shtratë etj. Kurani na nxit t’i përdorim të gjitha shqisat për të kuptuar dhe besuar të vërtetën e krijimit tonë dhe krijimit të tokës dhe universit. Në shumë ajete kuranore Allahu i referohet atyre që përdorin mendjet e tyre për të menduar thellë, si njerëz që kuptojnë ose që janë inteligjentë (Sure Sad, 29).

8. Aktiviteti shoqëror. Jeta familjare është e një rëndësie të madhe në Islam dhe synon ndërtimin e një jete familjare të fortë dhe të qëndrueshme. Shkenca na tregon se një mjedis i bukur, përkrahja nga familja dhe miqtë, kënaqja me jetën dhe standartet e forta etike përbëjnë një faktor të rëndësishëm në sigurimin e një performance të shëndetshme të trurit. Studimet tregojnë se një mjedis i lumtur familjar rrit fëmijë të shëndoshë, inteligjent dhe produktiv. Cilësia e kujdesit interaktiv që u jepet fëmijëve në moshë të hershme dhe koha e kaluar në biseda, leximi i tregimeve dhe loja me ta, ka rol kyç në zhvillimin e trurit të tyre. Besohet se efekti është jetëgjatë, që nënkuptin se tri vitet e para të jetës së fëmijës mund të ndikojnë në forcën e trurit të tij për pjesën tjetër të jetës. Kjo natyrisht vë përgjegjësi te nëna dhe thekson rolin e saj të rëndësishëm në rritjen e të rinjve me mendje të shëndetshme.

9. Zvogëloje stresin. Hulumtimet tregojnë se stresi i vazhdueshëm i rrit nivelet e kortisteroideve dhe të adrenalinës në gjak, të cilat kanë efekte negative në lidhjet neurale, duke parandaluar transferimin aktiv të informatave. Gjithashtu stresi rrit edhe prodhimin e radikaleve të lira, të cilat i sulmojnë qelizat e trupit, duke përfshirë edhe neuronet. Kultivoje besimin tënd, shndërroi frustimet në sfida dhe zemërimin në pranim të gjendjes. Mënyra jote e shikimit të problemeve të tua mund t’ju ndihmojë të gjeneroni më tepër energji dhe entuziazëm. Praktikoje relaksimin për të ribalancuar sistemin tënd nervor dhe zvogëloje stresin. Dijetari Ibn Kajjime el Xheuzije ka thënë në librin e tij “Çelësi i derës së lumturisë”: “Aktiviteti i trurit degjenerohet nga nxehtësia përvëluese e zemërimit, epshi ose kujdesi shumë i tepërt, si dhe nga rraskapitja dhe lëvizjet e vrullshme të forcave fizike dhe psikologjike”.

Andaj kujdesuni për shëndetin tuaj e veçanërisht për shëndeti mendor. Përkujto urdhrin e të Dërguarit të Allahut a.s.: “Nuk lejohet dëmi ndaj dikujt e as ndaj teje” (Ibn Maxhe).

Revista “Familja”, Nentor -Dhjetor 2012