Sa larg kemi shkuar?!

121

Nada Dosti

 Nevoja për vëmendje po e tejkalon nevojën për të marrë dashuri.

Kur nuk ishin mediat sociale gjërat ishin krejt ndryshe njerëzit, dhe sidomos çiftet, mezi prisnin të takonin njëri-tjetrin për të dëgjuar dhe për të treguar rreth ditës së tyre.  Asokohe, mesazhet ishin në modë, por dhe telefonatat e gjata në orët e vona.  Kështu mjaftonte një telefonatë, një mesazh, një trokitje në derë, apo një kafe për të ndërvepruar me njëri-tjetrin.  Pra shkurt një iniciativë nga njëra palë.

Në ditët e sotme, gjërat kanë ndryshuar dhe kushedi dhe sa do ndryshojnë për fëmijët tanë.  Sot, për çiftet është shumë herë më e vështirë të mbijetojnë, sepse sot jemi gjithë kohën të lidhur (online), por në të njëjtën kohë jemi të shkëputur nga njeri-tjetri.  Sa shpesh na ndodh të bëjmë telefonata për të dëgjuar zërin e të dashurve tonë? A nuk na ndodh çdo ditë që më lehtë e kemi të përdorim whatsapp-in apo facebook-un për të komunikuar? Dëshironi të ftoni bashkëshortin tuaj për të ngrënë jashtë? Whatsapp! I fejuari ju ka dërguar lule? Me aplikacion! Do zgjidhni mobiliet bashkë? I zgjidhni në Pinterest dhe porosisni gjithashtu online! Mungon ndërveprimi edhe në gjërat që bëjmë bashkë.  Kështu ndjenjat, po zhduken dita ditës nga marrëdhëniet tona.

Rreth e rrotull nesh kemi shembuj të gjyshërve tanë që mbushin vite të tëra martese.  Kjo, sepse ata nuk e kalonin kohën në Instagram për të parë se ç’ka ngrënë filani për darkë e ç’ka ka gatuar filania për drekë.  Nuk rrinin në Facebook gjithë kohën duke kritikuar të tjerët, apo të shkonin me pushime për t’u mburrur me miqtë në Snapchat.

Gjyshërit tanë ishin tepër të zënë duke respektuar njeri-tjetrin, duke u dashur duke biseduar gjatë darkës, apo duke shëtitur dorë për dore dhe nuk i kishin duart e zëna me telefona.  Nuk hutoheshin pas botës virtuale që i rrethonte, por ndiqnin ëndrrat e tyre dhe mundoheshin t’i realizonin së bashku.

Nevoja për vëmendje po e tejkalon nevojën për të marrë dashuri. 

Mediat sociale na kanë ofruar mundësinë që të bëhemi të famshëm.  Tashmë vetëm një selfi po na ndan nga VIP-at.  Mjafton të publikosh një foto dhe mijëra të huaj do të dhurojnë like.  Nga ana tjetër shumë njerëz e kushtëzojnë jetën e tyre më një stil jetese ndryshe nga stili i tyre vetëm për pak vëmendje.  Të tillë u shesin njerëzve imazhe suksesi, vetëm sepse thjeshtë kanë mundësi ta bëjnë.  Like-t dhe komentet e të tjerëve u dhurojnë atyre vetëpëlqim dhe kënaqësi.

Mediat sociale kanë lejuar që mijëra njerëz të hyjnë në jetët tona dhe në përditshmërinë tonë.  Kështu kemi hequr dorë nga privatësia jonë.  Nuk ka më intimitet.  Nëse shkojmë diku duhet ta postojmë direkt në vend, që ta shijojmë momentin.

Nuk ka asgjë të keqe të ndash momente të lumtura me miqtë e ngushtë, nuk po them që duhen mbyllur të gjitha llogaritë duke i bojkotuar mediat sociale plotësisht.  Dua të them që nuk duhet tepruar.  Kur është tepër, është tepër dhe ne duhet të përpiqemi ta kuptojmë se kur jemi duke e tepruar.

Kemi arritur në atë pikë sa kemi ftuar në shtëpitë tona disa të panjohur; i kemi ftuar në takimet tona; i kemi shpalosur gardërobën tonë; i kemi hipur në makinat tona dhe madje disa edhe u kanë treguar kostumet e plazhit.

“Nëse vazhdojmë të kërkojmë vëmendjen e të tjerëve nuk do jemi kurrë të lumtur nga vëmendja të cilën na e dedikon një person i vetëm dhe kështu nuk do të dimë të duam kurrë!”

Revista “Familja”, nentor 2016