Se e keqja duhet kthyer me të mirë!

173

Brunilda Basha

“Mos i rezisto atij që është i lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën” (Mateu 5:39) Ky verset në Bibël më ka shtyrë të hulumtoj mbi urtësine e kësaj fjalie. Jo pak herë kjo thënie përdoret si “shuplakë” ndaj fesë Islame, e cila sipas disave (të cilët kanë pak njohuri mbi të ose qëllimisht mundohen ta nxjerrin sa më të dhunshme) nuk është aq e dhimbshme apo humane sa feja e Krishterë. Islami promovon sy për sy, e dhëmb për dhëmb. Në Islam nuk ka shtypje, por nëqoftëse të godet, godite. Nga ana tjetër dhe ne, muslimanët të gjendur jo rrallë herë përballë padrejtësive apo dhunës të Islamofobëve dëshirojmë tu’a kthejmë në të njëjtën monedhë.  Madje nuk hezitojmë të shprehemi verbalisht se: “Këta lloj njerëzish vetëm me dhunë marrin vesh, s’dinë ndryshe.”  Ky është realiteti. Ndonëse nuk e kemi vendosur kurrë në praktikë në mendjet tona mund ta kemi rrokullisur si ide shumë e shumë herë.

Personalisht (duke ju rikthyer citatit biblik) asnjëherë nuk kam qenë dakort me interpretimin që shumë vetë i jepnin thënies “nëse të gjuajnë në një faqe ktheji tjetrën”, pasi nuk është e llogjikshme të lejosh të keqen të të mposhtë apo të bëhesh palë me të, aq më tepër të lejosh keqtrajtimin; së pari të vetvetes, dhe së dyti të këshillosh tjetrin të pranojë dhunën dhe keqtrajtimin. E pakta që mund të bejmë ndaj së keqes është përpjekja për ta ndalur atë.  Duke mos e njohur Kuranin plotësisht dhe të di të gjitha ajetet e shkruara apo arsyet e shpalljes së tyre, përher kam besuar se ka një përgjigje, por thjesht unë akoma nuk e kisha kuptuar.  Për më tepër, padyshim feja më e paqtë, feja e cila buron nga Zoti dhe vazhdon të jetë origjinale nuk mund të promovojë dhunë, as padrejtësi, por mëshirë, humanizëm, mirësi. Kjo thënie më brente përbrenda gjatë gjithë kohës dhe vazhdimisht i thoja vetes se Kurani , i cili është shërim i cdo plage sociale, ka një zgjidhje dhe për këtë problem.  Kështu një ditë duke lexuar Kuranin shqip hasa në një ajet. Ky verset ishte madhështor. Ishte moral mbi morale, ishte çelësi i pikëpyetjeve të mia përgjatë tërë asaj kohe. Ai verset i dha përgjigje shumë situatave e peripecive të përjetuara nga unë personalisht me njerëz të shumtë të cilët në një farë mënyre apo tjetër ishin munduar të më ulnin. Në atë moment kuptova urtësinë se si ne njerëzit duhet të sillemi dhe ndërveprojmë me njëri tjetrin. Sa gabim që ne, muslimanët, kemi harruar Profetin tonë Muhamed (a.s.) të cilin Zoti e urdhëroi: “Të keqen ktheje me të mirë, e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëher Mik i ngushtë” (Fussilet, 34) Pra, mos hesht, mos e prano gjendjen aktuale, por ktheje me të mirë!

Një ditë teksa ecja në trotuarin e rrugës së Elbasanit në Tiranë, një zotëri më zgjat një fletushkë. Një shitës ambulant në rrugë i thotë: “Ç’ia jep asaj? Këto nuk dinë shkrim e këndim (mendoj se u nis nga veshja ime, me mbulesën Islame)!” U preka shpirtërisht ama nuk reagova veçse më një buzeqeshje të lehtë. Në atë çast i afrohem dhe i them: “Zotëri ju lutem një pako facoleta”. Pagova dhe nuk pranova t’i marr as kusurin. Teksa largohesha zotëria hallexhi më flet akoma duke thënë: “Shumë faleminderit, të ruajt Zoti o goc. Më fal, më fal se bëra shaka!”  As nuk e di qëllimin pse zotëria u mundua të më poshëronte në fillim, por pak rëndësi ka. Ajo që mbeti në fund të asaj ndodhie disa minutëshe ishin fjalët e tij duke më dhënë uratën dhe buzëqeshja ime.  Kjo është bukuria e fesë sonë.

Por, a po e zbatojmë ne këtë urdhër Hyjnor në ditët ku jetojmë? A jemi aq të fortë sa të ruajmë ekuilibrin në këtë kohë kaq të padrejtë, ku sunduesi triumfon mbi të shtypurin, i rremi mbi të vërtetin, fajtori mbi të drejtin? A posedojmë urtësinë të ruajmë të folurin tonë, sjelljen, të ecurin e shumë veprime të përditshme sic dhe Kurani urdhëron? A jemi ne të mëshirshëm me familjen, me miqtë, me të panjohurit, dhe për më tepër me armiqtë? Profeti (a.s.) këshilloi bashkëshorten e Tij Aishen (r.a.) “Ji e mëshirshme” e dhimbshur, pasi butësia na ngren lart, ndërsa ashpërsia na fundos; ne të parëve dhe të tjerët më pas”.

Fatkeqësisht, ne jemi shndërruar në produkt të ambjentit në të cilin jetojmë dhe pa e kuptuar herë jemi ironik, herë shakator, herë tallës e herë agresiv. Ibn Xheuzij (r.a.) do thoshte: “Ku ka mëshirë atje do gjeni Islamin.” Por a ka mëshirë, urtësi në komunikimin tonë, sidomos atë në rrjetët sociale, në atë verbal nëpër komente, apo mbizotëron agresiviteti?  A do të mundte Profeti (a.s.) të bëhej njeriu më i dashur në tokë, të rrëmbente zemrat e miliarda njërëzve nëse do ishtë i ashpër? Përgjigjen e jep vetë Zoti i Gjithëdijshëm: “Sikur të ishe i zymtë dhe zemërgur do të hiqnin dorë prej teje”.

Nuk është kurrë vonë të përmirësojmë vetveten, të studiojmë sa më shumë urdhërat Hyjnor, të bëhemi student të akademisë Profetike dhe Kuranore. Patjetër duhet sa më shpejt të vendosim në jetë këshillën universale: “Të keqen ktheje me të mirë!” Vetëm kështu çdo armik do mund të shndërrohet në mikun tonë.

Revista “Familja”, nentor 2016