Sëmundja e të qenit “shumë të zënë”

84

Nga Nada Dosti
Në sezon provimesh është kategorikisht e ndaluar të ftosh studente për kafe. Akoma pa e çuar fjalën deri në fund, të vjen përgjigjia rrufe: – “S’kam kohë! Kam provim!” Dhe me vete filloj e mendoj: “Ç’lidhje ka koha me provimin?!” Filloj t’i imagjinoj studentët që kanë provime si disa qenie androide që sillen në një rreth vicioz; çohen, ushqehen, lexojnë, pastaj prapë ushqehen, lexojnë, flenë, prapë lexojnë dhe pastaj lexojnë e lexojnë e vetëm lexojnë. Më kujtohet kur kisha plot provime në fakultet, në disa raste më shumë se një në ditë. E kush nuk ka pasur provime?! Por mbaj mend se të gjithë kishim kohë për të studiuar, pushuar, ndarë kohë me shoqërinë dhe çka na shërbente për të qetësuar mendjen nga provimet e shfrytëzonim në maksimum për t’ju rikthyer përsëri studimit. E vërtetë, asokohe mediat sociale nuk kanë qenë kaq të përhapura por shpërqëndrime ka patur plot. Edhe ne kemi patur chat-et tona live në kafenera. Ndonjëherë me orë të tëra. Ndryshimi i vetëm ishte se shpërqëndrimet online nuk ka qenë kaq lehtë të aksesueshme. Për t’u lidhur me rrjetin duhej të shkojë në shtëpi ose në internet-kafe sepse pasi ose nuk e kishe telefonin të konfiguruar për internet ose paketa mujore nuk mjaftonte për voice/video call. Kështu, përcaktonim një kohë të posaçme për t’u relaksuar sipas mënyrës sonë.
Teknologjia ka ecur me hapa aq marramendës, sa koha për të cilën po flas duket larg. Por në fakt por flas për një kohë jo më larg se shtatë apo tetë vjet, por që duken si vite drite larg. Ndërsa sot, e mashtrojmë veten se gjoja jemi multitasking: me demek edhe studiojmë nga pak, edhe punojmë, por edhe mbetemi në kontakt me njerëzit duke qenë të disponueshëm online. Duke bërë multitasking mendojmë se po bëjmë shumë gjëra në të njëjtën kohë, mirëpo nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se orvatemi nga një punë në një tjetër duke mos përmbushur si duhet anjërën. Sa më shumë angazhime i shtojmë vetes, aq më pak cilësor do të jetë rezultati i punës së kryer. Por dhe në qoftë shumë cilësore, afati i përmbushjes do të jetë më i gjatë. Duke na marrë shumë kohë nuk arrijmë dot t’i realizojmë brenda afatit përparësitë dhe detyrimet tona. Kështu, bëhemi të ekspozuar ndaj ‘sëmundjes’ së të qenit shumë të zënë që ndryshe përkthehet: “Nuk kam kohë fare!” Të rrallë janë ata që falë vënies së përparësive, axhendave të mirë programuara e një menaxhimi të dobishëm të kohës arrijnë të kryejnë obligimet e tyre, të mendojnë për veten dhe për të tjerët, përfshi këtu miqtë dhe komunitetin në tërësi.
Na ndodh shpesh të takojmë njerëz, të cilët kur i pyet “si je?” përgjigja e parë që të japin, pa u menduar fare, si në ato kuicet dhe lojrat e shpejtësisë, është: “Jam shumë e zënë! S’kam kohë fare”. Më dhimbset, e mendoj me vete: “qenka infektuar e shkreta!”
Por nga kjo nuk kanë shpëtuar as fëmijët. E kuptoj këtë kur takoj prindër të tjerë dhe dëshiroj të bëhem katalizator miqësie, një lloj suggest friend, mes fëmijëve tanë, në mënyrë që të shoqërohen dhe të kenë mundësi pse jo dhe të praktikojnë një gjuhë të huaj të përbashkët. Pa përfunduar ende propozimin, shoh teksa shpaloset para meje një listë e gjatë e gjërave që ata kanë programuar për fëmijët e tyre: shkollë, kurse… kurse… kurse… E kjo vetëm gjatë javës, pasi në fundjavë ka kurse të tjera.
Nëse dikush ndalet dhe investon pak kohë në mirëqenien e vet duke iu dedikuar diçkaje që i pëlqen, që i bën mirë për shëndetin fizik dhe mendor, ndodh që të të kthehen me atë shprehjen tipike: “Po si ke kohë, xhanëm? – Joo, unë s’kam kohë për kështu gjërash!”
Që kur na qenkan kthyer në “kështu gjërash” kujdesi ngaj vetes, kalimi i kohës më familjen dhe miq, të bërit diçka që vërtetë të mbush, si leximi i një libri, shkrimi i një eseje, vizita e ndonjë vendi të bukur, vullnetarizmi etj? Që kur u kthye bota në një vend ku njerëzit kanë më pak kohë për t’i përkushtuar vetes, familjes, shoqërisë dhe më pak kohë për të “qenë”?
Të gjithë kanë angazhime, kush më shumë e kush më pak. Të të gjithë bëjnë ato përpjekjet e tyre të përditshme. Problemi është se disa kanë guximin të marrin përsipër më shumë përgjegjësi dhe detyra se sa mund të mbajnë, e kur disa prej tyre nuk arrijnë t’i përmbushin, bien në depresion. Në shoqëritë kapitaliste ekziston një shprehje apo trend i kohëve të fundit “study hard/party hard” që nënkupton balancën midis të studiuarit shumë dhe të argëtuarit deri në hallakatje të shfrenuar. Ndërkohë që e mesmja e artë sugjeron punën konstakte të llojit “pak e saktë” dhe të relaksuarit atëherë kur trupi dhe mendja ta kërkon.
Kështu që, kur unë pyes dikë se si është, nuk më intereson të dijë sa detyra ka në litën e gjërave për të bërë, nuk më intereson sa provime ka, sa afate po i afrohen apo sa punë ka për të dorëzuar. Ndoshta mund të më interesojnë në një moment të dytë kur të fillojmë të qajmë hallet, por jo në fjalinë e parë pëshëndetëse. Tani në këtë moment po të pyes se si je ti, për gjendjen tënde? A je e lumtur apo e trishtuar, a të ka mërzitur dikush apo diçka, a po të shkojnë gjërat mirë apo jo, a po lodhesh apo jo? Në arabisht pyetja që bëhet në këto rast është “Kejfe haluki/ Si je (për femrat)?” ose “Kejf-el-Haal/ Si është gjendja?” që pak a shumë e barasvefshmja në shqip mund të jetë: ‘Si i ke hallet/punët me gjendjen tënde shpirtërore, si ndihet zemra jote tani, në këtë çast të përcaktuar ose këto kohët e fundit?” Dhe përgjigja që unë të paktën do të doja të jepja është: “E di zemër, të gjithë jemi të zënë ditët e sotme, gjithashtu dhe unë! Por po të pyesja si ndihesh?” A je ndalur ndonjëherë kohët e fundit ta pyesësh veten për këtë? E nëse jo, ndalu tani që po të jepet mundësia teksa unë të pyes. Para se të përfundojmë të gjithë të stresuar e në depresion. Parandalimi është më mirë se kurimi!

Shkurt 2018