Sfidat e edukimit të fëmijëve në kohët moderne

66

Edukimi i fëmijëve është një proçes i gjatë dhe i vështirë. Por në të njëjtën kohë është  emocionues, i mrekullueshëm që mbart e kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të madh.

Në  këtë  kohë, ku çdo gjë duket në lëvizje dhe ndryshim të pandërprerë, për prindërit del një detyrë  e vështirë. Sfida e re e kohës moderne kërkon në radhë të parë prindër të mirë edukuar, prindër që të dinë t’i përshtaten me lehtësi zhvillimit modern të kohës për të mbajtur “nën” kontroll edukimin e fëmijës.

Sot disa nga prindërit kanë një koncept plotësisht të gabuar dhe të shtrembëruar të edukimit. Shumë prindër e shohin edukimin e fëmijëve, thjesht si sigurim i veshjes së duhur, ushqimit dhe banimit. Por kështu arrihet të  realizohet vetëm një pjesë e misionit të prindërit, kështu ai kurrë nuk mund t’i sigurojë  një  edukim të plotë e të përshtatshëm sipas rregullave morale, fetare e sociale të shoqërisë. Edukimi i fëmijës në vetvete është një universitet dhe akademi, ku fëmija përfton vlerat dhe virtytet më të mira. Gjatë pesë viteve të para të jetës, fëmija mëson mbi 80 % të gjërave më të rëndësishme. Në vitet e mëvonshme, ai plotëson 20 %-shin tjetër.

Profeti a.s ka thënë: “I fisnikëroni fëmijët tuaj dhe u jepni edukatë të mirë.” (Nafiu)

Por që të edukosh fëmijë kërkon kohë, të jesh i pranishëm në familje, mbi të gjitha kërkon qetësi familjare. Nëse fëmijët rriten në ambiente të qeta dhe nga prindër që shfaqin vlera të larta morale e fetare, vetëm atëherë sigurohet mirëqenia morale, shpirtërore e materiale e fëmijës. Është mirë që prindi, të ketë parasysh kohën, vendin, ambientin përreth dhe ndryshimet fizike dhe psikologjike të fëmijëve që edukon.Vetëm në një ambient të shëndoshë moral e fetar, mundet të garantohet edukimi i shëndoshë i fëmijës si një mysliman i vërtetë që respekton rregullat e shoqërisë. Edukimi i mirë i fëmijëve ndikon drejtpërdrejt në formimin e shëndoshë të shoqërisë. Një fëmijë i mirëedukuar, është i suksesshëm në shkollë, i suksesshëm në punë, bën veprave bamirëse etj. Kjo, pasi këto vlera edukative dhe shoqërore i ka mësuar në familje dhe vetëm në këtë mënyrë sillet në jetë duke ngritur lart vlerat e fesë Islame.

Një dobi tjetër shoqërore e edukatës së shëndoshë është, se fëmija mëson të bashkëpunojë me të tjerët. Në vitet e para të fëmijërisë, çdo fëmijë e ka të theksuar egon. Ata kërkojnë që çdo gjë të jetë vetëm e tyre. Edhe diçka që nuk është e tij, por që i pëlqen, ai kërkon ta përvetësojë. Ajo që e frenon këtë dëshirë për të përvetësuar gjithçka, padyshim që është edukata e mirë dhe e shëndoshë. Fëmija duhet të mësohet të jetojë dhe të përshtatet edhe në një shoqëri që jeton larg Islamit. Fëmija duhet të mësohet të jetojë, të luajë edhe të mësojë edhe me fëmijët e tjerë të cilët nuk kanë të njëjtën edukatë fetare por me të cilët ndajnë sheshet e lojërave, shkollat apo klasat në ato shtete ku feja Islame nuk është zyrtare.

Edukata dhe virtytet me të cilat do i edukojmë fëmijët tanë është ajo që ka qenë edhe në kohën e Profetit (a.s), por metoda dhe rrugët duhet të jenë të reja dhe të përshtatshme për mentalitetin e brezit të sotëm. Konceptet e jetës kanë ndryshuar dhe së bashku me teknologjinë ka përparuar edhe mënyra e jetesës, shkalla e inteligjencës, aftësia e fëmijëve për të memorizuar dhe kopjuar jetën përreth. Vetëm një kontroll në distancë konstante dhe të vazhdueshme, vetëm edukimi Islam mund të sigurojnë një edukim të përshtatshëm të fëmijës dhe një jetë të qetë dhe të thjeshtë për familjen.

Objektivi final i edukimit është, që të arrijmë kënaqësinë e Zotit, ta adhurojmë Atë si duhet, të krijojmë kushte për një jetesë brenda ligjeve dhe kufijve të caktuar nga Zoti. Çdo minutë, orë dhe çast që prindi shpenzon në edukimin e fëmijës së tij, konsiderohet si sadaka, madje më e vlefshme dhe e dobishme.

Profeti (a.s) ka thënë: “Kush kujdeset dhe edukon dy ose tre vajza, dy ose tre motra, derisa ato të vdesin ose të vdesë edukuesi i tyre, do të jetë pranë meje si këta dy gishta” (Enes ibn Maliku) dhe ngriti lart gishtin e dytë dhe të tretë”. Profeti (a.s) ka thënë: “Edukimi i fëmijës nga ana e prindit është më e vlefshme se dhënia e sadakasë”.

best-iphone-apps-for-kidsPër sa i përket aspektit moral, edukimi i shëndoshë e formon dhe e edukon fëmijën me modelin më të mirë dhe pozitiv, ku fëmija mund të dallojë mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, mes zemër ngushtësisë dhe zemërgjerësisë, mes frikës dhe trimërisë, mes maturisë dhe rrëmbimit.

Fëmijët tanë janë vetëm një sprovë që të fitojmë një shpërblim të lartë tek Allahu i Plotfuqishëm. Përgjegjësia jonë si prindër është që t’i drejtojmë fëmijët tanë në Islam.

Vetëm nëpërmjet Islamit ata mund të bëhen të drejtë dhe të devotshëm.

Mos harroni se gjëja më e mirë që ne mund t’u japim fëmijëve tanë është njohja e Islamit. Ky është edukimi më i mirë dhe mjeti më i mirë për të siguruar një të ardhme të suksesshme për fëmijët tanë, si në këtë botë edhe në tjetrën.

Ajo që e bën një njeri të mirë dhe të dashur tek Zoti dhe një tjetër të keq dhe të urryer, është edukimi. Ajo që i dallon profetët nga njerëzit e mirë dhe gjithë njerëzit e tjerë, është pikërisht edukimi. Ajo që i dallon pesë profetët e vendosur {Musai, Nuhu, Ibrahimi, Isau dhe Muhamedi (a.s)} nga gjithë profetët e tjerë, është edukimi. Ata u quajtën profetë të vendosur, pasi e kontrollonin veten dhe e frenonin aty ku duhej. Kjo arrihet vetëm me edukim të shëndoshë.

Një mënyrë e mirë është që të kërkojmë dituri islame të bazuar në Kuran dhe Sunet. Ne kemi nevojë që të shpenzojmë kohë, të holla, përpjekje, emocione dhe durim për të mësuar njohuritë autentike të Islamit jo vetëm për suksesin tonë, por edhe për fëmijët tanë.

Maj-qershor, 2014