Sfidat e një teologeje, mes punës dhe familjes – Intervistë me Merjem Lumin

1059

Nga Armida Plumbi

Merjem Lumi është një teologe aktive në qytetin e Durrësit. Pas kryerjes së studimeve për Shkenca Islame në Siri, së bashku më bashkëshortin e saj, Ervin Qylafku, u rikthyen në qytetin bregdetar, ku aktualisht punojnë për të përhapur vlerat me të larta të besimit islam dhe për të kontribuar në edukimin e brezave të rinj të qytetit dhe jo vetëm. Njihuni në këtë intervistë gjerësisht me Merjemin, veprimtarinë dhe sfidat e saj.
Merjem, edhe pse ende shumë e re, ju jeni nënë e katër fëmijëve dhe njëkohësisht shumë aktive në sfera të ndryshme të jetës. Si arrini t’i realizoni të gjitha këto impenjime?

 Sekreti i realizimit të impenjimeve është në tri ¬çështje;
E para: I mbështetem Allahut në çdo punë dhe bëj nijetin që të arrij kënaqësinë e Tij.
E dyta: Programimi i ditës në mënyrë që të shfrytëzoj kohën në mënyrë preçize.
Dhe e treta: Ndiej kënaqësi në çdo punë që bëj dhe kjo nuk më lodh apo konsumon, si në shtëpi po ashtu dhe në projektet e davetit (thirrjes islame).
Pse zgjodhët të studioni për teologji?
Kur pranova Islamin nuk kisha të ngopur duke mësuar më tepër rreth kësaj feje, të njihja më tepër Zotin tim dhe të dërguarin tonë (a.s.).
Këtë ndjesi të bukur nuk doja ta mbaja vetëm për vete, por ta shpërndaja dhe tek të tjerët. Dhe kjo nuk arrihej vetëm se duke u thelluar në shkencat islame, në mënyrë që të transmetoja tek njerëzit Islamin e pastër.

20292289_1248108358649498_282647106_n
Çfarë kujtoni nga koha e studimeve në Damask të Sirisë? A keni nostalgji për vitet që keni kaluar atje?
Siria ka qenë Xheneti i Zotit në Tokë. Një vend plot bereqet dhe me njerëz të mirë. Kam shumë nostalgji për atë vend dhe më pikon zemra për atë që i ka ndodhur. Më kujtohet kur arrita për herë të parë në Damask, shikoja rreth e rrotull dhe i jepja selam çdokujt që kalonte, por më pas u lodha sepse motrat muslimane ishin shumë dhe me pyesnin: a njihemi gjë? Dhe unë që nuk dija asnjë fjalë arabisht në atë kohë. Kujtime të ëmbla.

Sipas jush, çfarë e karakterizon popullin e Sirisë, e veçanërisht gruan siriane, gjë e cila ju ka lënë mbresa?
Popullin sirian e karakterizojnë shumë cilësi të mira, si psh janë bujarë, punëtorë, të zgjuar dhe që e duan shumë të dërguarin Muhamed (a.s.). Gruan siriane e karakterizon kujdesi i saj për veten dhe familjen, por kurrsesi nuk e neglizhojnë marrjen e dijes. Çdo qytet i Sirisë kishte një cilësi që dallonte gratë e atij qyteti, e gratë e Damaskut shquheshin se e mbështetnin burrin në të mira e të liga.
Prej disa kohësh ju keni drejtuar kopshtin “Filizat muslimanë” në qytetin e Durrësit, ku njëkohësisht keni qenë edhe edukatore. Sipas këndvështrimit tuaj, edukimi i brezave është sfidë apo privilegj?
Në kohët e sotme vërehet se edukimi është shndërruar nga privilegji në sfidë. Sepse fëmijët kanë rënë prè e teknologjisë dhe nuk janë më si fëmijët e kohërave të mëparshme. Por asnjëherë nuk humbet shpresa e ndryshimit dhe edukimit të saktë. Edukimi i dobishëm vjen kur prindi dhe mësuesi kanë po të njëjtin qëllim dhe objektiv. Ky objektiv sa vjen dhe vështirësohet. Brezat që vijnë nuk do dinë të përballojnë vështirësitë e jetës pasi prindërit nuk i lënë të kalojnë në vështirësi, ia plotësojnë të gjitha dëshirat dhe nuk i japin asnjë përgjegjësi.

20425005_1248108398649494_1696763927_o
Në optikën tuaj, si e shihni realitetin shqiptar dhe veçanërisht gjendjen e rinisë sot? A janë ata në udhën e duhur?
Rinia e sotme ka energji të paezauruara. Nuk kanë qëllime për jetën e tyre. E shikojnë jetën shumë larg përgjegjësive, si meshkujt dhe femrat. Andaj kur vjen koha e martesës, ndodhin problemet dhe divorcet pasi secila palë ia hedh fajin palës tjetër për mangësitë e përballimit të jetës.
Avancimi i teknologjisë dhe hapja e horizontit nuk i ka bërë dhe aq shumë dobi rinisë së sotme, e cila kalon shumicën e ditës në kafe ose me statuse në rrjete sociale. Tashmë të rinjtë nuk kanë më shembull të mirë prindin apo mësuesin, por kanë vipat e Hollivudit ose aktorët e telenovelave.

Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas sot dhe veçanërisht të gruas muslimane? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?
Sfidat e gruas muslimane në këto kohë mendoj se sa vijnë dhe zbehen. Ajo po kupton që feja nuk ndahet nga jeta e kësaj bote, andaj duhet të punojë për të ndryshuar realitetin e hidhur. Edhe pse imazhi i saj cënohet sa herë që media publikon diçka në lidhje me ekstremizmin apo aktet e terrorizmit. Por them që edhe populli shqiptar po e kupton që muslimanët të cilët shohin çdo ditë në rrugë nuk kanë lidhje me atë çfarë propagandohet në media. Gruaja muslimane në momentin që do të pajiset me dije do të jetë më e fortë se kurrë. Mund të jetë e dobishme në shoqëri ose në shtëpinë e saj duke edukuar brezat e rinj.
Çfarë ju frymëzon më shumë?
Më frymëzon shumë jeta e profetit tonë, Muhamedit (a.s.), se si ai ka qenë një njeri i vetëm dhe ka ndryshuar gjithë njerëzimin, e kanë luftuar dhe përsëri arriti ta përçojë mesazhin e Zotit në mënyrën më të mirë. Mundohem të gjej në jetën e tij çdo gjë që më shtyn të punoj më shumë për fenë time të bukur.
Na tregoni diçka për familjen tuaj. Sa mbështetje keni nga bashkëshorti juaj?
Familja ime është shumë e ndërthurur me misionin tim. Përpara se të edukoj të tjerët mundohem të jenë fëmijët e mi shembull, si në moral po ashtu dhe në fe. Ata gjithashtu më mbështesin duke mi lehtësuar punët. Bashkëshorti është shoku im, ai më shoqëron kudo dhe më mbështet. Më jep forcë dhe kurajo edhe në ditët e mia jo të mira. Nëse gaboj më këshillon dhe kur lodhem më ndihmon. Zoti ja shpërbleftë me të mira!

20424550_1248108345316166_148041434_o
Cili është raporti juaj me dijen në përgjithësi dhe me librin në veçanti?
Dija është ushqimi i shpirtit. Nxënësi i dijes pa dije shuhet. Mundohem të mbaj lidhjet me mësueset dhe mësuesit e fesë, të cilët më kanë mësuar në shkollë dhe gjithmonë më këshillojnë dhe më japin kurajo dhe shtysë për më tej.
Vitet e kërkimit të dijes kanë qenë më të mrekullueshmet për mua. Më ka marrë malli shumë për ato kohë të begatshme.
Cilat janë angazhimet tuaj aktuale, përveç fushës së mësimdhënies?
Përveç mësimeve fetare, aplikoj dhe projekte sociale ku i vihet në ndihmë personave në nevojë. Po ashtu kam themeluar një qendër me nxënëse të qytetit të Durrësit, ku ka për qëllim shfrytëzimin e energjive të të rejave në punë të dobishme, si psh: kujdesi për të moshuarit në azil, vizita në jetimore, projekte në shërbim të komunitetit ku jetojmë etj.
Cilat janë planet e Merjemit në të ardhmen? Ku e shihni veten pas disa vitesh?
Planet e mia për të ardhmen janë të fokusuara tek dija dhe tek shpërndarja e saj nëpërmjet sjelljes, se si të bëhemi shembull në shoqërinë tonë për të përcjellë një Islam të bukur.
Pas disa vitesh e shikoj veten të kem plotësuar shumicën e objektivave të mia për qytetin tim. Të jetë i lulëzuar me shumë aktivitete dhe humanizëm.
Mesazhi juaj për të gjithë besimtarët?
Sikur secili të angazhohet me ngritjen e Islamit dhe jo gjetjes së gabimeve të njëri-tjetrit, do të ishte tani Shqipëria e kthyer në muslimanë praktikantë. Bëhuni shembull në sjellje dhe moral kudo që shkoni! Mbillni mirësi kudo që shkelni, se një ditë do t’ju kthehet përsëri! Bëjeni Profetin (a.s.) krenar Ditën e Gjykimit për arritjet tuaja!

Gusht-shtator 2017

20424870_1248104765316524_1465671839_o

20292424_1248108395316161_1803792151_n

20403466_1248108348649499_1271949367_n