Share-mania në këndvështrimin islam

141

Nga Nada Dosti

Kur Jusufi i tha babait të vet: “O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde”,

Ai i tha: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.  (Kuran 12:4/5)

Në një botë ku të gjithë jemi në linjë në çdo moment dhe në mjete të ndryshme duket se është e pamundur mos rënia pre e një cytje për të ndarë me të tjerët shumëçka. Meqenëse jemi të ndryshëm, më preardhje të ndryshme; vijmë nga background-e të ndryshme si rrjedhojë kemi perceptime të ndryshme dhe po ashtu arsye të ndryshme të asaj çfarë shpërndajmë dhe pse e shpërndajmë.

Disa për të treguar se janë zhvendosur diku; disa në mungesë kohe për t’i njoftuar miqtë një nga një zgjedhin mënyrën më të shkurtër të njoftimit nëpërmjet një ikone. Ashtu dhe në raste gëzimesh familjare si fejesa, martesa, lindje etj. Deri këtu mendoj se nuk ka asgjë të keqe. Problemi qendron kur teprohet në dhënie detajesh, shoqëruar me foto të qarta, me emocione reale dhe ndjesi personale.

Pa hyrë tek çështja e vetëmohimit të privatësisë, keqpërdorimit të informacioneve apo fotove të ndjeshme (si ato të fëmijëve) do doja të ndalesha në disa pika që përbëjnë pasoja të mëdha në momentin kur ne vendosim të ndajmë me të tjerët:

Së pari ekziston një fenomen që quhet syri i keq, fenomen ky i vërtetuar sherjatikisht nga burimet e ndryshme. Më pas ekziston dhe rreziku i të rënit në grackën e mashtrimit gjë e cila në Islam konsiderohet një nga shenjat e dyftyrëshit dhe është e barazvlefshme me gënjeshtrën, ndër veset më të urryera që as nuk duhet t’i përkasë një muslimani.

Kështu, ndodh që dikush të japë një informacion duke nënkuptuar diçka kur në fakt realiteti është ndryshe mirëpo nëpërmjet informcaioneve që ne japim perceptohet ndryshe. Një mikesha ime rastësisht gjendej në një event madhështor me personalitete të ndryshme dhe në atë rast bën foto-share dhe check in. Nga miqtë e saj në rrjetet sociale u nënkuptua se ajo ishte pjesë e eventit dhe kështu filluan ta komplimentojnë e ta urojnë. Në një tjetër rast të ngjashëm, një mikeshë tjetër poston fotografi nga një ndër plazhet më të njohura dhe më luksoze në Turqi. Ndërkohë në privat më tregon se është atje për arsye pune dhe plazhin ka arritur ta shohë vetëm me dylbi.

Nga njëra anë shumë e bëjnë këtë nga frustrimi që ndjejnë për të arritur diçka që nuk mund ta posedojnë, e disa e bëjnë për inerci, duke pare se të gjithë e bëjnë dhe shumë të tjerë e bëjnë që qëllimisht të nxisin smirën tek të tjerët, pa marrë në konsideratë se kështu lëndojnë ata që smirë në zemrat e tyre nuk kanë.

Smira është sëmundje e zemrës dhe si e tillë duhet kuruar dhe jo të nxitet.  Në suren Jusuf, Jakubi (a.s) e këshillon të birin që ëndrrën mos t’ia tregojë vëllezërve sepse ajo ishte një mirësi dhe jo të gjitha mirësitë duhen shfaqur. Parandalimi është më mirë se kurimi: ai e këshillon që në fillim para se smira e vëllezërve të tijë të konkretizohet. Kjo në bazë të kategorisë së njerëzve: ka prej tyre që smirën e mbajnë për brenda dhe mundohen ta luftojnë,ka prej tyre që nuk e shfaqin por vazhdojnë t’ia ushqejnë vetes dhe ka të tillë që e realizojnë atë me veprat e tyre nëpërmjet kurtheve të ndryshme.

Kështu, për analogji me këtë duhet marrë në konsideratë kjo këshillë edhe në ditët e sotme, në kontekstin tonë, duke pasur kujdes se çfarë shpërndajmë në rrjetet sociale.

Megjithatë, jo të gjitha rastet mund të jenë të qortuara: postime për të përhapur nisma dhe fushata sensibilizuese, vepra bamirësie për të nxitur dhe të tjerët duke dhënë shembull të mirë dhe frymëzues janë raste që tregojnë se si shpërndarjet mund të bëhen dhe për kauza të dobishme.

 Revista “Familja”, gusht -shtator 2016