Shëruesi i plagëve sociale

71

Allahu i Lartësuar i ka dhënë njeriut përparësi përkundrejt krijesave të tjera, duke i dhuruar atij arsyen për t’ia bërë të dallueshme të vërtetën nga e kota dhe ai këtë arsye, duhet ta përdori në të mirë të tij, duke ruajtur veten dhe shoqërinë nga e keqja. Feja është mbrojtësi dhe arma e parë të cilën duhet ta përdorim kundër veseve të këqija, vdekjeprurëse dhe rrënuese që janë të përhapura sot në mbarë njerëzimin.

Pijet alkoolike

Nuk ka dyshim se një nga problemet më të mëdha në shoqërinë tonë, që ka shkatërruar virtytet dhe pasurinë, ka përhapur krimin dhe shkatërruar familjet, është dhënia pas pijeve alkolike. Alkooli është shkaktar i shumë sëmundjeve dhe vdekjeve, degjenerues i personalitetit dhe karakterit…

Alkooli bëhet shkak i mosfunksionimit normal të trurit dhe humbjes së arsyes, e cila është një nga mirësitë më të mëdha që Allahu i ka dhuruar njeriut. Në momentin që kjo mirësi largohet nga ai, njeriu bie në humnerën e shthurjes, duke shkaktuar pasoja jo vetëm për njeriun që e konsumon, por edhe për rrethin familjar dhe shoqërinë, pasi njeriu i dehur është rrezikuesi më i madh i lirisë dhe sigurisë të të tjerëve. Kjo është arsyeja që sot alkooli klasifikohet sot në mesin e produkteve më të rrezikshme.

I alkolizuari njihet ndryshe si hajdut i mirëqenies, i lumturisë dhe qetësisë së familjes së tij. Ai është i përfshirë herë pas here në orvatje për vetëvrasje, përdhunime, rrëmbime me dhunë dhe zënka familjare, abuzim me fëmijët dhe divorc. Jo më kot njerëzit e logjikshëm në të gjitha kohërat e kanë quajtur alkoolin “nëna e të këqijave”, madje njerëzit e mençur nuk e kanë konsumuar edhe pse nuk kanë pasur lidhje më fenë. Ndërsa në fenë Islame, Allahu ka ndaluar alkoolin në Librin e Tij. Ai e ka mallkuar atë, ka mallkuar gjithashtu prodhuesin, atë për të cilin prodhohet, atë që e pi, atë që e transporton, atë për të cilin transportohet, shitësin e saj, atë që e blen, atë që e shërben dhe atë që i shërbehet, si dhe atë që përfiton prej të ardhurave të saj. Po ashtu e ndaloi edhe i dërguari i Allahut (a.s.), i cili ka thënë: “Ajo e cila të deh me shumicë edhe pakica e saj është e ndaluar”. Alkooli jo vetëm që e shpërdoron pasurinë, por bëhet shkak edhe i armiqësisë ndërmjet vëllezërve dhe shokëve. Allahu (xh.sh.) thotë: “Vërtetë, djalli me pijen alkolike dhe me bixhozin kërkon të fusë ndërmjet jush armiqësi e urrejtje” (Maide, 91)

Alkoli dhe imoraliteti nxisin zemërimin e Allahut dhe kjo bëhet shkak për çrregulime në tokë. Këtë na e tregon Enes ibn Maliku, i cili e pyeti njëherë Aishen: “O nëna e besimtarëve! Kur ndodhin tërmete në tokë?” Ajo iu përgjigj: “Kur alkooli pihet me shumicë, kur shfaqet imoraliteti dhe përhapen  gjynahet. Atëherë Allahu e urdhëron tokën që të dridhet.”

Droga

Edhe narkomania është një nga dukuritë negative më të mëdha të epokës sonë, e cila së bashku me alkoolin dhe prostitucionin po rëndojnë në këto kohë mbi kurrizin e njerëzve. Sot droga paraqet problem të rendit të parë si për individin, familjen ashtu edhe për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Ajo është një substancë toksike jashtëzakonisht e rrezikshme, që ndryshon gjëndjen e vetëdijes dhe e shkatërron shëndetin e njeriut pa mëshirë, prandaj Islami kërkon që kësaj dukurie shkatërruese t’i thuhet“NDAL!” dhe shoqëria të distancohet nga të gjitha rrugët që te çojnë deri te përdorimi i saj. Drogat janë ato që po shkatërrojnë të rinjtë tanë. Shumë të tjerë i kanë çuar dëm pasuritë duke u bërë shkak për vetëvrasje, apo duke cënuar qetësinë, jetën dhe sigurinë e të tjerëve. Allahu (xh.sh.) thotë: “Mos e çoni vetveten në shkatërrim” (Bekare, 195).

Përveç dëmeve shëndetësore në trupin e një narkomani, droga shkakton dëme të mëdha edhe në aspekte të tjera të jetës së tij. Përdoruesit e këtyre lëndëve janë njerëz me pasoja psikike dhe si rrjedhojë ata i gjejmë edhe në raste vjedhjeje, prostitucioni, kriminaliteti etj.

Feja luan një rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër një sëmundjeje të tillë siç është narkomania. Ajo së pari, vendos barazpeshën midis vlerave shpirtërore dhe atyre materiale, që janë të domosdoshme për realizimin e mirëqënies dhe të lumturisë njerëzore dhe së dyti, për t’i evituar faktorët e brendshëm e të jashtëm që nxisin konsumimin e substancave narkotike. Edhe pse ka dallim ndërmjet drogës dhe alkoolit, ato janë të njëjta në pasoja, sepse e dëmtojnë arsyen njerëzore, e zvogëlojnë shëndetin psikik dhe fizik dhe përkohësisht ose përjetësisht e dëmtojnë mendjen. Profeti Muhamed (a.s.) e ka ndaluar çdo gjë që deh dhe që e humb arsyen.

Imoraliteti

Ajo që i shtohet plagëve të shoqërisë në ditët tona është humbja e turpit, shitja e nderit dhe përhapja e imoralitetit pa kufi. Nga kjo vepër e ulët distancohet vetëm ai që i frikësohet Zotit, dhe i bindet urdhrit të Tij: “Dhe mos iu afroni zinasë (amoralitetit) sepse ajo është vepër  e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe” (Isra, 32) dhe “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët… të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)” (Muminunë, 15). Besimtari duke iu përgjigjur thirrjes së Profetit (a.s.): “O ju djema, ruani nderin dhe kurrë mos bëni imoralitet. Me të vërtetë ai që ruan nderin e tij, meriton Xhenetin” (Hakimi sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit) e ruan nderin e tij, duke synuar shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. “Do të vazhdojë mirësia në umetin tim derisa të mos përhapen fëmijët e jashtëligjshëm, dhe nëse ata përhapen, Allahu do t‘i përfshijë të gjithë në dënim” (Ahmedi).

Homoseksualiteti

Homoseksualiteti në Islam konsiderohet një vepër edhe më e keqe se imoraliteti. Allahu e ka sjell argument për ne popullin e Lutit në disa vende në Kuran. Allahu i ka shkatërruar ata për një vepër të fëlliqur. “A shkoni pas meshkujve të kësaj bote (kryeni marrëdhënie me ta) e gratë e juaja i leni anash, të cilat Zoti juaj i krijoi për ju! Ju jeni një popull që kaloni çdo kufi!” (Shuara, 165-167). Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu ka mallkuar shtatë persona sipër shtatë qiejve dhe njërin prej tyre e ka mallkuar tre herë. Allahu i ka mallkuar homoseksualët, Allahu i ka mallkuar homoseksualët, Allahu i ka mallkuar homoseksualët…” (Hakimi).

Lojërat e fatit dhe bixhozi

Lojërat e fatit dhe bixhozi janë ndër veprat më të dëmshme dhe shumë të rrezikshme të cilat Islami i ndalon rreptësisht. Allahu (xh.sh.) thotë: “O ju qe besuat, s‘ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e fallit janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. ” (Maide, 90). Një muslimani nuk i lejohet që nëpërmjet bixhozit të fitojë dhe të dëfrehet duke harxhuar kohën dhe pasurinë e tij. Në Islam pasuria e muslimanit është e shenjtë dhe ajo duhet të fitohet vetëm në mënyrë të ligjshme. Kurani e cilëson bixhozin si pisllëk djallëzor, i cili krijon vetëm armiqësi dhe urrejtje: “Shejtani nuk dëshiron tjetër, vecse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit dhe bixhozit)?” (Maide, 91).

Gjithashtu edhe llotaria është një prej formave të bixhozit, edhe pse ne e shohim atë të na reklamohet çdo ditë në televizion, si vlerë përfituese për njerëzit, por ajo s’mbart asnjë lloj vlere, veçse rrënim për atë që e përdor. Lojërat e fatit e nxisin njeriun që humbet, të luajë përsëri për të fituar atë ç’ka humbi dhe kështu e pason humbjen me humbje derisa rrënohet krejtësisht. Bixhozçiu i braktis obligimet e tij ndaj familjes dhe të afërmve, bëhet njeri i pavlerë dhe shkon deri në humbjen e moralit dhe pasurisë. “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë njeriu Ditën e Kijametit, derisa të pyetet për katër çështje: për jetën sesi e kaloi, për rininë se si e shfrytëzoi, për pasurinë se nga e fitoi dhe ku e harxhoi, për diturinë sesi punoi me të”.

Kamata

Allahu e ka ndaluar kamatën në të gjitha format e saj, sepse ajo përbën një fitim të ndaluar, pasuri të cilën të pasurit apo kreditorët e marrin nga të varfërit nevojtarë pa të drejtë, pa mundim dhe pa punë. “O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kredia), atëherë binduni se jeni në luftë me Allahun dhe të dërguarin e Tij…” (Bekare, 278-279). E kush është ai njeri që pretendon se mund ta fitojë luftën me Allahun?!

Pa dyshim se përdorimi i kamatës sot po e zhvat njerëzimin, duke bërë që ta përqëndrojë pushtetin në duart e një grupi njerëzish që nuk kanë aspak mëshirë për të tjerët, por që e shikojnë vetëm interesin e vet në kurriz të tyre. “Në prag të Ditës së Kijametit do të përhapet në masë kamata, imoraliteti dhe alkooli” (Taberaniu).

Për ata që thonë se kamata është njësoj si tregtia, Allahu (xh.sh.) thotë: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen në Ditën e Gjykimit si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet..” Allahu e ka lejuar tregtinë dhe ka ndaluar kamatën. “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë” (Bekare, 275, 276-278)

Profeti (a.s.) e ka mallkuar atë që merr kamatën, atë që e jep, dëshmitarët, shkruajtësin, atë që e bën hallall për vete këtë veprim dhe atë që ndalon zekatin. (Buhariu)

Islami e konsideron kamatën të ndaluar sepse pasojat e përdorimit të saj janë rrënuese.

“Ai që e shton bashkëpunimin me kamatë, do të përfundojë në varfëri” (Ibn Maxhe dhe Hakim me sened të saktë). Profeti (a.s.) na ka paralajmëruar se vendi në të cilin përhapet zinaja dhe hahet kamata është i destinuar të shkatërrohet: “Do të shkatërrohen popujt nëse lejojnë katër gjëra: Do t’i ndalohet pika e shiut, nëse peshojnë mangut dhe i hanë hakun njëri-tjetrit. Do të goditen me epidemi nëse përhapet imoraliteti dhe do të kenë luftë me njëri-tjetrin nëse praktikojnë kamatën.”

O Krijuesi ynë, na ruaj nga mëkatet që çojnë në zemërimin Tënd! Na forco në rrugën e Islamit dhe na bëj të denjë në lartësimin e emrit Tënd! Amin!

Janar-Shkurt 2014