Shigjeta e fjalës

203

Nga Marsida Simo, sociologe

Mendoni pak në një moment sikur të gjithë njerëzit të flisnin atë që mendonin pa u frenuar. Besoj do të ishte një kaos i madh, ku nuk do mundej të krijoheshin marrëdhënie të gjata sociale, do të kishte kushedi sa konflikte dhe krime, rruga do të gumëzhinte nga ulërimat dhe ofendimet. Po ashtu motrat dhe vëllezërit do ishin armik prej kohësh. Bashkëshortët do të divorcoheshin pa krijuar ende mirë familje. Të paturit një mik do të ishte e rrallë dhe ndoshta për një kohë të shkurtër. Paragjykuesit do të sulmonin dikë thjesht për racën apo prejardhjes. Mizogjenët do shigjetonin gratë duke thelluar diferencimet gjinore.

Zakonisht janë fëmijët ata që kanë çiltërsi dhe shprehen me gjuhën e thjeshtë dhe të pafiltruar. Të vegjlit nuk janë aq racional sa të ndajnë llojin e komunikinit dhe të dinë çfarë është etike apo jo. Ata i thonë fjalët si t’i vijnë nëpër mend, të çrregullta, si ia ka kapur veshi diku apo nga dikush. Me rritjen, individi pajiset me filtrat e komunikimit, përsos gjuhën dhe rrit arsyen sipas arsimimit dhe intelektit që fiton. Gjithashtu qenia njërëzore, ndërton personalitetin përmes komunikimit duke zbuluar mjedisin që e rrethon. Ai mëson rregullat, përgjegjësitë dhe detyrimet. Një i rritur e kupton që nuk mund të përdori të njëjtën gjuhë me prindin, mikun, arkëtaren e bankës, njeriun e rastësishëm në rrugë etj. Në mendjen e tij krijohen rafte të tëra me informacione dhe perceptime. Në këtë mënyrë fillon të ndajë të mirën nga e keqja.

Në aspektin teorik, këto janë rregullat e komunikimit të cilat mësohen që në vogëli nga prindërit, shkolla apo burime të tjera. Megjithatë jo gjithmonë ndodh kështu dhe jo kushdo edukohet në formën e duhur. Sidomos në shoqëri si e jona e cila ka kaluar faza tranzicioni e ka patur dhe ende e ka të vështirë të ruajë ekuilibrin e komunikimit. Pas disa dekadash në censurë, vitet ’90 sollën iluzionin e lirisë pa kufi. Nëse më parë gjatë regjimit komunist individit i dukej sikur diktatura i kishte pushtuar dhe mendjen, më pas kujtoi se ato mendime mund t’i shprehte kudo dhe kurdo. Nga të qenit të shtypur dhe të izoluar dikur dhe me futjen e burimit të pashtershëm të informacionit, solli çrregullim të komunikimit. Për të rregulluar këtë fenomen dhe për të zbatuar të drejtat e njeriut, ekziston legjislacioni që flet qartë për shkeljen e të drejtave që vjen si nga gjuha verbale dhe jo verbale, por ende duhet kohë të kuptohet qartë koncepti mbi lirinë. Deri diku, kjo mendësi e gabuar e formuar në shoqërinë tonë, bie ndesh edhe me fjalët e urta popullore të cilat të trashëguara brez pas brezi na mësuan se gjuha vret me shumë se plumbi.

Pavarësisht kësaj dhe përafrimit që po kërkojmë të bëjmë me vendet europiane sërish po përjetojmë ngërçe të vazhdueshme. Këtë gjë e shohim duke filluar që në familje ku prindi mendon t’i thotë çfarë të dojë femijës me justifikimin se i ka bërë kokën. E përkëdhel, por dhe e ofendon si t’i vijë për mbarë. Nëse prindi do kuptonte lirinë, por dhe peshën e fjalës, do e përzgjidhte me kujdes se nesër fëmija ia kthen çdo gjë bumerang.

power_of_words__mehdi_amini

Lrinë e të shprehurit të keqkuptuar e shohim edhe në rrugë tek djemtë që hedhin kuturu fjalë banale dhe fyese apo çdo tjetër që i vjen ndërmend për vajzat që ecin në punët e tyre. Këtyre djemve iu duket e drejtë të shprehen si të pëlqejnë, sepse fundja është e drejtë që sipas tyre vjen nga demokracia. Por nëse do të kuptonin çfarë është demokracia, djemtë do kafshonin gjuhën dhe do merreshin me një punë më të mirë.

Lirinë e të shprehurit e ngatërrojnë edhe analistët nëpët media. Bërtasin, çirren dhe ofendojnë tjetrin për të tërhequr vëmendjen dhe ngrenë parrullën e të drejtës së fjalës. Nëse do dinin kuptimin e lirisë do ishin në terren duke bërë studime. Lirinë e fjalës e kanë keqpërdorur edhe shtetarë. Nën rrobat e pushtetit mendojnë se çdo fjalë që thonë është xhevahir për popullin. Nëse do dinin sa e shenjtë është liria, do ishin të shpërndarë secili duke zbatuar detyrimet e tyre.

Qenia njerëzore e ka nisur fjalën që në shpella, e ruajti dhe e dokumentoi deri në ditët e sotme. Ndaj duhet të kuptojmë që me fjalën nuk bëhen dot lojra. Fjala bëhet shigjetë dhe godet edhe më të fortin, lidh dy njerëz por dhe mund t’i ndajë përjetësisht. Fjala kthehet në fjali dhe mund të kthehet në vepër. Madje fjala mund të lidhi duart dhe të lëri edhe të vetmuar. Kot nuk kanë thënë të parët tanë: nuk flet goja para mendjes!

Qershor 2017