Shkolla – pyllnaja e dijes

98

 Nga Fatime Sinani

“O Zoti im, ma shto diturinë” (Ta Ha,114)

Jeta është një dhunti hyjnore por edhe një stuhi e furishme: të përkund me krahë të padukshëm, të fal gaz, hare e trishtim. Për t’u ndier të sigurt nga tallazet e kësaj jete të trazuar, shkolla duhet të jetë vendi ku ne duhet të hedhim spirancën e anijes sonë dhe të ankorohemi në pjesën e parë të jetës sonë, për të mësuar, për t’u forcuar dhe për t’u aftësuar, që më pas me guxim të çajmë në ujërat e thella të oqeaneve të pafund.

Shkolla! Simboli i shkrim-leximit. Vendi i dijes, kulturës dhe përparimit. Ajo i hap dyert dhe i pret me ngrohtësi dhe dashuri në gjirin e saj të gjithë. Nëpërmjet saj bëhet frymëmarrja e shëndoshë e gjithë shoqërisë. Shkolla është pyllishta në të cilën filizi i njomë dhe delikat lëshon gjethet e para të gjelbra dhe me kalimin e viteve forcohet për t’iu bërë ballë me sukses rrebesheve të kohës. Nëpër bankat shkollore kalojnë njëri pas tjetrit të gjithë brezat që marrin në dorë fatet e kombit. Të gjithë nxënësit i ngjasojnë një organizmi gjigant i cili funksionon mirë kur të gjitha qelizat e tij janë të shëndosha. Nxënësit që i ndërpresin dhe nuk i vazhdojnë studimet shkollore, që e privojnë veten nga mësimi i shkrim-leximit, iu ngjasojnë qelizave kanceroze që sëmurin dhe bëjnë të lëngojë e gjithë shoqëria.

Me sytë e mendjes shoh fotografinë e rinisë së bankave shkollore. E shoh të mrekullueshme, plot entuziazëm, elan, jetë dhe gjallëri. Në fotografinë tjetër shoh pamjen e mjegulluar të një pjese tjetër të rinisë: rini pa rini, vjeshtë në pranverë. Zbavitja është i vetmi cak i jetës, e cila shihet si diçka kalimtare, e mërzitshme, koktej i hidhur, shpresë e kotë. Dhe pas çasteve të zbavitjeve, të muzikës shurdhuese, të humbjes së kotë të kohës, vjen boshllëku, heshtja… I riu mbetet i zbrazët, pa vullnet, i thyer, i vetmuar.

Prandaj është detyrë e të gjithë shoqërisë që këta të rinj t’u kthehen bankave shkollore sepse dija është ilaçi magjik i të gjitha sëmundjeve shoqërore. Periudha shkollore është mosha në të cilën njeriu aftësohet që t’iu bëjë ballë sfidave të jetës. Duke hapur dy kapakët e librit njeriu sikur hap dy dyer magjike nëpërmjet të cilave njeriu futet në fshehtësitë e gjithçkaje që e rrethon. Urdhri i parë kuranor ishte: “Lexo!” Libri ta zgjeron dijen, t’i përsos virtytet, të lartëson, të fisnikëron. Si një urë lidhëse midis të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes ai të fut në thellësitë e shekujve, të njeh me zbulimet e mëdha që ka bërë njerëzimi dhe të bën të nxjerrësh mësime të dobishme për të ardhmen. Libri duhet të jetë pjesë e pandarë e jetës. Ai është si një yll i madh i ndritshëm të cilit nuk i shteret kurrë ndriçimi por vazhdon të rrezatojë me dritën e tij gjithmonë. Prej tij nxirren dituri të shumta ashtu siç nxirren margaritarë të çmuar nga thellësitë e deteve.

Gjëja e parë që Zoti krijoi në univers është pena dhe surja e dytë që iu shpall Profetit (a.s.) është surja “Kalem”, e cila përmend penën, mjetin e shkrimit.

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush niset për një rrugë për të nxënë dije, ai konsiderohet në rrugë të Zotit derisa të kthehet”, prandaj dije se çdo ditë që nisesh për në shkollë të hapet dera për në Xhenet dhe konsiderohesh sikur je në rrugë të Zotit.

 Revista Familja, tetor 2016