Shpallen fituesit e edicionit të 9-të të Çmimit AIITC

18

Edicioni i 9-të i Çmimit AIITC, kurorëzoi aktivitetet e tij me ceremoninë e shpalljes së fituesve, e cila u organizua me dt 03.11.2016, në mjediset e Hotel Tirana International. I themeluar në vitin 2007 nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, ky Çmim ka si motiv qendror të stimulojë krijuesit shqiptarë për të sjellë prurje artistike e shkencore të niveleve të larta, me qëllim pasurimin e fondit të artë të kulturës shqiptare. Për këtë arsye, ai ndahet në tre kategori: libri më i mirë, peizazhi më i bukur dhe krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja. Veprat dhe punimet e paraqitura për konkurrim në periudhën kohore prej një viti, vlerësohen nga juritë përkatëse të secilës kategori.

Ceremoninë festive e ndoqën përfaqësuesnga institucionet shtetërore, akademike ekërkimore në vend, përfaqësuestë trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, studiues, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të shumtë. Mes tyre ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, shkrimtari Besnik mustafaj, piktori dhe kritiku i artit Dr. Abaz Hado, Rektori i Universitetit BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana, shkrimtari i letërsisë fantastiko-shkencore në botën arabe, Taleb Omrah etj.

Në përshëndetjen e rastit të mbajtur nga Drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj u theksua se Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) qysh në gjenezën e tij, ka vënë si një nga qëllimet madhore të veprimtarisë së vet, që të japë kontribute cilësore në zhvillimin e kulturës shqiptare, e veçanërisht në lëvrimin e kulturës dhe tëartit islam, me bindjen se në trungun e kulturës sonë kombëtare, përveç atdhetares, heroikes dhe estetikes, është ngjizur e trupëzuar edhe shkenca, kultura e arti religjioz. Në shërbim të këtij qëllimi madhor, AIITC ka zhvilluar ndër vite veprimtari të shumta studimore botuese e promovuese, në mesin e të cilave spikat Çmimi AIITC në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame. Pasi bëri një rezyme të cmimit dhe fituesve ndër vite, ai theksoi se vitet e ardhshme ky cmim do të shtohet edhe me kategori të tjera konkurruese, në mënyrë që të bëhet më gjithëpërfshirës.Më pas fjalën e mori nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Dr. Abaz Hado, i cili theksoi rëndësinë e këtij evenimenti dhe domosdoshmërinë që ka për jetën artistike dhe krijuese të artistëve shqiptarë. Ai falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë konkurs dhe iu uroi suksese në vijimësi.

Mbrëmja vijoi me ndarjen e çmimeve në kategorinë e librit më të mirë të vitit që trajton tema nga kultura dhe shkenca islame. Kryetari i jurisë së librit, prof. dr. Emil Lafe shpalli fitues të Çmimit të parë studiuesin Hasan Bello me monografinë “Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939”. Përveç z. Bello, u vlerësuan me çmime të dyta studiuesit Shaban Sinanaj me librin “Berat, Beratinus, Buhara” dhe Eduart Caka me librin “Dialogu ndërfetar”. Ndërsa studiuesve Xhemal Balla dhe Elez Ismaili iu akordua çmimi i tretë, përkatësisht për monografinë “Vexhi Demiraj” dhe antologjinë poetike “Shllimet e shpirtit”.

Për kategorinë “Peizazhi më i bukur nga penelat e piktorëve shqiptarë”, kryetari i jurisë së artit pamor z. Buron Kaceli shpalli fitues të çmimit të parë piktorin Sefedin Stafa, me pikturën e tij “Pamje nga Xhamia e Madhe e Durrësit”, e cila me peizazhin e saj plot dritë përçon mesazhe paqeje shpirtërore.Në kategorinë e krijimtarisëletrare nga moshat e reja, poeti Alban Bala shpalli fituese të vendit të parë studenten Fjolla Spanca, për vëllimin e saj poetik, me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”.Me çmim të dytë dhe të tretë u vlerësuan përkatësisht nxënësja Sexhda Kura dhe studenti Alban Tufa, për krijimet e tyre në prozë e poezi.

Ceremonia e ndarjes së “Çmimeve AIITC” u finalizua me një koktej, në sfond të të cilit ishin të ekspozuara disa nga pikturat më të vlerësuara të këtij edicioni.

Revista “Familja”, dhjetor 2016