Shqipëria, kjo perlë e Ballkanit

40

Nëse keni planifikuar pushimet tuaja, Shqipëria është një destinacion turistik që nuk duhet humbur. E vogël, por mahnitëse, e bukur, ndryshe.

Ejani të vizitoni Shqipërinë, ku do të gjeni njerëz të dashur dhe një vend me plot bukuri natyrore dhe tradita të pasura.

Edhe pse ndodhemi në zemër të Mesdheut dhe nuk jemi një vend me sipërfaqe të madhe, ne kemi thellësitë vertikale të lashtësisë. Ne nuk kemi larminë e florës e faunës së Safarit të Afrikës, por kemi diversitetin tonë kulturor. Ne nuk kemi mrekullinë natyrore të Niagarës, por kemi sfidën triperandorake të Butrintit. Ne nuk kemi piramidat e faraonëve, por kemi mrekullinë e një mbi një dritareve të Beratit. Ne nuk kemi gjerësinë e Amazonës, por kemi qindra fortesa nga jugperëndimi deri në verilindje, më të bukurat në Europë. Ne nuk kemi papiruset e lashta, por kemi gjuhën indoeuropiane që është një ndër gjuhët më të vjetra në botë. Ne nuk kemi ajër të veçantë, por mikpritjen shqiptare. Ne nuk kemi dete të veçanta, por kuzhinën tonë të shijshme. Ne nuk kemi natyre unike, por kemi njerëz unikë në traditat e bujarisë së tyre të papërsëritshme. Ne nuk prodhojmë Samsung, por kemi artizanatin e drurit, gurit, hekurit, leshit, lirit, mëndafshit, që rrallë e sheh syri në botë. Pra, ne nuk kemi shumë gjëra që ka bota moderne, por kemi mjaft gjëra që botës së madhe moderne mund t’ia ofrojmë në mënyrë unike dhe të papërsëritshme.

Shqipëria! Vendi që ju bën të ndjeheni si në shtëpinë tuaj.

albania-flag

Shqipëria gjendet në Evropën juglindore, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në veri-perëndim kufizohet nga Mali i Zi, në veri-lindje nga Kosova, në lindje nga Maqedonia ndërsa në jug e jug-lindje nga Greqia. Laget nga detet Adriatik dhe Jon. Sipërfaqja e përgjithshme është 28,748 kilometra katrorë ndërsa kryeqyteti i saj është Tirana. Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike, pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtëra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan dhe Azinë e Vogël. Luginat e saj më të gjera janë ato të lumenjve Drin, Shkumbin dhe Vjosë.

Shqipëria ka një klimë mesdhetare që ndryshon sipas rajonit: Zonat bregdetare kanë një klimë me dimër të butë e të lagësht dhe verë të nxehtë e të thatë. Zonat alpine kanë një klimë të ftohtë, me dimër me dëborë dhe verë të butë. Kjo e favorizon vendin tonë pasi shqiptarët gëzojnë një pjesë të madhe të vitit në kohë të mirë, duke zënë vendin e dytë mbas Spanjës, e llogaritur në ditët mesatare vjetore me diell.

Që nga rënia e komunizmit, zhvillimi i ekonomisë shqiptare është ushqyer kryesisht nga industria e shërbimeve dhe e ndërtimit, edhe pse turizmi kohët e fundit ka luajtur një rol në rritje në ekonominë vendase. Shumë njerëz janë kuriozë për të eksploruar një vend, kufijtë e të cilit ishin të mbyllura për shumë vite. Njerëzit në të gjithë botën kanë filluar të mendojnë për Shqipërinë si një destinacion turistik qe ja vlen të vizitohet.

Në Shqipëri, ekziston një bashkëjetesë paqësore midis komuniteteve fetare. Në vitin 1967, adhurimi fetar ishte i ndaluar dhe vendi u bë i vetmi shtet ateist zyrtar në botë. Që nga fundi i komunizmit, shqiptarët kanë qenë të garantuar për lirinë e fesë dhe e kanë ushtruar këtë liri në mënyra të ndryshme.

Peizazhi i Shqipërisë është i spërkatur me një koleksion të pafund objektesh të trashëgimisë sonë historike e kulturore. Nga maja e kalasë së pathyeshme të Rozafës me pamje nga qyteti i Shkodrës, e cila ishte qendra e Mbretërisë Ilire, deri në rrënojat romake dhe greke të Butrintit në jug të Sarandës. Gjeografia e Shqipërisë reflekton trashëgiminë e saj si një udhëkryq i qytetërimit dhe kjo garanton diçka me interes për çdo udhëtar. Nëse jeni për një kohë të kufizuar në Shqipëri, atëherë ju absolutisht duhet të shihni të tre zonat e Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO, Butrintin, Gjirokastrën, dhe Beratin. Këto vende janë shpallur nga Kombet e Bashkuara si vende me një rëndësi të jashtëzakonshme kulturore të të gjithë njerëzimit, dhe ne jemi krenar t’ju ftojmë për t’i eksploruar ato. Ne premtojmë se ju do të ktheheni në shtëpi me një vizion historik që do mbetet gjatë në kujtesën tuaj. Shqipëria ofron gjithashtu një shumëllojshmëri të mahnitshme të mrekullive të kuzhinës në mbarë vendin. Buka e sapopjekur në saç, është simbol i mikëpritjes së shqiptarëve. Asnjë turist i huaj nuk largohet nga Shqipëria pa provuar kuzhinën tonë tradicionale. I shijshëm është qengji i pjekur në hell, mishi i pulës dhe lepuri, të shoqëruara përkatësisht me oriz dhe salcë kosi. Po ashtu gatime të tjera tradicionale shqiptare janë tava e krapit e zonës së Shkodrës dhe tava e kosit gatim i zonës së Elbasanit.

12248093_511750949000143_4245468107816110323_o

Në liqenin e Pogradecit do të gjeni edhe peshkun e koranit, i cili dallohet për veçoritë e tij dhe që nuk gjendet në asnjë liqen tjetër.

Klima mesdhetare e bën atë gjithashtu ideale për rritje frutash dhe perimesh të zakonshme në rajon, duke përfshirë ullinj, rrush, speca, fiq, dhe zarzavate. Shumica e fluturimeve ndërkombëtare arrijnë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, kështu që vizitori duhet të marrë  disa ditë kohë për të parë këtë qytet, zemër dinamike e Shqipërisë dhe atmosferën e saj të gjallë përgjatë ditës dhe natës. Gjatë ditës, do të shihni se qyteti ka marrë një pamje tërheqëse që nga fundi i komunizmit, dhe gjithnjë e më shumë ndërtesat tradicionale gri janë pikturuar me një kaleidoskop të blusë, lejlasë, jeshiles, te verdhës dhe te kuqes, duke fituar kështu pseudonimin “Qyteti i ngjyrave”. Gjithashtu gjatë qëndrimit tuaj në kryeqytet, ndoshta dëshironi të mësoni më shumë për historinë dhe kulturën e vendit duke ndërmarrë një turne në një nga shumë muzetë e qytetit dhe ekspozitat e artit.

Për të apasionuarit e natyrës, Shqipëria ofron mundësi të pakufishme për ta përqafuar atë. Kodrat dhe malet e thyera të vendit ofrojnë aventura unike në hiking, ku shpërblimi më i madh janë pamjet mahnitëse të peisazhit përreth. Në pjesën veriore të vendit përreth ujërave të ëmbla të Liqenit të Shkodrës, mbi 280 lloje të zogjve gëzojnë mbrojtje në një vend të shenjtë kombëtar që tërheq shikuesit e shpendëve nga e gjithë bota. Atraksione të ngjashme me kafshë të egra mund të gjenden rreth zonës së Kunes, Divjakës, Nartës, Lagunës së Karavastasë si edhe brenda Parkut Kombëtar të Butrintit. Gjithashtu mund të gjeni një thesar në pjesën veriore të vendit, duke përfshirë mrekullitë piktoreske te Parkut Kombëtar të Thethit, Liqenin e Komanit, lumin mahnitës të Valbonës. Në Shqipërinë e Jugut, mund të shijoni pamjet nga Llogoraja, liqenet dhe malet e rajoneve të Korçës, Përmetit dhe Pogradecit.

12373368_1673674462917110_3071724995172927745_n

Ne jemi unikë në pjesën e ofrimit të kapaciteteve akomoduese që është tradita në pjesën e Guest House (bujtinë) dhe sigurisht ushqimi që është 100% bio. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe plazhet tona të mrekullueshme, Plazhin e Gjeneralit, Gjirin e Lalzit, Kepin e Rodonit, Velipojën, Jalën, Borshin e shumë plazhe të tjera të virgjëra.

Ejani të eksploroni Shqipërinë. Nga aventurat në natyrë si rafting në ujërat e bardhë të lumenjve Osum dhe Vjosë, tek një numër të pafund kështjellash dhe qytetesh nga çdo epokë historike. Ju sigurojmë se do të dashuroheni me vendin e shqiponjave.

Në këto vlera ne jemi unikë, jemi të papërsëritshëm e, për pasojë, të pakonkurrueshëm dhe autentikë. Pra, në këto fusha bëhemi atraktivë dhe shumë interesantë për çdo vizitor të huaj.

04742da8d4c6b8273b9eaad9b9853726

Diana Syla

Zyra e Këshillimit dhe Turizmit Familjar

Revista “Familja”, janar 2016