Shqipëria shënon një rekord të ri, ja për çfarë bëhet fjalë

199

Shqipëria mund të jetë nja nga vendet me të ardhura më të ulëta për frymë e pagat më të vogla në Europë, por kjo nuk e pengon atë të jetë shteti i dytë në botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë. Rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante.

Një të huaji, që vjen për herë të parë në Shqipëri, një nga gjërat që i bën më shumë përshtyje është numri i lartë i kafeneve, që gjenden në çdo cep, si dhe oraret e zgjatura, që rrinë klientët ulur në një bar. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT , numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar kafe për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë, apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale. Dy produktet klasike të Spanjës, shkruan El Mundo, që luajnë rolin kryesor janë: birra dhe kafeja dhe duket se kjo nuk do të ndryshojë për një farë kohe.
Spanjës i afrohet vetëm Shqipëria, me 473 bar-kafe dhe dhe Qipro. Kjo e fundit dikur mbante rekord, por për shkak të krizës së viteve të fundit, shumë bare janë mbyllur. Ndërsa në Spanjë dhe Qipro ka një nivel shumë të lartë turizmi, të shtrirë gjatë gjithë vitit, që janë ndër konsumatorët kryesorë të bareve, në Shqipëri, në pjesën dërrmuese, klientët janë vendas.

Kjo është renditja e bar-kafeve për 100 mijë banorë në disa shtete :
Spanjë- 587
Shqipëri -473
Qipro -470
Itali -250

Ndër qytetet që kanë numrin më të lartë të bareve për 100 mijë banorë përmendim Rio de Zhaneirom,Madridin, Amsterdamin,Londrën, Parisin dhe Moskën.