Shqipëria, vendi ku ndërthuren bukuritë natyrore me problemet infrastrukturore

123

 Nga Orjola Sula

Të zgjedh apo jo Shqipërinë për pushime? Kjo është dilema që na mundon prej vitesh në ëndrrat dhe dëshirat tona pasi për shumë prej nesh plazhi i Durrësit apo Velipoja janë të vetmet që mund të përballojë buxheti i kufizuar. Të paktë janë ata që kanë fatin të shijojnë bukurinë e Rivierës në jug të vendit. Në rrjetet sociale, emisione televizive apo forume të ndryshme në internet, gjatë sezonit të verës kjo pyetje zë vendin e parë. A thua se shqiptarët janë aq të kamur sa të shijojnë çdo vit pushime luksoze jashtë vendit. Personalisht vijën bregdetare shqiptare nuk do ta ndërroja me asnjë bukuri botërore. Aty i gjen të gjitha; malin, detin, trashëgiminë kulturore, traditën dhe argëtimin. Është gjithcka të duhet për të pushuar. Sigurisht, shumë gjëra çalojnë, por kjo nuk mjafton për të tradhëtuar vendin tonë që gazetat dhe revistat e huaja e konsiderojnë Perlën e Ballkanit. Atëherë më mirë pyetja që duhet bërë nga të gjithë është; Si duhet të ndihmojmë që situata në turizmin shqiptar të ndryshojë?   

Për të qenë të sinqertë ka disa gjëra për të cilat pushteti qëndror dhe ai lokal duhet të punojnë më shumë. Kur them këtë nuk përjashtoj edhe përgjegjësinë e dyfishtë që kemi ne si pushues dhe qytetarë që të ruajmë dhe promovojmë zonat turistike të cilat për fat të mirë i kemi me shumicë.

Do të ndalesha pak në problematikën me të cilën ndeshen turistët dhe banorët e këtyre zonava të cilat cenojnë jo vetëm imazhin, por edhe standardet e shërbimit. Ajo që të bën më shumë përshtypje është se të gjitha punimet për përmirësimin e infrastrukturës apo kanalizimeve në zonat turistike bëhen gjithnjë me nisjen e stinës së verës, çka e dëmton mjaft sezonin turistik. Kjo ka ndikuar edhe në zhgënjimin sidomos të turistëve të huaj të cilët pasi kanë dëgjuar fjalë shumë të mira për Shqipërinë, vijnë këtu për të kaluar pushimet. Por për fat të keq ata përballen me stresin e trafikut të rënduar, pluhurit dhe papastërtisë çka u pret hovin dhe i detyron që vitin tjetër të mos rikthehen më në Shqipëri.

Sipas operatorëve turistikë vetëm 15% e turistëve të huaj kthehen sërish në vendin tonë për pushime, ndërsa pjesa tjetër zgjedh destinacione të tjera. Kjo jo se nuk u pëlqen vendi ynë, por shumë prej tyre mbeten të paksënaqur nga infrastruktura, kushtet dhe cilësia e shërbimit që ende nuk janë në standartet e kërkuara. Eshtë e vërtetë se paketat turistike që ofrojnë agjensitë shqiptare janë me çmime më të arsyeshme sesa vende si Turqia, Greqia, Italia apo Egjipti. Megjithatë cilësia e shërbimit dhe kushtet komode që ofrohen në këto vende nuk mund të krahasohen me shërbimin tepër modest në mbi 80% të hoteleve apo resorteve shqiptare.

Për të patur një sezon turistik të suksesshëm nuk mjafton vetëm që të shtrohen rrugët që çojnë drejt zonave turistike, por duhet punuar shumë edhe në drejtim të cilësisë së shërbimeve. Si për çudi, shërbimi në hotele, lokale e resorte është tepër i kripur duke mos respektuar kështu raportin cilësi/çmim.

Një tjetër problem është edhe derdhja e ujërave të zeza në det, ku me përjashtime të vogla, gjendja është kritike pothuajse në të gjithë zonat turistike dhe ato bregdetare. Raportet e Inspektorateve të Higjienës e të Mjedisit vazhdojnë të tregojnë për ndotje tej normave të lejuara në disa zona plazhesh në Shqipëri.
Kushdo që ka vizituar zonat turistike i kanë rënë në sy edhe papastërtitë përgjatë rrugëve nacionale. Sistemi i pastrimit në territorin e rrugëve nacionale mungon plotësisht e po kështu edhe depozitimi i mbetjeve të cilat mund ti hasësh në shumë zona turistike duke lënë një imazh të shëmtuar në kujtesën e pushuesve.

Kam patur rastin të takoj disa prej turistëve të huaj që kanë kaluar pushimet në vendin tonë. Në bisedë e sipër ata nuk e mohojnë faktin se janë të mahnitur nga bukuritë natyrore që ofron ky vend i vogël për të cilin më parë nuk kishin dëgjuar të flitej. Por sipas tyre ka shumë gjëra që nuk i kanë plotësuar pritshmëritë e tyre. E pasi rendisin disa prej problemeve të lartpërmendura, ndihem si në faj dhe pa fjalë… Nuk kam as guximin tu sugjeroj që të vijnë sërish në Shqipëri me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për mirë.

E kështu, mbetemi sërish aty ku e nisëm…Tek dilema “shekspiriane”: Të zgjedh apo jo Shqipërinë për pushime??? Pavarësisht shifrave që trumbeton Ministria e turizmit, sezoni turistik shqiptar vazhdon të jetë i kufizuar tek shtetasit shqiptarë dhe kosovarë, të orientuar më së shumti nga plazhi, duke lënë pas dore turizmin malor. Një fatkeqësi kjo për vendin tonë që ka shumë për të ofruar për të gjitha ata turistë që kanë shpirtin e aventurës. Që nga sporti rafting në Kanionet e Osumit e deri tek mrekullitë që ofron turizmi malor në zonat e Razmës, Vermoshit apo Thethit.

Ka ardhur koha ti japim fund babëzisë për të zaptuar cdo metër tokë në zonat turistike dhe të   kuptojmë se ato nuk mund të kthehen në kantiere ndërtimi në çdo kohë e sidomos gjatë verës. Cdo investim që bëhet në këto zona, duhet të jetë afatgjatë me qëllim që t’i shërbejë sa më mirë rritjes së numrit të pushuesve. Po kështu i duhet dhënë përparësi trajnimit të personelit në sektorin hoteleri-turizëm duke rritur kështu cilësinë e shërbimit përmes ngritjes profesionale të tyre. Vetëm kështu mund të themi se turizmi shqiptar ka shpresa të arrijë ato standarte që kërkohen për të qenë një ndër destinacjonet turistike më të preferuara për turistët.

 Revista Familja, gusht-shtator 2016