Shqiptarja e Palestinës (II)

57

Nga dita në ditë Suzana merrte mësime në atë shkollë për fenë islame, por numri i nxënësve atje u zvogëlua shumë, aq sa mbetën vetëm 4-5 vajza. Familja e saj i kërkonte që ta hiqte shaminë, po për të kjo ishte një gjë e pamundur. Kurrsesi nuk mendonte të kthehej nga feja. Pas 2-3 vjetësh mësoi shumë gjëra për këtë fe. Ajo e kishte frikë Zotin dhe kjo e detyroi që të mos kthehej nga kjo rrugë që e ka filluar. Mendon se ishte edhe urdhëri i Zotit. Kështu donte Zoti sipas mendimit të saj, që ta lidhte fatin e jetës me një musliman nga Palestina.

Palestina është vend plot dhembje dhe vend i bekuar nga Zoti. Mesxhid al-Aksa e bekon dhe më shumë atë.

Tashmë ajo duhet të largohej nga shtëpia e saj. Ka qenë tepër e vështirë që të largohej nga familja dhe nga vendi i saj, Shqipëria. Bindja e Suzanës ishte se çdo njeri për të arritur qëllimin e tij në jetë duhet të bëjë shumë sakrifica, duhet që të mendojë me mendje dhe jo me zemër. Duhet të bëhet i fortë që stuhia e kohërave mos ta rrokullisë atë në humnerën e saj. Ishte para një udhëkryqi: “Duhet të vendosësh ose të jetosh këtu dhe pa shami, dhe pa fe, ose jetën në një vend tjetër me fenë tënde dhe veshjen tënde”.

Zgjidhja e saj ishte një dhembje e re për familjen. Sërish ishte nënë Qelibarja që nuk e pranonte këtë largim. Edhe sot ajo mban mend lotët e nënës së saj të rrëkeshëm, që i dilnin kur ajo vendosi që të ikte. Këtë largim ajo nënë e quante si vdekjen e vetë fëmijës që ishte ende shumë e re. Dhe vërtet nëna e saj nuk e pa më me sy Suzanën, se ka vdekur para 7 vitesh. Dhe Suzana nuk erdhi as ta varrosë atë e t’i hedhë një grusht dheu mbi varr, sepse nuk kishte dokumenta. Babai i saj u tregua edhe më i matur duke i thënë: “Dëgjo, moj vajzë! Ti je e rritur dhe je e zgjuar, për atë që do të ndodhin në jetën tënde të mëvonëshme”. Edhe sot ajo kujton edhe vështrimet e motrave të saj të dashura që buronin kaq shumë dashuri. Secili vështrim kishte vetëm një kuptim: “Lamtumirë!”. Vëllai i saj i vetëm e shikonte dhe, ndryshe nga të tjerët, mendonte se një largim i tillë për në Palestinë ishte thjesht një lojë.

* * *

Më 1996 u martua me një palestinez. Qëndruan në shtëpi një muaj, sa bënë dhe dokumentat. U larguan për në Jordani (është një qytet në kufi me Palestinën, ku jetojnë dhe shumë palestinezë të emigruar që në 1967). Qëndroi në Jordani 3 muaj te xhaxhai i burrit. Bëri pasaportën e përkohshme që të jetonte atje. Burri iku për në Palestinë që të bënte dokumentat. Erdhi vjehërri që të qëndronte me të aty. Pas shumë vështirësive u bënë dokumentet që të futej në Palestinë, po vetëm si vizitë. Edhe pse ishte e martuar me një palestinez, organet e shtetit izraelit nuk ia nxjerrin dokumentat dhe nuk ia dhanë nënshtetësinë si palestineze. Qëndroi kështu 13 vjet pa nënshtetësi, derisa më 2009 mori pasaportë palestineze. Bashkë me të e morën edhe shumë të tjerë që kanë pasur statusin e saj.

Dhe vjen viti 2006. Një vit provë e forcës shpirtërore. Ajo merr vesh lajmin e vdekjes së nënës së saj, Qelibares. Deri në atë kohë kishte gati 10 vjet që ishte larguar nga Shqipëria. Në këto 10 vjet ajo nuk kishte ardhur asnjëherë në Poliçan, në Shqipëri, për arsye që i dhamë më lart. Por kësaj radhe duhet që të vinte. Ishte nëna e saj. E kishte marrë malli aq shumë për nënën. Dhe ja, sot ajo nuk jeton më. O, sa shumë donte ta shikonte! Tani ishte bërë vetë nënë e po e kuptonte nënën sa dikur ajo. Atëherë ishte vajzë e mund të ishte pak më ndryshe.

“Ah, ah! Kështu ka qenë fati im, – shpërthen ajo nga Hebroni i largët. Kështu Zoti ma ka shkruar jetën time. Unë nuk mund të ndryshoj gjë, por duhet të them: Elhamdulilah! (Falënderimi i takon vetëm Allahut). Për çdo gjë në jetën time duhet të jem e fortë”.

Në atë kohë ajo s’kishte pasaportë që të vinte dhe ta përcillte nënën e saj të dashur në banesën e saj të fundit. Në dorën e saj kishte vetëm që t’i lutej Zotit që ta mëshironte atë, që ta fuste në Xhenet. Qante dhe lutej për të që Zoti ta mëshironte!

Veç saj, ajo është bërë prej kohësh pjesë e dhembjes së popullit palestinez. Në Palestinë kanë qenë dhe janë situata jo të qeta, se është ende nën okupimin e shtetit izraelit. Në vitin 2002 situata u bë edhe më shumë e acaruar. Janë vrarë dhe shumë njerëz. U mbyllën dhe rrugët. Suzana kishte pasur djalin e dytë 2-muajsh shumë të sëmurë. I duhej që ta çonte në spital që të flinte atje. Kështu e kishte gjykuar edhe doktori para një dite. Ditën tjetër u mbyllën të gjitha rrugët dhe nuk lejohej që të shkonte në spital. Ato pak shërbime që mund të bënte si nënë ia bënte në shtëpi. Vetëm Zoti e di se si u shërua ai. Ka vuajtur shumë në atë kohë. Më 2 janar 2005, në orën 2 ose 3 të natës, më shumë se 20 ushtarë izraelitë e rrethuan shtëpinë. Me pushkët e tyre po i binin fortë në derë. Thërrisnin: “Hapeni, hapeni derën!”

U zgjuan të frikësuar. Nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte. Shumë shpejt e kuptuan që ata kishin ardhur për të arrestuar burrin e Suzanës. E morën me vete në kërcënimin e armëve. I kishte fëmijët shumë të vegjël. Djali i madh ishte 5 vjeç. Qante për babain e tij. Burri qëndroi në burg. Pa asnjë akuzë të qartë. Akuza e tij, sipas vetë Suzanës, ishte vetëm se ishte pengesë për qeverinë izraelite. Kështu u thanë atyre: “Ti je rrezik për stabilitetin e Izraelit”. Kaq mjafton të burgoset çdo njeri. Dhe vazhdoi kështu, duke e nxjerrë nga burgu dhe duke e arrestuar përsëri deri më shkurt të 2012-s, kur e liruan përfundimisht. Kështu ka qenë dhe jeta e kësaj shqiptareje të Palestinës, të fëmjëve të saj që u rritën pothuajse pa babain e tyre.

Burgu ka qenë shumë i lodhshëm për burrin e saj, ai është me diabet dhe me infektime në kocka nga i ftohti atje. Suzana vazhdon që të rrëfejë për këtë: “Herën e fundit e dërguan në spital, se ka vuajtur nga stomaku. I është bërë gjakderdhje e brendshme e stomakut. Nuk e di si është kjo sëmundje në shqip. Gjaku i tij u bë 8. Ju dëgjoni dhe sot për të burgosurit palestinezë. Janë  më shumë se 7000 të burgosur. Shumë prej tyre po bëjnë grevë urie. Zoti i ndihmoftë ata!”.

Suzana vazhdon jetën e saj si nënë, si besimtare, si një palestineze e re. Ajo na tregon se në Hebron ka edhe gra të shteteve të tjera (Rusia, Britania, Rumania) që janë martuar me palestinezë. Disa prej tyre kanë veshje muslimaneje e disa jo. Vazhdon që të bëjë ritin e faljes së namazeve në Xhaminë Al-Aksa. Për t’u futur në të duhet të marrësh leje të posaçme nga shteti izraelit. Një gjë e tillë lejohet vetëm në muajin e Ramazanit. Që larg shpreh shumë dëshira si shqiptare. Kërkon që të vijë të takojë babain e saj që nuk e ka parë që prej 17 vitesh, të takojë motrat e vëllain.

O sa dëshirë ka që të vijë në Shqipëri, tek babai i saj i moshuar, tek të afërmit, qoftë edhe tek malet që ishin djepi i parë i fantazisë dhe i dashurisë së saj për Islamin! Prej shumë vitesh nuk e sheh as në televizor Shqipërinë e saj të dashur. Koha moderne i ka dhënë asaj pak mundësi që të komunikojë me postën e eletronike me shoqet e saj, po shumë gjëra kanë ndryshuar në këto vite. Kanë kaluar 17 vjet dhe zjarri i kujtimeve rinore me këto shoqe ka nisur që të shuhet.

Kjo gjë që duket shumë e thjeshtë, është kthyer në një tragjedi të re të vërtetë për të. Një kërkesë që në pamje të parë i takojnë një individi, një familjeje, por që mund të kthehet edhe në një objekt për shoqatat e të drejtave të njeriut e shtypit; pse jo edhe e ambasadës së Izraelit në Tiranë. Ka 10 vjet që i ka mbaruar afati i pasaportës shqiptare, me të cilën ajo u nis. Në Palestinë nuk ka ambasadë shqiptare, e ajo nuk ka se kujt t’i drejtohet për këtë gjë. Ka shkuar në organet izraelite për të marrë një pasaportë izraelite, po edhe atje i thonë se nuk janë të obliguar që të japin pasaportë për shqiptarët që banojnë në Palestinë. Motra e saj ka trokitur në ambasadën e Palestinës në Tiranë, ku i kanë thënë se nuk mund të bëjnë gjë për këtë kërkesë të Suzanës.

I duhet që të shkojë te ambasada shqiptare në Egjipt. Edhe këtë gjë e bëri. Dërgoi dokumentat përkatëse për vete e për tre fëmijët e saj, por akoma nuk i kanë kthyer përgjigje. Ka kaluar shumë kohë e madje as nuk e di se kur mund të vijë një përgjigje e tillë. Pritja po zgjat, po zgjat shumë.

Për këtë thotë me shumë mall e dhimbje: “Po pres! Po pres, po nuk e di sa do zgjasë pritja. Unë kam shumë dëshirë që ta vizitoj atdheun tim, vendin ku kalova fëmijërinë time, ku dhe dielli është tjetër diell dhe hëna është tjetër hënë. Zoti më mundësoftë të shkoj përsëri!”. Fëmijët e saj, djemtë: Thebit, Serjani dhe vajza Xhena (emra muslimanë), ende janë paksa të vegjël për ta kuptuar këtë dhembje të nënës së tyre. Suzana do t’ua tregojë kur të rriten, po nuk e quan një gjë të veçantë. Është shumë e sigurtë se një ditë do t’ua tregojë nga afër se ku është vendlindja e gjyshërve të tyre nga nëna.

Hebroni i është bërë një vendlindje e dytë. Në këtë qytet është edhe xhamia ku ka jetuar profeti Ibrahim. Ka jetuar në këtë qytet me tradita të lashta dhe me histori të madhe për gati 18 vjet, po aq sa ka kaluar edhe në Shqipëri. Brenda kësaj jete ajo duhet të shkojë herë pas here në burg të takojë bashkëshortin e vet. Atje në Hebronin e mbushur me histori, me vreshta me ullinj, por edhe me një dimër të ftohtë (një klimë shumë të afërt me Shqipërinë); shumë gra, miq e pyesin shpesh për konceptin e lumturisë. Na thotë për të: “Njeriu është i lumtur kur gjen atë që kërkon. Unë erdha këtu për fenë islame dhe jam e lumtur për këtë. E di se njeriu në një mijë forma do kalojë vështirësi në jetën e tij, po kjo gjë nuk më intereson”. Shqiptarja e Palestinës vazhdon ende të jetojë ëndrrën më të madhe të tanishme, atë të prekjes së tokës së të parëve të saj. Një dëshirë që ende mbetet një ëndërr e parealizuar dhe e dhimbshme.

MAJ-QERSHOR 2013