Si mund t’i përballojmë kritikat e njerëzve dashakeqës?

121

Teologe Elona Muça

Sot po jetojmë në një shoqëri ku kritikat janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Si mund t’i përballojmë kritikat e njerëzve dashakeqës?

Falënderimet i takojnë Krijuesit të gjithësisë. Paqja dhe begatia e Zotit qofshin mbi Profetin Muhamed (a.s.), familjen dhe shokët e tij e mbi të gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Ne muslimanet duhet të jemi krenare që Zoti i Madhëruar na mundësoj të jemi pjesë e një shoqërie me vlera e virtyte të larta, ashtu siç është shoqëria islame. Pyetja me të cilën i drejtoheni rubrikës “Ndjeshmëri”, është aktuale në shoqërinë ku jetojmë. Ska dyshim që kjo botë përballet çdo ditë me faktin e vlerave të mira por edhe me atyre të këqija.  Kritikat me të cilën përballet sot shoqëria shqiptare janë të shumëllojshme.

Kritika në sferën shoqërore, politike dhe ekonomike. Kritikat shtrihen në dy dimensione, në atë pozitive dhe në atë negative. Nëse do të shtjellojmë faktin se sa % e shoqërisë praktikojnë apo janë pjesë e kritikave pozitive do të thoja se janë shumë pak. Sot po përjetojmë një shoqëri ku kritika negative është bërë pjesë e bisedave tona të përditshme. Dua të sqaroj faktin se përdorimi i tyre në mënyre masive të çon drejt përçarjes së njerëzve dhe destabilizim të shoqërisë. Në edukatën islame kemi për detyrë që këshillat apo kritikat të bëhen në mënyrën më të mirë. Profetit Muhamed (a.s.) ka thënë: “Feja është këshillë. -Thanë: “Për kë o i Dërguari Allahut?” -Tha: “Për librin e Tij,  për të Dërguarin e Tij, për prijësit e tyre dhe për mbarë njerëzimin”.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Ne morëm zotimin e bijve të Israelit (bijtë e Jakubit), mos adhuroni tjetër kënd veç Allahut, të silleni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmeve, jetimëve, të varfërve dhe njerëzve t’u thuani fjalë të mira, falni namazin dhe jepni zekatin…” (Bekare, 83).  Ska dyshim se fjalët e mira dhe këshilla e mirë u përshtaten të gjithëve edhe miqve dhe armiqve dhe japin fryte të këndshme. Përsa u përket miqve këshilla e mirë, e fjalët e mira ndikojnë në forcimin e dashurisë dhe të miqësisë midis tyre. Ato e pengojnë shejtanin që t’i shkatërrojë këto lidhje. Ndërsa, përsa u përket armiqve fjalët e mira e shuajnë armiqësinë e tyre apo më së paku e ndalin zhvillimin e së keqes.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja…” (Fusilet, 34)

Ndërsa çështja se si t’i përballojmë kritikat e njerëzve dashakeqës, le të hedhim një këndvështrim fyerjeve dhe hamendësimeve që njerëzit bëjnë ndaj Krijuesit të gjithësisë, ku Allahu i Madhëruar qëndron larg çdo mangësie. Njerëzit u orvatën që me fjalë të ndyra të prekin pastërtinë e Tij, e Allahu është i pastër e qëndron larg thënieve të tyre. Gjithashtu njerëzit u përpoqën që me fjalë të ndyra të prekin personalitetin e Profetit Muhamed (a.s.). Kur njerëzit patën guximin ta bëjnë një gjë të tillë ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë e ndaj Profetit Muhamed (a.s.), atëherë çfarë mendon se do të flasin e të thonë për mua e ty??

Në jetën tonë shohim gjithçka që mund të bëjnë shpirtligët e ziliqarët. Goditjet e tyre të forta dhe pa pikë mëshire mund të vijnë nga çdo drejtim, sepse ata nuk kanë qëllim tjetër veçse mposhtjen dhe shkatërrimin tënd. Një besimtar i devotshëm qëndron para këtyre situatave me durim e vendosmëri. Ata janë gjithmonë të zemëruar me ty dhe rrinë të gatshëm të të vërsulen, pavarsisht se shkaku që i nxit ata për këtë gjë është morali, pasuria apo dituria. Ata do të vazhdojnë të të luftojnë deri sa t’i lëshosh nga dora begatitë e Krijuesit tënd, të zhvishesh nga vetitë e vyera e të biesh në zeron e pavlerë.

Ndaj mos ua vër veshin fjalëve që trillojnë e mos u lodh me poshtërsinë e tyre! Bëhu i fortë si shkëmbi që nuk lëviz, që sado të mëdha të jenë kokërrat e breshërit, ato pikojnë e bëhen copë-copë para shkëmbit, ndërkohë që atë nuk e gjen asgjë prej goditjeve të tyre. Ne nuk mund të ua mbyllim gojët e as të ua ndryshojmë trurin, por kemi mundëshinë t’i groposim të këqijat e tyre e t’i lëmë mënjanë. Allahu i Madhëruar në një ajet kuranor thotë për njerëzit që janë dashakeqës: “Thuaj: vdisni me atë mllefin tuaj…” (Ali Imran, 119).

Nëse do të qëndrojmë të vendosur në virtytet e fesë islame, dashakeqësit do të vdesin nga mllefi i tyre. Ata do t’i shoqërojë ndëshkimi i kësaj vepre të shëmtuar gjatë gjithë jetës, si dhe gjatë dorëzimit të shpirtit e pas saj në çdo etapë.

Nëse dëshiron të jesh i pranuar nga të gjithë, i dashur për çdokënd, i pastër nga mangësitë para syve të botës, po kërkon të pamundurën dhe dëshira jote është vetëm një dëshirë utopike.

Lus Allahun e Madhëruar të na japë durim e të na i pranojë veprat e mira!

Revista “Familja”, dhjetor