Si ndihmon prindërimi pozitiv në zhvillimin e trurit

127

Nga Elona Ceco

Prindërimi pozitiv ndihmon zhvillimin e trurit të fëmijës. Ai ka të bëjë me mësimin e aftësive sociale më shumë sesa testimin e tyre dhe inkurajon një përshkallëzim të sjelljes dhe të të mësuarit në përputhje me nivelin e zhvillimit të fëmijës.

Studimet shkencore tregojnë se teknikat e udhëzimit pozitiv janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mirë konjitiv, social, emocional, komunikativ dhe atë të sjelljes. Ky lloj prindërimi krijon një ambjent ku truri zhvillon aftësinë për të nxënë. Truri i fëmijës është më i përgatitur të mësojë aftësi nëpërmjet udhëzimeve pozitive sesa nëpërmjet ndëshkimeve të rrepta apo ndërveprimeve negative. Imazhe të rezonancës së trurit na kanë treguar se kur një fëmijë është vazhdimisht nën stres, truri përshtatet duke krijuar një filter, i cili bllokon hyrjen e informacioneve të reja. Nga ana tjetër, studimet kanë treguar se prindërimi pozitiv ul nivelet e kortizolit (hormoni i stresit) në rrethana stresuese dhe rrit aftësinë e trurit për të menaxhuar hormonin e stresit.

Një studim tjetër ka arritur të tregojë se truri pëson realisht ndryshime fizike në varësi të llojit të prindërimit që merr fëmija. Fëmijët që ishin edukuar nga prindër të cilët kishin praktikuar teknika të udhëzimeve positive, paraqisnin zhvillime më të mira në amigdalë (pjesë e trurit përgjegjëse për perceptimin dhe menaxhimin e emocioneve) dhe në korteksin orbitofrontal (pjesë e trurit përgjegjëse për gjykimin, vendimmarrjen dhe vetëkontrollin). Këto dy struktura të trurit drejtojnë sjelljen e individit, ndaj prindërimi pozitiv ndikon ekzaktësisht në zhvillimin e mirë të tyre duke sjellë si pasojë një sjellje të mirë tek fëmijët. Në këtë lloj prindërimi nuk ndodh thjesht menaxhim sjelljeje i kontrolluar nga jashtë, por rritje e kapacitetit të fëmijës për të menaxhuar vetë sjelljen e tij.

 

4109dd37f0358c6105d257e3a40cb7f0

Prindërit kërkojnë që bebet të kenë vetëkontroll !!!

Të synosh që fëmija të arrijë diçka që është jashtë mundësive të tij është shumë frustruese dhe stresuese për prindin dhe për fëmijën. Një studim që përfshiu fëmijët 0-3 vjeç dhe prindërit e tyre tregoi se prindërit e fëmijëve nën 5 vjeç i mbivlerësonin aftësitë e foshnjëve:

  • 56% e prindërve besonin se fëmija nën 3 vjeç mund të kontrollonte impulsin për të bërë diçka të ndaluar
  • Mbi 36% e prindërve besonin se edhe fëmijët nën 2 vjeç mund ta bënin këtë ndërkohë që studimet tregojnë se kjo aftësi fitohet rreth moshës 4 vjeçare dhe duhet të kalojnë dhe disa vite të tjera që kjo aftësi të përdoret vazhdimisht.
  • 24% e prindërve besonin se fëmijët nën 1 vjeç mund të ishin të aftë të kontrollonin emocionet e tyre, përfshirë këtu dhe frustrimin e tantrumet.
  • 42% e prindërve besonin se fëmijët mund ta zhvillonin këtë aftësi deri në moshën 2 vjeçare, ndërkohë që studimet tregojnë se kjo mënyrë vetëkontrolli fillon të zhvillohet po ashtu rreth moshës 4 vjeçare. (disa nga ne të rriturit jemi akoma duke punuar me zhvillimin e kësaj aftësie)

Pjesa e trurit përgjegjëse për kontrollin e emocioneve dhe impulsive nuk është zhvilluar plotësisht tek fëmijët nën moshën 3 vjeçare. Kjo është arsyeja që fëmijët e këtyre moshave kanë më shumë sjellje të menjëhershme, pa zbatuar rregullat e mirësjelljes.

Jeta me fëmijën tuaj do të jetë më e këndshme dhe më pak stresuese nëse pritshmëritë tuaja janë në një vijë me aftësitë e fëmijës; kur e shihni se fëmija juaj sillet në përputhje me moshën që ka dhe ka nevojë ta ndihmoni për të menaxhuar impulset e tij. Disa ide se si të ushqeni vetëkontrollin tek fëmijët tuaj vijojnë:

  1. Pranoni se nuk është e lehtë të jesh foshnjë
  2. Luani me fëmiëjn lojëra që zhvillojnë kontrollin e impulsive
  3. Luani me fëmiëjn lojëra simbolike ku mund të praktikoni vetëkontrollin
  4. Vendosni kufijtë e duhur me pasoja natyrale dhe të përshtatshme për moshën
  5. Menaxhoni emocionet tuaja fillimisht.

Revista “Familja”, dhjetor 2016