Si ndikon televizioni te fëmijët

64

Televizioni është një mjet ku fëmija përshtatet në mënyrën më të mirë gjatë një kohe të caktuar, e cila pak nga pak merr kohë edhe nga aktivitetet e tjera, që mund të jenë mjaft të nevojshme për një fëmijë. Televizioni, pa mëdyshje, ushtron ndikim pozitiv dhe negativ në fëmijët e vegjël. Televizioni është një nga mediat që ka më shumë ndikim në jetën e njerëzve. Ai ndiqet mesatarisht rreth 20 orë në javë. Veçanërisht fëmijët bashkëkohorë janë nga ndjekësit më të rregullt të tij.

Në shumë shoqëri të zhvilluara, koha të cilën e kalojnë fëmijët para ekraneve është më e madhe se koha që kalojnë në shkollë. Ndikimi i televizionit te fëmijët varet nga shumë faktorë, siç janë numri i orëve të kaluara para ekranit të vogël, mosha e tyre, personaliteti i tyre, fakti i të shikuarit televizor vetëm apo me të rritur dhe më në fund diskutimet që ata bëjnë ose jo me prindërit e tyre mbi përmbajtjen e asaj që kanë parë. Në familjet e sotme prindërit dëshirojnë që plotësojnë çdo dëshirë të fëmijëve të tyre, dhe kështu i lënë ata për një kohë të gjatë përpara televizionit. Fëmijët janë qenie të tilla, që në qoftë se shikojnë diçka duan ta posedojnë atë. Por, siç ka thënë dhe Sami Frashëri: “Fëmijës i duhet dhënë ajo që i duhet, jo ajo që kërkon”. Në fakt prindërit në përgjithësi po bëjnë të kundërtën, duke menduar se në qoftë se nuk ia plotësojnë fëmijës çdo tekë që ata kanë, ata do të ndieheshin të privuar. Ata harrojnë se duke i plotësuar çdo kërkesë fëmijës së tyre mund të ndikojnë negativisht në formimin e tyre. Edukimi i fëmijëve nuk është plotësimi i çdo teke, një edukim i mirë konsiston në mjaft mënyra të tjera dhe njëra nga këto është mbajtja e fëmijës larg pasivitetit. Një vend të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës zë edhe programacioni televiziv.

kid-watching-tvAna pozitive e televizionit është që mund të jetë argëtues, edukativ dhe mund të hapë dritare të reja informimi për fëmijët duke u mundësuar atyre për të udhëtuar edhe atje ku nuk mund të jenë për momentin, të mësojë leximin dhe shkrimin, gjuhë të tjera, dukuritë e natyrës, kulturat e popujve të ndryshëm, të përcjellin emisione të ndryshme edukative, të mësojnëgjëra për të cilat ato nuk kanë qenë pjesmarrës dhe nuk i kanë parë apo dëgjuar më parë. Me shumë rëndësi dhe domosdoshmëri është që të përzgjidhen programet që i përgjigjen moshës së fëmijës. Programet në televizion duhet të jenë në përshtatshmëri me moshën e fëmijës. Emisionet që shikohen nga fëmijët në television duhet të jenë të sugjeruara nga prindërit, duke e kontrolluar dhe duke e ditur më parë vetë prindërit rreth programit dhe në momentet kur fëmija është duke parë televizion, mundësisht programet që shikohen nga ata, duhet të jetë edhe vetë prindëri prezent, duke u shpjeguar fëmijëve atë çka po shikojnë. Në rast të kundërt, çdo neglizhim apo shmangie nga ky proçes mund të ketë më shumë efekte të dëmshme sesa pozitive. Në këtë mënyrë fëmijët mund të mësojnë gjëra të dobishme, si edhe të padobishme, të cilat ndikojnë në formimin e tyre.

Nuk ka dyshim se televizioni mund të jetë një mësues i shkëlqyer dhe argëtues. Efekti parësor i tij qëndron në faktin se ndikon në sferën e perceptimit vizual dhe dëgjimor. Pamja vizuale ushtron ndikim të lartë tërheqës për fëmijët dhe të gjitha moshat.

Fëmijët e shikojnë televizionin me dëshirën dhe me kureshtjen më të lartë. Por, a janë të gjithë emisionet me përmbajtje pozitive për fëmijët? Medoemos edhe televizioni ka anët e tij negative. Në ditët e sotme po diskutohen shumë rreth problemeve që shkakton televizioni kur ndiqet në mënyrë të pakontorlluar. Televizioni tek fëmijët shfaq probleme, si fizike ashtu edhe emocionale. Një nga problemet fizike që shkakton ndjekja e televizionit për një kohë të gjatë është dëmtimi i syve, problem me të cilin janë afirmuar të gjitha klasat e shoqërisë. Qëndrimi i gjatë para ekranit shkakton varësi të fëmijëve ndaj televizionit. Televizioni bën që ata të mos jenë aktiv nëpër aktivitete fizike dhe mos të kërkojnë aktivitete të reja, në të cilat ata do të ishin më aktiv dhe në lëvizje. Kështu ata konsumojnë ushqim, por nuk bëjnë lëvizje, në mënyrë që të shpenzojnë kaloritë e tepërta, gjë e cila nuk do të shkaktonte problemin e mbipeshës te fëmijët.

boytvNjë fëmijë që mësohet të rrijë gjatë para ekranit të televizionit kthehet në një fëmijë joaktiv, i cili mbërthehet në vendin ku është ulur, nuk lëviz, nuk i krijohet mundësia të dalë dhe të bëhet i shoqërueshëm. Në brendësi të këtyre fëmijëve ecën ideja e një jete të mbyllur, e cila nuk të mundëson të shprehësh interesim apo vëmendje për gjëra të tjera dhe nuk të nxit aftësitë krijuese. Përgjegjësia më e madhe për këtë gjë që i ndodh fëmijës bie mbi prindërit, për të vetmen arsye se fëmija kërkon një përqëndrim dhe mbështetje të veçantë gjatë gjithë kohës që mos të krijojë varësi ndaj televizionit. Por prindërit, në mungesë të kohës që t’u përkushtohen fëmijëve si mjet qetësues dhe për t’i bërë të lumtur, zgjedhin si “dado elektronike” televizionin.

Shikimi i televizionit nga fëmijët, pa bërë përzgjedhje të emisioneve dhe kanaleve nga prindërit, krijon mundësinë që fëmijët të shohin skena të dhunshme, të cilat rritin mundësinë për sjellje agresive të fëmijëve, për arsye se fëmija mendon se ajo që transmetohet në televizion mund të ndodhë edhe në realitet dhe mund të jetë dicka e vërtetë. Kjo padyshim që ndikon te fëmijët. Kur ata shohin vazhdimisht dhunë në televizion, fillojnë të mendojnë që ajo është diçka normale dhe e pranueshme nga shoqëria, ndërkohë që shoqëria përpiqet që ta ndalojë atë. Fëmijët përvetësojnë atë çka shohin, duke mos ditur të bëjnë dallimin ndërmjet asaj që duhet të përvetësojnë dhe asaj që nuk duhet.Këtu duhet të kemi kujdes të shtuar, sepse ndikimi negative i televizionit mund të jetë i pashmangshëm kur dihet se fëmijët nuk kanë kapacitetin mendor që ta dallojnë realitetin nga fantazia. Nëpër televizione kemi edhe reklama me paraqitje të skenave, në të cilën aktorët konsumojnë alkool, duhan, drogë të ndryshme, si edhe sjellje të tjera të pahijshme që fëmija e merr atë që transmetohet si diçka të mirëqenë dhe që ai duhet ta imitojë atë. Një tjetër problem i mëdha që vihet re te fëmijët është se shkaktohen probleme emocionale për shkak të përmbajtjeve imorale, të cilat nxisin dëshira jo të hijshme te fëmijët. Skenat me përmbajtje erotike dhe intime të ndjekura nga fëmijët nën moshën 12 vjeç ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dëshirën për të pasur marrëdhënie të tilla shumë më shpejt sesa ata që qëndrojnë larg këtyre programeve.

Fëmijët po ndeshen me një presioni që kultivon tek ata antivlera. Fëmijët janë gjatë gjithë kohës nën ndikimin e filmave me dhunë, krim, mashtrim, vjedhje, degradim moral. Në moshën më delikate të formimit e kanë të vështirë, qoftë edhe nën monitorimin e prindërve dhe mësuesve, të gjejnë emisione edukative, formuese. Madje në këtë rrugë duket se përballë fuqisë së medias, ka rënë forca e shkollës, roli i mësuesit dhe puna edukative e familjes. Në këtë kontekst duhet njohur ndikimi i medias mbi fëmijët, si dhe kërkesë për një proçes selektimi të materialeve që fëmijët kanë mundësi të ndjekin përmes televizionit.

Si përfundim, mendoj se fëmijët janë duke u “bombarduar” me ide, mendime, filma e shkrime që në vend që t’i edukojnë fëmijët me ndjenja pozitive sociale, të humanizmit, solidaritetit, sedrës së shëndoshë, vetëpërmbajtjes seksuale, respektimit tëmoshuarve, respektimin e femrës, dhënies pas objektivave dhe synimeve të shëndosha për jetën, bëjnë të kundërtën.