Si po varfërohet gjuha shqipe nga gazetat e përditshme?

152

Dr. Jolanda Lila

Botëkuptimi i ri shoqëror kërkon edhe një gjedhe të re në mënyrën e pasqyrimeve mediatike. Duhet pranuar se, gjatë dy dekadave të fundit, modeli i paraqitjes së shtypit të shkruar ka fituar disa cilësi, kryesisht në pikëpamje të zgjerimit tematik dhe në anën teknike e fizike (dizajni, fotot me ngjyra, faqosja moderne etj.) por nga ana tjetër, ka shpërfaqur edhe një sërë problematikash që lidhen me aspekte, të tilla si: mungesa e etikës dhe e profesionalizmit, e mbi të gjitha trajtat e varfra gjuhësore. Këtë tipar problemor të gazetave në Shqipëri, pra varfërinë gjuhësore, do ta shqyrtojmë përmes dy rrafsheve kryesore: Në anën kompozicionale e shkrimore dhe në aspektin e mjeteve gjuhësore tekstuale, në planin leksikor e sintaksor.
Realiteti historiko-shoqëror është i pasur dhe i shumëllojshëm me fakte, ndodhi, dukuri e tipa shoqërorë dhe kjo nënkupton burimin e larmisë tipologjike të shkrimeve. Por në të vërtetë, nëse i hedhim një vështrim gjuhës së gazetave shqiptare vihet re tkurrja e ndjeshme e mjeteve shprehëse të zhanreve të publicistikës, si: përshkrimi, portreti, fejtoni, reportazhi, të cilat janë “kompensuar” me shkrimet informative dhe analitike, si: artikulli, lajmi, kronika, komenti e informacioni. Ky orientim dhe reduktim njëherësh i mjeteve formale ka zbehur larushinë e gjuhës shqipe dhe ka sjellë një sërë tiparesh negative në ligjërimin gazetaresk, si: varfëria leksikore, sintagmat e shprehjet gjuhësore joprodhimtare, njëtrajtësia ligjërimore, shtampat gjuhësore, ku të gjitha këto tipare kanë si emërues të përbashkët prirjen gjuhësore drejt frazave stereotipe, me shumë fjalë e me pak mendime.
Varfërimi i zhanreve stilistikore lidhet me një varg arsyesh, të cilat e kanë zanafillën që në bankat e shkollës, ku prej gati shtatë vjetësh është hequr si lëndë “Mjeshtëria e formave të pasqyrimit publicistik” për studentët e gazetarisë, të cilët mund të formësohen me bazat e zhanreve të të shkruarit. Ky është një ndër problemet, por jo i vetmi, sepse ekzistojnë një sërë arsyesh, përmendja e të cilave mund të na çfokusojë nga objekti i këtij shkrimi, por vlen të nënvizojmë faktin se arsye kryesore mbetet mosnjohja e mjeteve gjuhësore të shqipes dhe mungesa e qasjes së përthelluar ndaj fenomeneve të realitetit.
Mjetet kompozicionale shpesh nuk i përgjigjen natyrës së objektit të pasqyrimit, përderisa format letraro-publicistike mungojnë thuajse tërësisht në gazetat e përditshme. Kjo situatë bën që realiteti historiko-shoqëror të mos pasqyrohet në formë krijuese e me larmi mjetesh stilistikore dhe për pasojë, ndikimi mbi ndjenjat dhe vetëdijen e lexuesve është i dobët. Përftesat dhe mënyrat shabllone të organizimit gjuhësor e ngushtojnë spektrin ndikues dhe efektshmërinë ndaj lexuesve. Kjo tkurrje e zhanreve të të shkruarit në gazetë, përveçse shterpëzon mjetet gjuhësore të shqipes, rrënon edhe një nga funksionet me të rëndësishme të ligjërimit gazetaresk, pikërisht funksionin ndikues.
Efektshmëria e funksionit ndikues të gjuhës së gazetave ka rënë ndjeshëm edhe për shkak të standardizimit të tepruar të shprehjes, ku mospërdorimi i ngjyresave dhe i mjeteve stilistikore e shpie këtë ligjërim drejt njëtrajtshmërisë. Mungesa e heterogjenitetit ligjërimor e stilistikor ka prodhuar stilin asnjanës, ku në emër të “objektivitetit”, apo të prakticitetit, çdo ndodhi pasqyrohet me gjuhën e lajmit. Kjo situatë ka krijuar një farë stereotipi me ngjyresë negative për të ashtuquajturën “gjuhë gazete”. E një ngjyresë e tillë është krijuar, në radhë të parë, për shkak të mjeteve e dukurive që e kanë përfshirë gjuhën e gazetave, ku ndër të tjera, vlen të veçojmë:

newspaper-1075795_960_720
Varfërinë leksikore, që reflektohet jo vetëm në mospërdorimin e rrafshit sinonimik apo perifrazimeve, por edhe në vetë fjalët e përzgjedhura, të cilat në shumë raste nuk i përkasin fare fondit gjuhësor të shqipes. Leksiku i gjuhës së lajmit në gazeta kufizohet tek një fond minimal fjalësh e shprehjesh, të cilat kanë largësi me shtresën e ligjërimit bisedor. Duke qenë se gazeta u drejtohet niveleve të ndryshme kulturore të shoqërisë, gjuha e gjallë e popullit duhet të jetë burimi i parë dhe themelor për ndërtimin e ligjërimit gazetaresk.
Herbert Spenseri në esenë e tij të njohur “Filozofia e stilit” , duke trajtuar përbërësit gjuhësorë e ka reduktuar çështjen e vlerës së stilit të të shprehurit në rezultatin që përmban energjinë e harxhuar për ta kuptuar një tekst. Ai thotë: Stili më i mirë është ai që na bën të mundur me sa më pak vështirësi ta kuptojmë domethënien e materies.
Mosshfrytëzimi i pasurisë së gjuhës së gjallë të visareve të popullit dhe përdorimi i një numri të kufizuar fjalësh e shprehjesh gjuhësore, e zbehin dhe e varfërojnë gjuhën shqipe dhe për pasojë, kufizojnë edhe fondin gjuhësor të lexuesit masiv të gazetave.
Varfëria e formave shprehëse, përveç të tjerash, çon edhe në përsëritjen e të njëjtave mjete, të cilat për shkak të shpeshtësisë së përdorimit kthehen në shtampa gjuhësore, duke i humbur vlerat semantike që shpërfaqin. Kështu, del në pah një tjetër tipar i ligjërimit të gjuhës së gazetave, pikërisht shabllonet e ngurosura, ose njëtrajtësia, ku përdoren formula të gatshme gjuhësore në trajtën e klisheve për të paraqitur realitetin.
Shabllonet i ndeshim në epitetet që lidhen instinktivisht me situata e ngjarje të caktuara, si p.sh.: “çdo transaksion duhet të jetë “kolosal”, çdo e dhënë “tronditëse”, çdo vrasje “e shëmtuar”, çdo shqetësim “mbizotërues” dhe çdo nevojë “e hershme”. Mbiemra të tillë janë kthyer në shtampa, ku përdoren vend e pa vend, duke i njëtrajtësuar të gjitha rastet, pavarësisht specifikave dhe karakteristikave të veçanta, që mund të ketë secili prej tyre. Ky uniformizim i gjuhës nuk arrin të krijojë kurrfarë efekti emocional, sepse përsëritja e shpeshtë e të njëjtit epitet, pavarësisht dinamikës së ngjarjeve, është bërë e zakonshme. Pa marrë parasysh rrethanat, në mënyrë instiktive përdoren shprehje të tipit: “policia po punon për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes”, “protestuesit qëlluan me gurë” etj.
Herë pas herë, në gjuhën e gazetave hasim edhe përsëritje të mërzitshme e të panevojshme dhe fraza boshe, të tipit: “Risi e re”, “prioritet kryesor”, “novacion i ri”, “impresione mbresëlënëse”, “garë konkurruese” etj. Këto përsëritje tingëllojnë absurde, përderisa çdo prioritet nënkupton vënien në rend të parë të një çështjeje, apo çdo garë, përmban patjetër edhe frymën e konkurrimit, kështu që përsëritje të tilla thjesht zhurmojmë, pa krijuar ndonjë efekt të caktuar kuptimor.
Përsëritja shfaqet jo thjesht në mënyrën e ndërtimeve gjuhësore brenda frazës, por në tërësinë e gjuhës së lajmit, ku informacioni rimerret e ripërsëritet në forma të ndryshme sintaksore, gjë e cila krijon tension dhe i jep gjuhës tipare jopërmbajtjesore.
Një tjetër element i gjuhës së gazetave është mungesa e figuracionit. Figurshmëria në gjuhën e gazetave nuk duhet ngatërruar me mënyrën e perceptimit, të kundrimit dhe të pasqyrimit të ndërmjetësuar të realitetit, por duhet parë si dukuri që lidhet me inventarin e mjeteve gjuhësore të figurshme, me sasinë, cilësinë dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Nuk duhet ngatërruar as me gjuhën e letërsisë, sepse letërsia flet me figura, ndërsa gazetaria flet me ide. Në shkrimet e gazetave idetë duhen përçuar edhe përmes mjeteve të figurshme, në mënyrë që frazat të jenë më të gjalla. Rëndom konstatojmë, veçanërisht në gjuhën e lajmit, mungesën e shprehjeve frazeologjike, pasthirrmave, semantikës së figurshme dhe elemente të tjera që i japin jetë dhe vlerë emocionale ligjërimit.
Hendeku i fjalës artistike dhe koloriti i ngjyrave jetësore zëvendësohet me përdorimin e gjuhës “bardhezi”, ku fjalët dalin pa dritëhije kuptimore. Kjo lloj prirjeje shfaqet dendësisht në titujt e materialeve të ndryshme, por nuk mungojnë edhe rastet e ligjërimit bardhezi të vetë ngjarjeve të ndryshme.
Tiparet problemore të gjuhës së gazetave shqiptare janë të shumta, por në fokus të këtij shkrimi ishin disa nga elementet kryesore, të cilat kanë ndikuar në varfërimin e mjeteve gjuhësore, si në planin stilistikor, ashtu edhe në atë gjuhësor. Duket sikur liria e fjalës në shtypin shqiptar është keqpërdorur e keqkuptuar, përderisa është rrënuar funksioni edukues dhe gjuha shqipe po zvetënohet dita-ditës.

Mars 2018