Si ta bëjmë Kuranin, udhërrëfyes të jetës sonë  

275

Msc. Zamira BUSHATI (PUKA)

Kurani është libri i Allahut të Përhershëm dhe kushtetuta e Tij hyjnore e universale.  Sado që të mundohemi ta përshkruajmë dhe të shpjegojmë atë, është e pamundur ta përmbledhim dhe ta përfshijmë me fjalët tona. Por, këtu do ta përshkruaj Kuranin duke u mbështetur në fjalët e vetë Allahut (xh.sh.)

Në shumë ajete Allahu (xh.sh.) flet për Kuranin duke i atribuar atij emra dhe epitete nga më të bukurat. Allahu e quan Kuranin si libër të qartë, dritë, mëshirë, shërues, ilaç, forcues, përkujtues, dallues i së mirës nga e keqja, përgëzues, etj.

Allahu për Kuranin thotë:

“Ky është libri që nuk ka dyshim, është udhëzues për të devotshmit”.(Bekare, 2)

Gjithashtu në një ajet tjetër thotë:

“O njerëz! Ju ka ardhur (Kurani) nga Zoti juaj këshillë dhe shërim për kraharorët tuaj (zemrat), udhëzim e mëshirë për besimtarët.”(Junus, 57)

Pra, Kurani është libri udhëzues, dhe manuali udhërrëfyes i shkruar nga Allahu për ne, i cili nuk ndryshon me ndryshimin e kohës dhe vendit edhe nëse ndryshojnë mjetet materiale. Ai është drita hyjnore, udhëzimi i Zotit dhe mëshirë për të udhëzuarit. Ai është ligji i qiellit për të udhëzuar banorët e Tokës. Ai është libri që na mëson besimin, adhurimin dhe moralin. Shembulli i tij për ne është si shembulli i ajrit që thithim, pa të cilin nuk mund të jetojë askush.

Por vallë, a e lexojmë Kuranin ashtu siç duhet? A meditojmë në domethënien e tij? Sa mundohemi që t’i përmbahemi mësimeve të tij dhe sa i zbatojmë në praktikë udhëzimet e tij? Po fëmijëve tanë sa ua mësojmë dhe ua lexojmë atë?

Po të hedhim një sy rreth e rrotull, do vërejmë se shumica e njerëzve sot, janë të hutuar, të dëshpëruar e të dërrmuar nga problemet dhe streset e jetës. Shpesh herë nuk e dinë arsyen e veprimeve të tyre, saqë janë konfuzë në zgjedhjet e tyre në jetë. Edhe pse kushtet e jetesës janë përmirësuar, shumë nga ne po përballen dhe po vuajnë nga probleme të ndryshme morale dhe shpirtërore. Veçanërisht problemet me të rinjtë sa po vijnë e po shtohen, ku çdo ditë e më tepër po braktisin normat e moralit dhe vlerat e tij.

Natyrisht lind pyetja, po pse ndodhin këto?

Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Sepse jemi larguar nga qëllimi kryesor që Allahu na ka krijuar, i cili është adhurimi dhe arritja e kënaqësisë së Tij. Gjithashtu kemi braktisur Kuranin dhe mësimet e tij, duke u larguar edhe nga tradita profetike.

Por si ta bëjmë Kuranin udhërrëfyes në jetën tonë të përditshme?

Ka shumë mënyra që ne të arrijmë ta bëjmë Kuranin udhërrëfyesin tonë, por këtu do të ndalem në disa prej tyre,  të cilat i shoh më të rëndësishme:

  1. Leximi i Kuranit me meditim dhe kuptim, duke u thelluar dhe përvetësuar mësimet që përçon ai.

Padyshim, leximi i Kuranit dhe mësimi përmendësh i tij është adhurim dhe një nga veprat më të bekuara, që kanë mirësi dhe shpërblehen nga Allahu (xh.sh.), por nuk duhet të lëmë mënjanë thellimin në kuptimin e këtyre ajeteve.

Krijuesi ynë na drejtohet duke na thënë:

“(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.”(Sad, 29)

Pra, qëllimi i leximit të Kuranit është që t’i studiojmë argumentet, t’i analizojmë, t’i komentojmë dhe të nxjerrim mësimin e duhur prej tyre. Do ishte mirë që sa herë do të lexojmë disa ajete kuranore të ndalemi dhe të lexojmë përmbajtjen e këtyre ajeteve, shkaqet e zbritjes së tyre, urtësitë dhe dobitë që përmbajnë ato, hadithet e transmetuara në komentimin e tyre, etj. Kjo gjë do të bënte që ne të kuptojmë ajetet, të dimë se çfarë lexojmë si dhe të mundohemi të nxjerrim mësimet e duhura prej tyre.

Këshilla e dijetarëve është që leximi i Kuranit në këtë mënyrë të bëhet më e pakta një herë në jetë. Ndërsa tilaveti (leximi i Kuranit) të bëhet çdo ditë nga pak, sidomos gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit të bëhen sa më shumë lexim të plotë të  Kuranit. Gjithashtu në ditët e sotme me zhvillimin e teknologjisë, e kemi shumë e thjeshtë të lexojmë kuptimet dhe komentimet e ajeteve, sepse kemi botimeve të shumta të Kuranit, të përkthimeve, të komentimeve të tij, si dhe të shumë analizave të thelluara që flasin për të.

Po të shfletojmë jetën e sahabeve dhe të parëve tanë, do shohim se disa prej tyre e kanë mësuar një sure nga Kurani për disa ditë, ca për pak muaj, ndërsa të tjerë për vite. Shumë prej tyre nuk kanë kaluar tek ajeti tjetër, pa vënë në zbatim ajetin e parë. Si shembull mund të marim sahabiun e nderuar Ibn Omerin (r.a.), i cili e ka mësuar suren El-Bekare për 4 vite.  Shkaku se Ibn Omeri nuk e ka mësuar më shpejt suren El-Bakare, edhe pse ai ishte ndër sahabet që ka mësuar dhe memorizuar shumë nga hadithet e Profetit, nuk qëndronte te fakti se ai kishte kujtesë të dobët, përkundrazi, ai ka dashur që ta mësojë suren duke mësuar dhe vënë në praktikë obligimet, rregullat dhe çdo gjë që lidhet me përmbajtjen dhe kuptimin e çdo ajeti.

  1. Vënia në praktikë e atyre që kemi kuptuar nga ajetet e Kuranit në jetën tonë të përditshme.

Nëse e  lexojmë Fjalën e Allahut dhe mundohemi të kuptojmë domethënien e ajeteve të tij, vërejmë dhe bindemi se ky Libër i madhëruar, paraqet një plan gjithëpërfshirës të etapave të jetës, ashtu siç nuk mund t’i gjejmë në asnjë libër tjetër. Në të gjejmë sqarim për të gjitha aspektet e jetës sonë, që nga krijimi, lindja, rritja, jeta në këtë botë, vdekja, jeta pa vdekjes, ringjallja, llogaridhënia e deri te dënimi ose shpërblimi. Gjithashtu aty gjejmë arsyen e krijimit tonë, çfarë kërkon Allahu nga ne dhe çfarë ka përgatitur për ne. Udhëzimet, këshillat, faktet, ngjarjet dhe historitë  që rrëfehen në të na tregojnë dhe na mësojnë se si të sillemi e të reagojmë në situata të ndryshme. E padyshim si të përmirësojmë jetën tonë, si në familje me njerëzit tonë të dashur, ashtu edhe me njerëzit e tjerë që na rrethojnë. Po ta lexojmë, kuptojmë dhe zbatojmë atë siç duhet, atëherë do të kuptojmë veten, shoqërinë,  gjithësinë dhe Krijuesin e gjithçkaje, si dhe do të arrijmë lumturinë si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Allahu (xh.sh.) thotë:

“Ky (Kurani) është dritë e dijes për njerëzit, është udhëzues e mëshirë për një popull që beson bindshëm.”(Xhathije, 20)

Shembullin më të mirë padyshim ne e gjejmë te jeta e Profetit (a.s.). Ka shumë përshkrime për sjelljen e tij, por unë do të ndalem në thënien e bashkëshortes së tij Aishes (r.a.), e cila kur është pyetur për moralin dhe sjelljen e Profetit (a.s.) është përgjigjur: “Morali i tij ka qenë Kurani.”(Muslimi) Imam Neveviu teksa komenton thënien e Aishes sqaron si më poshtë: “Kuptimi kësaj thënie është: veprimi sipas tij (Kuranit), largimi ndaj ndalesave të tij, edukimi me edukatën e tij, marrja në konsideratë e shembujve dhe e ngjarjeve të tij, meditimi në të, si dhe leximi bukur i tij.” (Nevevi)

Ata të cilët e kanë lexuar, mësuar dhe praktikuar në jetën e tyre, që nga Profeti (a.s.) e deri tek njerëzit e thjeshtë kanë gjetur lumturinë sepse ai është libri i jetës, i cili kënaq shpirtin, pastron zemrën, largon dyshimin dhe sjell rahatinë. Prandaj ditë pas dite le ta bëjmë Kuranin pikë referimi në jetën tonë, duke e lexuar atë me sinqeritet, duke u këshilluar me njëri-tjetrin me porositë hyjnore, për të transformuar veten dhe shoqërinë që na rrethon. Sidomos rinisë sonë le t’i mësojmë leximin e Kuranit, si dhe ngjarjet më kryesore që lidhen me ta. Sepse rinia jonë ka nevojë të njihet me historinë e të rinjve në Kuran. Të njihet me historinë e Jusufit, e Ibrahimit me babanë e tij, e Ismailit, e banorëve të shpellës, e Nuhit me djalin e tij, etj.

Në përfundim ju ftoj ta lexojmë Kuranin duke u ngazëllyer e duke na u dridhur zemra, sikur ai tani të jetë duke na u zbritur neve. Ta lexojmë atë si librin e të gjallëve, e jo ta kufizojmë vetëm për të vdekurit. Të jetë Kurani libri i jetës për ne, libri i  shkencës për shkencëtarët, mjeti i afrimit për robërit dhe rruga e lumturisë dhe e shpëtimit për individin. Të provojmë që ta kemi atë në zemër, mendje dhe në shpirt derisa të bëhemi njohës të Kuranit, ku çdo fjalë dhe vepër e jona të bazohet në Kuran.

Lus Allahun që ta bëjë Kuranin pranverë të zemrave tona, dritë të kraharorëve tonë, kthjelltësi të brengave dhe largim të shqetësimeve tona, si dhe udhërrëfyes për ne tek Allahu e në xhenetet e begatshme.