Si ta largojmë zilinë?

559

Nga Suela Çaça Tafa

Zilia është një emocion negative, i cili është vënë re mes njerëzve që në fillimet e ekzistimit të tyre. Shpesh shihet ose gjykohet si një ves i keq, qëi cili shfaqet kur njeriu vazhdimisht ndien mungesë në arritjet e tij e kështu nuk ja dëshiron as tjetrit. Në fakt është kështu, por ajo që duhet të jemi të vetëdijshëm në lidhje me zilinë është regresi i madh që sjell qoftë në aspektin personal por edhe atë shoqëror. Pikërisht për dëmet e mëdha por edhe pajustifikueshmërinë me të cilën nis dhe zhvillohet kjo ndjenjë, ëeshtë konsideruar si një sëmundje.

Por si përkufizohet zilia, çfarë pasojash sjell ajo?

Në rrethin e përgjithshëm shoqëror, zilia konsiderohet një ves i keq, kryesisht i njerëzve me prirje negative të cilët urrejnë të tjerët që posedojnë diçka. Ndërsa tek studiuesit e fushës, kryesisht të shkencave sociale dhe psikologjisë, njihet si një ndjenjë mes njerëzve, të cilët në mungesë të arritjeve duan që edhe të tjerët mos t’i kenë. Ndihen shumë keq kur tjetri posedon diçka, që mund të jetë në aspektin fizik dhe jo vetëm, si pamja e jashtme, aftësitë, dhuntitë që i ka (komunikative, demonstrative). Gjithashtu të mirat materiale (të ardhurat, mundësitë më të mëdha etj).

Një tjetër aspekt mjaft delikat është nxitja e xhelozisë mes fëmijëve. Që në moshë të vogël prindi e nxit këtë ndjenjë tek fëmija i tij duke i thënë; shiko shokun apo shoqen tënde sa mëson, çfarë ka ai më tepër se ty etj. Duke i krahasuar vazhdimisht me njëri-tjetrin ne nuk bëjmë tjetër vetëm se shtojmë konkurrencën mes fëmijëve që ato të rivalizojnë, e cila çon në zili mes tyre. Ndaj duhet të kemi kujdes, t’i mësojmë fëmijës së dhuntitë që i zhvillon nëpërmjet vullnetit, përpjekjeve të vazhdueshme e bëjnë të eci në jetë dhe se vlerat janë tek ajo që përfaqëson vetë ai.

Pasojat që sjell zilia që ka njeriu janë mjaft shqetësuese, gërryese, ndjenja vuajtjeje, mërzitje, rënie në pesimizëm të madh, duke e menduar veten si të pavlerë. Kështu personat ziliqarë jo vetëm vuajnë vetë, por ja dëshirojnë dhe të tjerëve të njëjtën gjë. Si zgjidhje zgjedhin urrejtjen në zemër por dhe shprehin pakënaqësi ndaj lumturisë së të tjerëve dhe duan të mos e kenë për sa kohë atyre u mungon. Më pas arrijnë në nivel armiqësie me veten pasi i veshin paaftësi, por edhe ndërsa me të tjerët armiqësohen nëpërmjet qëndrimeve dhe veprimeve dashakeqëse.

Nëse do ta shohim në këndvështrimin e Islamit, zilia është totalisht e ndaluar, madje duhet të “luftohet” brenda njeriut nëse e vëren diçka të tillë në zemrën e tij, që të mos kthehet në një sëmundje në dëm të vetvetes por edhe të tjerëve. Kuptimi i të qeënit ziliqar do të thotë, të shpresosh largimin e të mirave të dikujt qoftë ajo pasuri, autoritet, dituri apo çdo pozitë tjetër. Dijetari i njohur Ibn Tejmije është shprehur se zilia është: “Urrejtja e të mirave që Zoti ia ka dhënë dikujt edhe nëse nuk shpreson largimin e tyre. Pasi është e ditur se ai që urren të mirat e dikujt, shpreson edhe largimin e tyre. Kërkon të ketë me çdo kusht atë që tjetri ka, pa marrë parasysh përpjekjet e individit tjetër.”

Gjithashtu zilia sjell kundërshtimin e caktimit të Zotit, sepse pretendohet të ndërrohet ajo që Ai me urtësinë e Tij ka përcaktuar. Për të qortuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zilinë, Zoti thotë në Kuran: “A u kanë zili njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij…” (Nisa, 54). Pra, të jesh ziliqar do të thotë të pasosh të tjera mëkate dhe cilësi negative.

Ja disa mënyra si ta largojmë zilinë!

-Duke u përpjekur të njohim mirë veten

T’i njohësh vetes cilësitë, dhuntitë që i posedon duke pasur kështu mundësinë që t’i shfrytëzosh dhe të kënaqesh me arritjet e tua, të krijosh vetëbesim se me punë dhe vullnet arrin shumë, aq sa të mos kesh zili atë që posedon tjetri. Mund të kesh një thesar brenda teje, eksploro potencialet e tua, jepi zë dhe vendos rregulla në vlerat personale!

-E dukshmja nuk e pasqyron realitetin

Mund të shohësh se duket i fuqishëm, i pasur, i lumtur, ka sukses në familje, punë e kudo por kjo është vetëm ajo që ti sheh. Asnjëherë nuk mund të themi se ajo që shohim është gjithçka që ai përjeton dhe gëzon, disa njerëz fshehin dështimet e tyre si strategji që të ndihen por dhe të duken më të fortë.

-Ndryshueshmëria ndërmjet njerëzve

Duhet të bindesh se njerëzit janë të ndryshëm. Askush nuk ka gjithçka dhe çdo gjë. Kjo bindje duhet të forcohet tek njeriu se, aq sa të ndryshëm në pamje apo mendime aq janë të ndryshëm në dhuntitë e tyre, si rrjedhojë dhe në arritje. Ka njerëz që kanë pasuri, por nuk kanë dije. Ka pamje të mirë fizike, por mund të ketë vështirësi në komunikim me të tjerët etj. Janë inteligjentë por s’kanë ngrohtësi në familje dhe u mungon dashuria e tyre.

– Mos lakmo atë që kanë të tjerët për ta poseduar, por për ta shfrytëzuar.

Mjaft me rëndësi është dhe qëllimi në atë që kërkon. Kjo është dhe e vetmja pikë që e bënë zilinë të justifikueshme, që nënkupton se, synon diçka të ngjashme me atë që posedon tjetri, vihesh në kërkim të saj dhe përpiqesh të gjesh mënyrat, ndër to dhe të shikosh si ka funksionuar tek të tjerët. Por duhet që të kesh parasysh gjithmonë se qëllimi në vetvete është shfrytëzimi dhe jo posedimi i asaj që tjetri ka, qoftë kjo dhunti, pasuri etj.

Në përfundim themi se, zilia është një nga shkaqet kryesore të mungesës së lumturisë ku vendin e saj e zë pikëllimi. I dërguari ynë (a.s.) thotë: “Kënaqu me atë që të ka caktuar Zoti, do të jesh njeriu më i lumtur.”

Është gjithashtu një pengesë e madhe për të ecur përpara, për të bërë progres në vazhdimësi, për të qenë në paqe me veten, me atë që bën dhe je. Zilia shkatërron dhe dëmton rëndë marrëdhëniet ndërnjerëzore duke ndërtuar qëndrime mbi bazë paragjykimesh dhe inatesh.

Kush eksploron jetën, vetveten, qëllimin e jetës dhe të vetvetes merr aq sa i duhet prej saj!

 

Revista “Familja”, prill 2017