Si të kemi marrëdhënie ndërnjerëzore të shëndosha

316

Nga Diana Syla

Komunikim do të thotë të hysh në lidhje me tjetrin, shkëmbej mendime, gjej një gjuhë të përbashkët me tjetrin. Pra, është një prej aspekteve kryesore të ekzistencës njerëzore, sepse njeriu është një qenie shoqërore dhe komunikuese.

“Komunikimi është procesi me anën e të cilit shkëmbehen dhe kuptohen informacionet midis dy a më shumë njerëzve, me qëllim që të motivohen ose të influencohen në sjelljet apo në qëndrimet e tyre”.

Pra, komunikimi është njëri prej aspekteve kryesore të ekzistencës njerëzore, sepse njeriu është një qenie komunikuese, një qenie që mendon, ndjen dhe shoqërohet. Të komunikosh në mënyrë efektive është një nga problemet më të vështira me të cilin një individ duhet të përballet gjatë jetës së tij.

Komunikimi nuk duhet të shihet thjesht si një mjet dhe një vegël, por si një dimension psikologjik që e përbën njeriun, i cili nuk zgjedh të jetë apo jo komunikues, por zgjedh në ç’mënyrë dhe çfarë të komunikojë. (Westley e Mac Lean, 1957)

Nga vetë termi “marrëdhënie” kuptohet se këtu kemi të bëjmë me dy a më shumë persona, që do të thotë marr dhe jap, është një dialog e jo një monolog. Në marrëdhënie gjithmonë është i pranishëm tjetri, siç u tha më lart, tjetri është pasqyrë.

Të krijosh marrëdhënie, më parë është e nevojshme të ushtrohesh për të shikuar. E për të shikuar, është e nevojshme të ecet ngadalë për t’i njohur më mirë njerëzit, jetën e tyre, atë profesionale, familjare, dëshirat e tyre, shijet e tyre, aspiratat e tyre, vështirësitë e tyre, betejat e tyre…etj. Nevojitet që të kesh etje për të njohur, që të arrish t’i kuptosh e t’i duash. Por për të arritur këtë është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie të mira më parë me veten, të njohim veten, të njohim vlerat që kemi e gjithashtu edhe dobësitë. Të njohim anët pozitive dhe negative. Duke e njohur veten jemi në gjendje të pranojmë tjetrin ashtu si është.

Vlera e thellë e një njeriu matet, përveç të tjerash edhe nga fuqia e kontakteve, nga mënyra e marrëdhënieve që ndërtohen me tjetrin. Të hysh në marrëdhënie me tjetrin do të thotë: të dish ta pranosh tjetrin, të dish ta dëgjosh, të dish ta shikosh, të dish t’i kushtosh kohë.

Për njeriun, komunikimi s’është vetëm një mundësi, por edhe një nevojë e mirëfilltë. Të jesh i sjellshëm do të thotë ta njohësh veten brenda një grupi të caktuar shoqëror dhe t’i përkasësh atij. Por sot, në epokën e globalizimit dhe përkatësisë së botës, kjo cilësi duket sikur është varrosur nga egoizmi dhe mosbesimi. Nga ana tjetër, sot mirësjellja konsiderohet edhe si një dobësi, një sjellje ndaj të cilës duhet dyshuar. Në një shoqëri të ashpër, të fortë dhe shpeshherë të dhunshme si kjo e jona, mirësjellja dhe edukata mbyten kollaj nga arroganca, kërcënimi, agresiviteti. Edhe ata të cilët preferojnë të jenë të sjellshëm në shoqëri, jo pak herë janë të detyruar të ndërrojnë pllakën, pikërisht për të mos qenë viktima të një shoqërie të paqytetëruar. Pas ardhjes së demokracisë dhe lirisë së të shprehurit dhe mendimit, gabimisht shoqëria shqiptare duket se ka humbur disa vlera pozitive që i kishte fituar përpara viteve 90, e që lidhen pikërisht me mënyrën e sjelljes kundrejt njëri-tjetrit.

Sipas sociologëve, konflikti lind kur shkalla e manifestimit të mirësjelljes nga dikush është më e ulët se shkalla e pritshmerisë apo ideali ynë për të. “Për shembull, koncepti/ideali i një personi për mirësjelljen është: “Mirësjellja të bën njeri“. Në momentin që dikush bën një veprim në kundërshtim me këtë ideal absolut, personi zhgënjehet, zemërohet dhe mund të shkëpusë lidhjen, apo të tregohet vetë i pasjellshëm, duke e shumëzuar me zero çdo vlerë a kapacitet tjetër të “të pasjellshmit”. Në formimin sjellor të njeriut janë familja, mënyra se si ai rritet dhe shoqëria ku jeton. Të gjitha këto ndikojnë në të qënit ose jo i sjellshëm. Nëse në familje tregohemi të pasjellshëm, atëherë domosdoshmërisht edhe jashtë këtij rrethi, pra në shoqërinë tonë, do të jemi edhe më të pasjellshëm. Që të keni marrëdhënie të mira eleminoni kritikat.

Kritika është e kotë sepse e çon njeriun në mbrojtje dhe e nxit menjeherë të kërkojë justifikim. Ajo është e rrezikshme sepse e plagos krenarinë e njerëzve, e bën të ndjehet i pafuqishëm dhe shkakton fyerje. Hans Seli për kritikën thotë: Jemi kaq të dëshiruar për të na miratuar dhe kaq të frikësuar nga kritika. Ne njerëzit jemi të gjithë njëlloj, praktikisht jemi të gjithë të gatshëm të kritikojmë të tjerët pa ditur të pranojmë kritikën qe na vjen nga i afërmi.

“Një shoqëri që i edukon individët e saj me një mirësjellje të pastër – pra, një mirësjellje që bazohet jo në frikën nga ndëshkimi, por në dashurinë dhe konsideratën për mirëqënien e tjetrit – shpie në rritjen e brezave më pak apo aspak të dhunshëm, sepse kur nevojat emocionale e intelektuale të individëve të saj përmbushen shëndetshëm, nuk ka vend për agresivitet”.

Beniamin Franklin shprehet: Nuk flas keq për asnjë njeri dhe u them të gjithëve mundësisht çdo gjë të mirë. Një nga karakteristikat rrënjësore të natyrës njerëzore është që të kërkojnë në mënyrë të palodhur vlerësimin e të tjerëve. Që të arrini këtë fillimisht vlerësoni të tjerët. Dëshira për t`u ndjerë i rëndësishëm përbën një nga ndryshimet thelbësore ndërmjet njeriut dhe kafsheve. Tregoni mirënjohje me të tjerët, lëshoni ndonjë shkëndijë pëlqimi në jetën tuaj të përditshme, do të çuditeni sa dritëza miqësie do të shëndrisin përreth jush.

Një falënderim i sinqertë jep më shumë rezultate se sa kritika e tepruar apo tallja. Të plagosësh shpirtin e njeriut, jo vetëm që nuk e shtyn të ndryshojë, por është gjithmonë një mënyrë e gabuar.

Emerson thoshte: Të gjithë njerëzit që njoh janë më të aftë se unë në diçka. Dhe në këtë fushë do të mësoj nga ata. E vetmja rrugë e sigurtë për të ndikuar tek një person qëndron, në diskutimin e asaj që i pëlqen. Një prej detyrimeve tona njerëzore është që të lidhim marrëdhënie të suksesshme me njerëzit që na rrethojnë dhe jo vetëm. Që të kemi marrëdhënie të shëndetshme duhet të jemi të kujdesshëm në shumë detaje, mbi të gjitha në mënyrën se si flasim apo si shprehemi.

Fjala, me të vërtetë është çelësi i çdo marrëdhënieje. Të dish të flasësh është një art që të gjithë mund ta mësojnë.

Revista Familja, shkurt 2016