Si të motivojmë veten, përballë mungesës së vullnetit për të mësuar

665

Nga Oriola Sula

Zhvillimet e vrullshme që ka pësuar arsimi në ditët e sotme, reformat e njëpasnjëshme, që deri diku rezultojnë paksa absurde, kanë krijuar amulli dhe pështjellim në brezin e nxënësve dhe të studentëve. Sot ata ndodhen përballë një sistemi arsimor eksperimental, ku po tentohet gërshetimi i teknikave të ndryshme të mësimdhënies dhe programeve mësimore, të huazuara nga vende të ndryshme të botës. Dëshira për të studiuar është zbehur ndër brezat e rinj, pikërisht për shkak të mungesës së seriozitetit të strukturave arsimore, në unifikimin e programeve mësimore.
Duke lënë mënjanë zhvillimin e teknologjisë, për të cilën kemi folur edhe më herët, nxënësit e studentët nuk ndiehen të motivuar dhe nuk kanë vullnet për të mësuar e studiuar. Ata i kushtojnë kohën më të madhe teknologjisë, rrjeteve sociale apo përvetësimit të dijeve, që në fakt duhen marrë në shkollë, nëpërmjet informacioneve të shumëllojshme që ofrohen në internet, edhe pse shpesh, burimi i këtyre informacioneve është i dyshimtë.
Ndodh shpesh që ata të bien në pesimizëm, dekurajohen dhe e humbasin vullnetin për të mësuar. Nëse vite më parë nxënësit konkurronin me njëri-tjetrin për arritjen e rezultateve të larta, sot shqetësimi kryesor i tyre është të marrin nota kaluese. Frika dhe mungesa e vetëbesimit i përfshin sidomos kur bëjnë testime apo gjatë sezonit të provimeve. Duket sikur këtë shqetësim dhe dekurajim ata ia transmetojnë njëri-tjetrit.
Edhe pse të kërcënuar nga mungesa e motivimit dhe e vullnetit për të mësuar, ata e kanë shumë të vështirë të kërkojnë ndihmë të specializuar për të dalë nga situata të tilla.
Për t’ju ardhur sadopak në ndihmë, po ju servirim një buqetë me këshilla, që do t’ju shërbejnë si çelës për të arritur suksese në mësime. Fillimisht duhet të gjeni forcën brenda vetes për t’u motivuar. Motivimi është hapi i parë drejt suksesit.
Tri mënyra për t’u motivuar
1. Ndani qëllimet e mëdha në qëllime më të vogla e në objektiva ditore. Do ta ndieni veten shumë mirë, kur të shihni se i keni arritur këto objektiva të vogla dhe ndjenja pozitive do t’ju shtyjë e motivojë, derisa të merrni të gjitha rezultatet që doni.
2. Kur punoni shumë dhe nuk merrni asgjë, mos e lejoni negativitetin t’ju demotivojë. Dështimet janë të domosdoshme për të na mësuar se si të arrijmë qëllimet tona, prandaj vazhdoni të shpresoni e të përpiqeni, derisa të gjeni mënyrën e duhur për të arritur atë që doni.
3. Mos lejoni që të tjerët të shkatërrojnë vetëbesimin tuaj. Nëse dyshoni në aftësitë tuaja, nuk do të bëni progres. Njerëzit bëjnë gjithnjë komente negative mbi progresin e të tjerëve, prandaj shmangni diskutimin e qëllimeve tuaja me çdo njeri që ju del përpara.
Pasi të jeni motivuar dhe të keni fituar besimin në vetvete, ndiqni këto këshilla, në mënyrë që të jeni sa më produktivë gjatë të mësuarit:
1. Mësoni në mënyrë sistematike, pasi mësimet janë zinxhir dhe mungesa e një hallke vështirëson rrjedhshmërinë e dijeve të fituara.
2. Mbani shënime gjatë të mësuarit, duke ndarë çështjet në pika kryesore, tek të cilat mund të ktheheni sa herë të mundeni. Kjo do të ndihmojë në ngulitjen e tyre më shpejt në kujtesën tuaj.
3. Lexoni me zë të lartë dhe ndiqni me gisht çdo fjali. Ky është një truk i thjeshtë, që mund të tingëllojë i çuditshëm në fillim, por studimet shkencore tregojnë se na bën të jemi më të ndërgjegjshëm gjatë leximit dhe na mban të fokusuar.
4. Njohuritë që morët gjatë mësimit, shkruajini në letër dhe ngjitini diku në mur, ku t’i lexoni me zë. Gërshetimi i aftësive të të shkruarit me ato zanore dhe pamore, është një mënyrë e mirë për të fiksuar më shpejt njohuritë.
5. Kushtojini rëndësi orëve të plota të gjumit, mirë ushqyerjes dhe shëtitjeve në natyrë. Secila prej këtyre luan një rol të rëndësishëm në aftësitë e trupit për të mësuar dhe përthithur informacione të reja.
6. Përsërisni mësimet. Përsëritja është një mjet efektiv për të qenë të suksesshëm dhe për të lehtësuar punën tuaj, kur të testoheni në përfundim të kapitullit ose lëndës.
Pas një pune të lodhshme për të mësuar dhe për të përvetësuar dijet në një lëndë të caktuar, momenti më i vështirë duket se është testimi i aftësive të fituara.

read-3048651_960_720

Ja një buqetë me këshilla praktike, inkurajuese, që çdo student duhet të ketë parasysh para çdo provimi:
1. Asnjëherë mos përsërisni dijet tuaja para një provimi. Kjo vetëm sa do t’ju bëjë më konfuzë dhe do t’ju duket sikur i keni harruar të gjitha ato që kishit mësuar.
2. Mos u ndikoni nga frika dhe ankthi i shokëve, por kini besim në vetvete dhe në aftësitë tuaja.
3. Kur të merrni fletën, së pari, hidhini një sy pyetjeve. Sipas një studimi, 10% të kohës së caktuar për provim duhet t’ia kushtosh leximit të pyetjeve me imtësi.
4. Planifikoni që fillimisht të zgjidhni pyetjet e lehta dhe pastaj të vështirat. Disa pyetje kërkojnë edhe një përgjigje logjike, kur nuk arrin të kujtosh shumë nga literatura.
5. Pastaj kushtojini rëndësi pyetjeve që kanë pikë më shumë dhe lini ato pyetje që nuk ju kujtohen për momentin. Edhe pse më të vështira, pyetjet me shumë pikë rritin ndjeshëm shanset tuaja për të arritur rezultate të kënaqshme.
6. Përgjigjen kryesore për çdo pyetje shkruajeni në fillim të rreshtit, pastaj vazhdoni me shtjellimin e saj, sepse këtë e kërkon korrigjuesi i provimit. Ka raste kur ai nuk e sheh në brendësi përgjigjen, për shkak të nxitimit.
7. Mbani shënime për çdo dyshim apo paqartësi që keni mbi pyetjet dhe brenda mundësive, kërkoni sqarimet përkatëse.
8. Kushtojini 5 minutat e fundit një rishikimi të të gjithë testit, për të parë nëse keni arritur t’u përgjigjeni të gjithë pyetjeve dhe bëni plotësimet përkatëse, nëse janë të nevojshme.
Besimi në Zot rrit motivimin dhe optimizmin
Pavarësisht të gjithave, një njeri që nuk drejtohet nga besimi është i humbur. Psikologë e sociologë kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me këtë temë, duke ofruar edhe këshilla sa më efikase, por të gjithë kanë arritur në një konkluzion të përbashkët. Besimi në Zot është rruga më e mirë për të rritur vetëbesimin dhe për të pasur sukses në jetë. Janë bërë një sërë studimesh lidhur me këtë çështje dhe janë sjellë argumente, se besimi në Zot ka shumë efekte pozitive në rritjen e optimizmit dhe motivimin e njerëzve. Feja islame është një burim dijesh, ku gjen plot ajete kuranore dhe hadithe lidhur me dekurajimin, mungesën e vullnetit dhe dëshirës për të mësuar. Për pasojë, besimtarët muslimanë rezulton të jenë më optimistë, më të motivuar dhe kanë më shumë vullnet për të mësuar.
Disa këshilla nga pikëpamja fetare:
1. Drejtojuni Allahut me dua, në çfarëdo mënyre të lejuar si: “Rabbi ‘shrah li sadrij ue jessir li emrij” (O Zot! Ma zgjero gjoksin tim dhe ma lehtëso çështjen time!)
2. Thoni lutjen e daljes nga shtëpia: “Bismilah. Teuekkeltu al Allah ue la haule ue la kuuete ila bilah. Allahume inni eudhu bike en edile eu udale eu ezile eu uzele eu edhlime eu udhleme eu exhhele eu juxhhele alejj.” (Me emrin e Allahut. Allahut i jam mbështetur dhe nuk ka ndryshim e as fuqi përveç Allahut. O Allahu im! Kërkoj mbrojtje te ti, që të mos devijoj apo të mos më devijojnë të tjerët, të zhytem apo të më zhysin të tjerët, të futem në padrejtësi apo të më fusin të tjerët, të bëhem injorant apo të më bëjnë injorant të tjerët.)
3. Thoni “Bismilah” (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!), para se të filloni mësimin apo para çdo provimi, sepse kjo thënie ka bereqet dhe kërkimi i ndihmës tek Allahu është nga shkaqet e udhëzimit apo suksesit.
4. Frikësojuni Allahut dhe mos u shqetësoni nga frika e të tjerëve, se nuk do t’ia dilni mbanë. Jepini vetes shpresa e kurajë, duke thënë: “Inshallah do të kaloj me sukses!”
5. Nëse gjatë provimit nuk ju kujtohet diçka, mos harroni të përmendni Allahun, sepse kjo e largon shqetësimin: “Ja Mualimu Ibrahijme alimni ue ja Mufehimu Sulejmane fehimni.” (O Mësues i Ibrahimit, më mëso mua! O Shpjegues i Sulejmanit, më bëj që ta kuptoj!)
6. Punoni ngadalë dhe mos u nxitoni, pasi Muhamedi (a.s) ka thënë: “Ngadalësia është nga Allahu, ndërsa shpejtësia është nga shejtani.”
7. Pas provimit, jini i kënaqur me caktimin e Allahut dhe mos u shqetësoni, por kujtoni thënien e Profetit (a.s.): “Nëse të godet diçka, mos thuaj: “Sikur të kisha bërë kështu ose ashtu!”, por thuaj: “Çfarë dëshiron Allahu, vepron”, sepse fjala ‘sikur’ hap derën e shejtanit.” (Muslimi)
8. Dijeni se kopjimi është haram. Muhamedi (a.s) ka thënë: “Kush bën hile, nuk është prej nesh.” Kjo është padrejtësi dhe marrja e notës së mirë apo diplomës në këtë mënyrë, është e ndaluar (haram). Kush e lë diçka për hir të Allahut, Ai ia kompenson me diçka më të mirë.

Shkurt 2018