Si të rrisim përgjegjshmërinë e fëmijëve në detyrat e shtëpisë

453

Është fakt që kryerja e detyratve të shtëpisë ka qenë problem gjithmonë për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë problem. Aktivitetet dhe angazhimet e nxënësve jashtë shkollës dhe brenda saj, koha e argëtimit pasi për fëmijët kjo kohë është mjaft e rëndësishme në ditët e sotme. Kësaj kohe i është shtuar dhe kalimi i një pjese të mirë të kohës në botën e internetit, në lojra të ndryshme dhe lidhje miqësie virtuale, ç`ka sot rezulton në shtimin e faktorëve pengues në kryerjen e detyrave të shtëpisë. Nxënësi sot përballet me balancimin e aktiviteteve të jashtme, detyrave të shtëpisë dhe aktiviteteve të përzgjedhura personale.

Prindërit dhe mësuesit duhet t`i analizojnë këta faktorë dhe të mendojnë si duhet të pozicionohen për ë bashkëpunuar për nxitjen e fëmijës, nxënës në kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe si t`i ndërgjegjësojnë ato se kjo detyrë është e tyre dhe përgjegjshmeria për realizimin e detyrave është e tyre. Detyrat e shtëpisë janë një “vegël lidhëse” midis prindit, mësuesit dhe nxënësit apo fëmijës. Prandaj duhet marrë parasyshë ky fakt, si nga mësuesit dhe prindërit për rëndësinë e dytyrave të shtëpisë, pasi kryerja sistematike e tyre ndikon edhe në nivelin arsimor dhe edukativ të fëmijës nxënës. Një nxënës nëse i kryen rregullisht detyrat e shtëpisë arrin rezultate më të mira në përvetësimin e njohurive, është meë i organizuar në jetën e tij dhe kupton më mirë sensin e punës. Problemi qëndron në faktin se si duhet t`i nxisim apo rrisim përgjegjshmërinë fëmijëve nxënës për kryerjen e detyrave të shtëpisë, pasi më lartë analizuam faktorët positiv kur i kryejnë detyrat dhe faktorët pengues me të cilët përballen sot fëmijët tanë dhe bashkë me to edhe mësuesit e prindërit.

Paraprakisht po pozicionohem në të qenurit mësuese dhe cila është mënyra më e mirë dhe efektive në këtë çështje kaq të rëndësishme dhe delikate për nxënësit dhe fëmijët tanë. Një mësues duhet të jetë i qartë kur i kërkon detyrat e shtëpisë, pasi mosqartësimi i tyre është një pengesë në kryerjen e tyre, gjithashtu duhet të jetë sistematik në kontrollin e tyre pasi moskontrolli i tyre nga mësuesi i jep arsye nxënësit të mos e marrë me seriozitet e përgjegjshmëri realizimin e detyrës. Rëndësi në rritjen e përgjegjshmërisë ka edhe stimuli apo disa masa që mësuesi duhet të marrë në rastin kur nxënësit i kryejnë apo jo detyrat e dhëna. Mësuesi duhet të jetë i kujdesshëm, në sasinë e detyrave të shtëpisë, pasi teprica e detyrave është kundërproduktive dhe jo të shëndetëshme për fëmijën nxënës. Është mjaft pozitive që mësuesi të informojë prindin sa sistematik është fëmija i tij në realizimin e detyrave, po aq sa e informon atë dhe në rezultatet e arritura në vlerësimin me notë.

Këto ishin disa situata të rëndësishme që një mësues është e mira t`i ketë si referenca për të qenë ndihmues në nxitjen e nxënësve për kryerjen e detyrave të shtëpisë. Por nuk duhet të lemë mënjanë dhe situatat psikologjike të grupmoshave të fëmijës nxënës pasi procesi i rritjes shoqërohet me ndryshime në formimin e personalitetit të tij. Prindi dhe mësuesi duhet të kenë informacion se cila është mosha më e përshtatshme për të punar mbi rritjen e përgjegjshmërisë. Mosha më e mirë për të rritur përgjegjshmërinë e nxënësve dhe fëmijëve është fëmijeria e hershme, periudha e ciklit të ulët. Kjo përgjegjshmëri rritet në ambjentin e familjes dhe fëmijës duhet t`i mësohet shprehija e punës. Por ajo ç`ka është më e mira duhet që një prind të veprojë në mënyrën e duhur, pasi ai është një faktor i rëndësishëm në ndërgjegjësimin e fëmijës në kryerjen e detyrave të shtëpisë.

Prindi duhet të pozicionohet në rolin e udhëzuesit dhe nuk duhet të jetë ai që t`i bëj apo zgjidhi detyrat e shtëpisë, por t`i tregojë fëmijës se si duhet t`i kryej ato. Gjithashtu duhet t`i tregojë fëmijës se unë jam këtu me ty për çdo vështirësi që ke për të gjetur një rrugëzgjidhje. Pra, jo pavarësi e plotë por jo dhe varesi e plotë. Prindi duhet të kujdeset edhe për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm ku fëmija të realizojë detyrat e tij, si psh.: ndriçimin e duhur, temperaturë optimale, qetësia e nevojshme, evitimi i elementëve të cilët tërheqin vëmendjen e fëmijës.

Prindi ka një rol të rëndësishëm edhe në organizimin e kohës së fëmijës pasi fillimisht ai nuk është në gjendje ta organizojë kohën e tij. Ai duhet të jetë i kujdesshëm edhe në kohën e argëtimit duke mos e ngarkuar fëmijën me kryerjen e detyrave të shtëpisë apo punëve të shtëpise dhe nevojave si; rregullimi i dhomës, higjena personale etj. Por, prindi duhet të jetë balancues dhe organizues i kujdesshëm i kohës. Kur prindi ka organizuar kohën për realizimin e argëtimit, detyrave, punëve, etj. Ai duhet ta lerë fëmijën t`i bëj ndryshimet në radhën e tyre sepse në moment kur merret në konsideratë mendimi i tij, i rritet përgjegjësia për realizimin e këtij organizimi në të cilin, përfshihet edhe kryerja e detyrave të shtëpisë. Është domethënëse që në momentin kur fëmija ulet në tavolinë për të kryer detyrat, prindi duhet ta lerë të lirë atë të zgjedhi lëndën të cilën ai dëshiron të nisi detyrat, pasi është nxitëse ta nisi me një lëndë që fëmija e ka dëshirë më shumë.

Një rëndësi të veçantë ka dhe organizimi i kohës së caktuar për kryejen e detyrave. Pushimi ndërmjet disa minutash është i nevojshëm pasi fëmijët janë të përkushtuar 20 – 25 minuta, pastaj ky përkushtim zbehet dhe lind nevoja që fëmija të ketë momente shplodhëse. Gjithashtu koha nuk duhet të jetë e gjatë dhe të ketë një pushim ndërmjet kohës së kryerjes së detyrave dhe kohës së kryerjes së të mesuarit, përvetësimit të njohurive. Gjatë atij pushimi të shkurtër fëmija mund të kryej edhe ndonjë aktivitet të tij. Prindi duhet ta dijë se përgatitja e rregullt e fëmijës në realizimin e detyrave, do të rrisë nivelin e tij akademik dhe ky fëmijë është më i vëmendshëm në orën mësimore dhe do të jetë më i suksesshëm në jetë. Prandaj çdo mësues ka prindërim në brendinë e tij dhe çdo prind është mësues për fëmijën e tij.

Qëllimi ynë i përbashkët është të rrisim breza të shëndetshëm fizikisht, moralisht dhe të ditur dhe bashkëpunimi i ngushtë i trinomit mësues, nxënës fëmijë, prind do të na çoj drejt suksesit.

Ma. Florinda LUMA ALLUSHI

Revista Familja, maj 2016