Silluni me familjen tuaj sipas shembullit profetik!

92

Nga Flora Kacmoli Allaisufi

Sa më shumë lexojmë për figurën e Muhamedit (a.s.), aq më qartë e shohim si shembull frymëzimi të pashtershëm për jetën tonë, që nga gjërat e vogla jetës së përditshme e derit tek udhëheqja e shtetit. Ata që e kanë studiuar jetën e këtij njeriu, e ndiejnë që alfabeti nuk ka mjaftueshëm shkronja për të treguar perfeksionin e personalitetit të tij. Allahu (xh.sh) thotë në Kuran: “Ju keni shembullin e mrekullueshëm tek i dërguari i Allahut.”

Një nga pikat që meriton të ketë vëmendjen e duhur dhe të trajtohet më në detaje është edhe sjellja e Profetit (a.s) ndaj bashkëshortes në veçanti.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo shtëpi e tij ka qenë foleja më e lumtur, më me fat dhe më e begatë se të gjitha shtëpitë që janë ngritur mbi tokë! Shtëpia e tij ishte ndër më të varfërat nga mundësitë materiale, sepse kalonin muaj dhe aty me ditë s’ndizej zjarri, por s’mungonte në të dashuria, harmonia dhe mirëkuptimi, këto cilësi që gjendeshin tek figura e Profetit (a.s.).

Bashkëshortja e Profetit, Aishja, tregon se profeti ka qenë kryetar shteti, por ai gjente kohë të ulej me familjen e tij, të bisedonte, madje dhe të luante me ta.

Për të shtuar dashurinë ndërmjet njëri-tjetrit, Profeti porosit që bashkëshortët të këmbejnë dhurata ndërmjet tyre, pasi dhurata e bashkëshortit ka vlerë dhe domethënie të madhe për bashkëshorten e tij, sado simbolike të jetë. Qëllimi i saj është që t’i tregohet gruas se nuk është e harruar nga burri i saj, se ai mendon për të, e se përpiqet t’i plotësojë dëshirat e saj. Ky gjest do të ndikojë në fitimin e dashurisë së saj, do të shtojë besimin për të, do të fillojë të tregojë respekt, kujdes dhe kjo do të çojë drejt forcimit të dashurisë së dyanshme mes bashkëshortëve, duke synuar me këtë harmoni e mirëkuptim në familje.

Muhamedi (a.s.) nuk është mjaftuar vetëm me këshilla për familjen. Ai vetë ka qenë shembulli më i mirë, për t’i treguar burrave të tjerë se si duhet të sillen me gratë e tyre. Ai këshillon që bashkëshortët të ndihmojnë gratë e tyre në punët e përditshme. Vetë Profeti i ka ndihmuar familjes së tij për punët e shtëpisë. Aishja na tregon që në familjen e tij, Profeti (a.s.) sillej si njeri i rëndomtë, ai i shërbente vetes së tij, milte delet dhe pastronte rrobet e veta, qepte këpucët, arnonte rrobat, vetëm kur vinte koha për t’u falur, dilte për namaz.

Ky është një problem që pjesa më e madhe e burrave e keqkuptojnë ose e komentojnë sipas dëshirës dhe interesit të tyre. Ndihmesën e gruas në punët e shtëpisë, burrat e shohin si dobësi dhe gjest i ulët (për burra të tillë në shoqërinë e meshkujve, thuhet se janë burracakë). Pikërisht kjo është rezultat i të kuptuarit gabim të fesë dhe ky kuptim u takon atyre që e manifestojnë fenë vetëm në pamjen e jashtme.

Të sillesh mirë ndaj bashkëshortes nuk do të thotë që ta mënjanosh atë nga problemet e jetës së përditshme, duke mos i treguar asaj hallet dhe shqetësimet apo duke i fshehur punët dhe planet e tua, me preteksin se dëshiron ta shkarkosh nga pesha e problemeve të përditshme. I Dërguari i Allahut ulej e bisedonte me gratë, madje disa çështje i diskutonte me to si shokë. Edhe pse Profeti nuk mund të kishte aspak nevojë për mendimet dhe zgjidhjet e tyre sepse ai mbështetej nga udhëzimi hyjnor. Mirëpo, ai kishte për qëllim të mësonte shokët e tij dhe të gjithë ata që do të ndiqnin rrugën e tij më pas, se si duhet të silleshin ndaj bashkëshorteve të tyre.

Sa për gratë, ato po viheshin në një vend shumë të lartë duke ia marrë për bazë mendimin dhe këshillën, ndryshe nga ç’ishin trajtuar më parë. Si çdo mësim tjetër  edhe këtë,  i Dërguari i Allahut e filloi nga shtëpia e vet!  Pyeteni veten, sa kryetarë shtetesh ka që këshillohen me gruan e vet në çastet më të vështira?  Le ta dëgjojnë këtë, ata të cilët flasin pa dije që Islami e ka robëruar gruan!

Kur ka folur për domosdoshmërinë e sjelljes së mirë ndaj gruas, Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij, e unë jam më i miri prej jush, sepse se jam me i miri per familjen time”. Nga kjo na jepet të kuptojmë se vlera e burrit rritet, kur ai sillet butësisht e me respekt ndaj bashkëshortes së tij, e jo kur përdor ashpërsinë e dhunën. Kur e nderon dhe është i kujdesshëm në ruajtjen e moralit të pastër, e jo kur e tradhëton dhe e mashtron gruan e tij.

Por sjellja e mirë ndaj bashkëshortes tregon karakterin e mirë e fisnik të tij, për këtë Muhamedi (a.s) ka thënë: “Besimtarët më të mirë janë ata që kanë karakter të mirë dhe më të mirët nga ju, janë ata që janë të mirë me gratë e tyre”.

Duke i këshilluar burrat se si të sillen me bashkëshortet e tyre, Profeti thotë ndër të tjera: “Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm, sepse gruaja është krijuar nga brinja, maja e së cilës është më e lakuar. Po tentove ta drejtosh do të thyhet, por po nuk e drejtove mbetet e lakuar, prandaj kini kujdes me gratë”.

Në këtë kontekst, Profeti urdhëron burrat që të jenë të kujdesshëm ndaj ndjenjave dhe emocioneve të grave të tyre, me qëllim që të mos i lëndojnë e të mos ua thyejnë zemrën. Ai i nxiste shokët e tij të shprehnin hapur dashurinë ngaj bashkëshorteve të tyre që mësojnë çfarë duan gratë prej tyre, çfarë i gëzon, çfarë i hidhëron shpirtin e tyre: “Gratë tuaja ju janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit!” 

Ja pse jeta familjare e profetit është guida më e mirë, për t’u bazuar në ndërtimin e një jetë të mirë e të harmonishme bashkëshortore.

Profeti Muhamed (a.s.) ka nxitur për arsimimin e gruas, duke e parë si detyrë e domosdoshme më shumë se e burrave sepse ato rritin dhe edukojne shoqërinë. Kurse sot burrat e kuptojnë pas dhjetë vitesh martese se gruaja nuk e ka nivelin e tij kulturor dhe përfundojnë në ndarje.

Aishja ka zotëruar diturinë e ¼ së Umetit. Ku e mësoi në internet? Në tv? Në libra? Jo! E mësoi nga Profeti (a.s.). Ai e praktikonte ajetin: “O ju që besuat ruajeni veten tuaj nga zjarri lëndë djegëse janë njerëzit dhe gurët” për këtë i mësonte gratë dhe fëmijët e vet. Kush nga burrat e bën këtë sot?

Ai që thotë se gruaja duhet të qëndrojë në shtëpi, e s’duhet të shkollohet.  Para 1447 vitesh, kur filloi të shpallet fjala e parë në librin e shenjtë ku dhe kjo ishte fjala: “LEXO!”, iu dha e drejta gruas për arsimim, prandaj llogjika: më mirë femra të mbetet injorante është një teori që bie në kundërshtim me rrugën e këtij edukatori të madh.

Kurse sot në botën e cilivizuar femrës muslimane praktikante ia mbyllin derën e institucioneve të dijes, ose më saktë kjo ka mbetur në dorë të rregulloreve të brendshme të shkollave. Në kohën e profetit Muhamed (a.s.) femrat kanë qenë pedagoge e mësuese të dijetarëve. I Dërguari i Allahut (a.s.) ka deklaruar “Faktikisht gratë janë si motrat e burrave” do të thotë që janë të njëjta dhe të barazvlefshme me ta.

Kur e përshkruam Profetin (a.s.) si kryetar shteti, si bashkëshort ai akoma më i kujdesshëm ishte përsa i përket përkujdesjes që tregonte për fëmijët.  Shembujt më të mirë në lidhje me fëmijët, mund t’i gjejmë tek ai. Përveç të qenit një njeri i zakonshëm, ai ishte një individ i jashtëzakonshëm, që dinte si të sillej me fëmijët si baba, si gjysh por ai ishte dhe një mësues i madh, që në atë kohë nxorri në pah shumë risi, të cilat psikologët e kohëve tona po i njohin si fakte vetëm sot. Në shoqërinë arabe në kohën paraislame, njerëzit arritën deri në atë pikë, sa i varrosnin vajzat e porsalindura të gjalla dhe kjo filloi të shihej si normale. Profeti e hoqi diskriminim ndërmjet djemve dhe vajzave dhe u përpoq ta largonte këtë traditë se “djemtë më superiorë se vajzat” që e kishin zakon. Derisa njerëzit filluan t’i konsideronin fëmijët, si dhurata të Allahut. Profeti i përgëzonte baballarët që kishin vajza duke i thënë: “Kush ka tre (ose dy ose një) vajza ose motra (nuk preferon djemtë më shumë se ato) dhe i edukon mirë, Allahu do t’i bëjë ato mburojë nga zjarri dhe shkak per hyrjen e tyre në Xhenet” 

Psikologët e mëdhenj të kohës e quajnë dashurinë e treguar ndaj fëmijëve si “vitaminë të rritjes”, sepse ata kanë arritur në përfundimin se asnjë mjedis apo kujdes nuk mund ta zëvendësojë vendin e dashurisë. Ndërsa Profeti ka thënë: “Nuk mundet prindi t’i lërë fëmijës asgjë më të vlefshme dhe më të çmuar se edukatën e mirë’’

Edukata islame duhet të fillojë duke ngulitur në zemrat e tyre dashurinë për Zotin, dashurinë për dijen, dashurinë për atdheun.  Të sillemi me edukatë të mirë ndaj fëmijëve tanë që edhe ata më pas, të përcjellin një edukatë të mirë të cilën prej nesh, sepse ne jemi përgjegjësit për sjelljet e fëmijëve tanë.

Profetit (a.s.), shpesh i puthte dhe i ledhatonte fëmijët duke i marrë në krahë, luante me ta dhe bënte shaka. Kur e pa një beduin këtë sjellje të tij i tha: “Kam 10 fëmijë por kurrë nuk kam puthur ndonjërin prej tyre”. Profeti (a.s.) i tha: “Kush nuk ka mëshirë as që e meriton mëshirën”. Prindërit duhet të gjejnë kohën të qëndrojnë me fëmijët e tyre, siç ka bërë Muhamedi (a.s.)  për t’i mësuar si të kenë sjellje të mirë, si të sillen ndaj prindërve dhe ndaj të moshuarve.

Mësimi i fëmijëve, respekti ndaj më të mëdhenjve dhe obligimi i marrjes së diturisë, burojnë nga ky besim, prandaj do të ishte gabim i madh që sjellja e prindit të jetë në kundërshtim me porositë e Islamit, për edukimin e mirë të fëmijës.

Shpresojmë që këto fjalë që sapo lexuam, këto mesazhe domethënëse, t’i marrim si shembull nga jeta e Muhamedit (a.s.) dhe ti vejmë në zbatim të përditshëm. Nëse do e krahasojmë me realitetin në të cilin jetojmë, do të shohim se këto mësime janë larg realitetit tonë. Ne dëshirojmë që njerëzit ta dëgjojnë historinë e profetit, jo vetëm për të mbushur kohën e tyre, por për të pënuar dhe jetuar sipas shembullit të tij.

O Allahu ynë! Na bashko në Xhenet me të dashurin Tënd, Muhamedin (a.s.)! Na mundëso që të këshillohemi me fjalën Tënde dhe të jemi prej atyre që flasin dhe veprojnë drejtë! Amin!

Maj 2017