Sinqeriteti, thelbi i mesazhit islam

58

Sinqeriteti është baza e fesë islame, ndaj dhe puna vlerësohet sipas tij. Njeriu mund të punojë shumë, por a do të jenë këto punë të pranuara dhe të shpërblyera tek Allahu në qoftë se nuk i kushtojmë rëndësi sinqeritetit në to? Këtë na e qartëson pikërisht hadithi i profetit Muhamed (a.s.), i cili thotë: “Me të vërtetë Allahu pranon prej punëve vetëm atë që është e sinqertë dhe që është pasur për qëllim kënaqësia e Tij.” Ndaj themi se thelbi i çdo pune ështhttp://revista-familja.com/wp-admin/post-new.phpë nijeti për të cilin e ke kryer atë. Ndodh shumë shpesh që disa punë nuk arrijmë t’i kryejmë, edhe pse nijeti ka qenë i pastër.

Në transmetime të ndryshme thuhet se besimtarit Ditën e Gjykimit do i paraqitet libri i tij dhe kur t’i shikojë të shënuara disa punë që nuk i ka vepruar do ta hedhë tutje librin e tij, mirëpo Allahu nuk i bën padrejtësi askujt. Atë ditë çdo krijesë do të paraqitet përpara Allahut dhe nuk do të mund të fshehë asgjë. Nëse nijeti në zemër ka qenë i pastër, atëherë Allahu do ta shpërblejë pavarësisht realizimit të kësaj pune.

Allahu (xh.sh.) thotë: “Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh” (Mulk, 2). Dijetari i njohur Fudejl ibn Ijad, duke u bazuar në këtë ajet thotë se vepra më e mirë, që të quhet e tillë duhet të plotësojë dy kushte: 1- Të jetë e sinqertë për hir të Allahut dhe 2- Të jetë sipas Traditës Profetike. Nëse njëri prej dy kushteve nuk plotësohet atëherë puna nuk është e pranuar tek Allahu (xh.sh.). Ndaj besimtarit i nevojiten dy cilësi të cilat janë të domosdoshme; dituria dhe sinqeriteti.

Sinqeriteti është kushti themelor për të gjitha veprat e njeriut dhe nënkupton pastërtinë e zemrës, ku njeriu duhet të synojë vetëm kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë. Veprat nuk duhen të përzihen me qëllime të tjera, si p.sh. syfaqësia. Profeti (a.s.) në lidhje me këtë thotë: “Gjëja që kam më tepër frikë tek ju është shirku i vogël.” E pyetën se ç’është shirku i vogël e ai u përgjigj: “Rijaja (syfaqësia). Allahu në ditën kur shpërblen krijesat e Tij, do t’u thotë këtyre njerëzve: “Shkoni tek ata për hir të të cilëve i keni vepruar këto punë dhe shikoni nëse do të gjeni prej tyre shpërblim.”

Profeti Muhamed (a.s.) e ka quajtur syfaqësinë shirk të vogël, që nuk të nxjerr nga Islami por që është rrezik i madh për besimtarin. Në një transmetim tjetër syfaqësia është etiketuar si shirku i fshehtë, sepse shumë prej nesh janë të sigurtë në sinqeritetin që kanë në veprat që kryejnë por vetëm Allahu shikon në zemrat tona. Ai i cili tregon syfaqësi, Allahu do t’ia shfaqë qëllimin e tij duke e demaskuar përpara krijesave, ashtu siç do të bëjë edhe me atë të cilin i bën të ditura e të dëgjuara veprat e tij në mesin e njerëzve. Për njerëzi të këtillë Profeti (a.s.) na tregon se Allahu (xh.sh.) jo vetëm që do i shfaqë përpara të gjithë krijesave Ditën e Gjykimit, por në të njëjtën kohë do t’i nënçmojë e poshtërojë.

Duke parë fshehtësinë e syfaqësisë dhe rrezikshmërinë e saj, dijetari i njohur Jahja ibn ebi Kethiri, ka thënë: “Mësojeni nijetin se si ta kryeni atë, sepse me të vërtetë ai është më i rëndësishëm se vetë puna. Ki për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut në çdo punë sado e vogël qoftë ajo.” Kurse Abdullah ibn Mubarek thotë: “Ndoshta një punë të vogël e zmadhon nijeti e ndoshta një punë të madhe e zvogëlon nijeti.” Atëherë lind pyetja: Si ta bëjmë nijetin e të shpëtojmë nga syfaqësia? Imam Ahmedin (r.a.) e kanë pyetur me të njëjtën pyetje dhe ai është përgjigjur: “Duke kuruar vetveten. Nëse e fillon një punë duke mos pasur për qëllim njerëzit.”

Meqenëse Allahu pranon punën vetëm prej të sinqertëve, atëherë cilët janë të sinqertët e vërtetë? Përgjigjen e gjejmë në thesarin e urtësisë së dy gjeneratave të para, të cilët kanë thënë:“I sinqertë është ai i cili i fsheh veprat e mira ashtu siç fsheh mëkatet e tij.” Një tjetër prej tyre e pyetën: “Cili është kulmi i sinqeritetit?  Ai u përgjigj: “Kur të mos lakmosh lavdërimin që të vjen nga njerëzit.”

Janar-Shkurt 2014