“Të lutem më fal nëna ime, edhe pse nuk kam faj!” – Fjalët e pathëna të një fëmije autik

1644

Tiranë, 02 prill 2017
Nga: Muenis Masha, një 13 vjeçar që vuan nga autizmi, ka tumor në kokë dhe nuk dëgjon e as nuk flet
(në emër të fëmijës, fjalët janë shprehur nga nëna e tij Brixhida Muça-Masha)

Nënë! … Fjalë e pa thënë …
Nëna ime!
Unë jam djali yt, që të bëra nënë për hërë të parë … por që kurrë nuk arrita të të thërras “mami”.

Jam djali yt, çastet e ardhjes në jetë të të cilit, u kthyen nga gëzimi për lindjen e fëmijës në frikën për humbjen e birit tënd, që akoma nuk e kishe marrë në krah. Ndërsa unë luftoja mes jetës dhe vdekjes ti, me besim dhe e dorëzuar tek Zoti, luteshe me shpirtin e nënës.

Deshi Zoti dhe ne të dy, e kaluam këtë sfidë të parë, mes vuajtjeve të mia dhe dhimbjes tënde, nëna ime. Unë rritesha çdo ditë, mes përpjekjeve dhe dashurisë tënde. Kur erdhi momenti që çdo prind ëndërron e dëshiron që fëmija të thotë fjalën e parë, unë këtë kënaqësi nënë nuk t’a dhashë. Ti luftove dhe u përpoqe shumë që unë të flas dhe të të thërras -NËNË, por …
Të shikoja buzët që lëvizin, nëna ime, teksa më përkëdhelje e më këndoje por unë zërin tënd nuk e dëgjoja. Megjithatë e kuptoja pikëllimin e zemrës tënde, nëna ime, shikoja si luftoje me durim dhe me besimin tek Zoti. Ti duroje, madje duroje dhe dhunën që unë shpesh ushtroja mbi ty…
Nëna ime! Mes perpjekjeve të shumta ti arrite të gjesh gjuhën e komunikimit me mua nëpërmjet vizatimit. Kështu ti arrite të kuptoje deri në një farë mase se çfarë doja por, jo gjithçka…
Kaluan ditë e muaj dhe ti, nëna ime, u përballe me një sfidë tjetër, me një botë të panjohur ku tashmë unë isha futur “Autizmin”… por, me besimin tek Zoti ti bëheshe më e fortë nga sfida në sfidë. Përkujdesi, dashuria jote ndaj birit tënd, nuk munguan kurrë edhe pse unë të jepja dhunë si shpërblim.Ti mundoheshe të më lumturoje çdo çast e çdo ditë të jetës, ndonëse unë rritesha më së shumti nëpër spitale dhe klinika ndërkohë që shokët e mi lodronin me njëri-tjetrin …
Kur erdhi koha që moshatarët e mi do të shkonin në shkollë, pikërisht në këtë moment, një sëmundje vdekjeprurëse më kishte pushtuar në kokë. Tërmet pësoi zemra jote nëna ime, por besimi tek Zoti nuk të la të dorëzoheshe. Ti luftove krah meje, deri në vetëmohim, me shpirtin të mbushur me dhimbje e besim …
Kisha dhimbje koke, më iku shikimi por, unë s’të tregoja dot nëna ime. Megjithatë, ti më kuptoje dhe nuk mi ndaje sytë për asnjë çast … gjithmonë e vëmendshme … Mes përkëdheljeve e dhimbjeve më bëre gati duke më veshur rrobat e duke më përgatitur për në sallën e operacionit, ndërkohë që rreziku për jetën ishte fatal. Me dhimbjen e një nëne e me besim tek Krijuesi, më dorëzove në dorë të Zotit.
Me buzët që të dridheshin ti më kërkoje të thoja: – “O Zot! Më shpëto!”

10687045_864481150253066_4619137882828392258_n

Për habinë e të gjithëve unë, që nuk kisha folur kurrë, thashë me duart e ngritura lart fjalën “Zot”. Dhe ishte ky momenti i vetëm kur unë pashë lot në sytë e tu, nëna ime. Po kështu pashë lot edhe në sytë e mjekëve që ishin të mahnitur me rastin që kishin përballë. Shikimet e syve tanë mbetën të mbërthyer tek njëri tjetri deri sa dera e sallës së operacionit u mbyll pas meje.
Zoti kishte planet e Tij për mua dhe Ai kishte vendosur që unë të shpëtoja nga ky operacion dhe ti nëna ime falënderoje Zotin pa ndërprerë për këtë. Por traumat që unë kisha përjetuar ishin të tmerrshme dhe i frikësuar kërkoja me shikim e shenja që të sigurohesha nga ty, nëna ime, që kjo nuk do të përsëritej më. Nuk pata shumë kohë të qetësohem nga tronditja e parë sepse unë do të hyja prapë në sallë të operacionit për herë të dytë, të tretë e të katërt brenda një muaji. Dhimbja jote nëna ime, që kurrë nuk e dite se çfarë më dhimbte e më shqetësonte, ishte e madhe po aq sa dhe tmerri im që kaloja unë nga një traumë tek tjetra …
Sikur mos të mjaftonte e gjitha kjo që kalova unë rashë në koma dhe u paralizova. Mjekët i hoqën shpresat se mund të jetoja më gjatë por, ti nëna ime, kurrë se humbe shpresën tek Zoti.
Ti vije në reaminacion dhe më flisje pandërprerë paçka faktit se unë nuk të dëgjoja. Megjithatë, ti kishe besim në lidhjen shpirtërore që ekziston mes nënës dhe fëmijës. Ti më thoje, nëna ime, se unë jam djalë i fort dhe se me ndihmën e Zotit ne do t’ia dalim mbanë edhe kësaj here. Dhe vërtet Zoti deshi që unë të rikthehem në jetë përsëri, gjë që i mrekulloi mjekët por, pas operacioneve, unë nuk mund të ecja dhe as mund të haja.
Ndërkohë, unë isha dobësuar dhe shpërfytyruar aq shumë saqë më kishin mbetur vetëm kockat dhe lëkura. Kjo ishte një tjetër sfidë për ty nëna ime që i luteshe Zotit:- “Të lutem Zoti im! Ma bëj dhe njëherë djalin tim të bukur, si më parë, dhe pastaj merre po qe se ky është vullneti Yt!”
Gjatë gjithë kësaj kohe, mua më ushqenin me tub nga hunda sepse nuk përtypesha dot për shkak të paralizës por nëna ime, me mbeshtetje tek Zoti dhe guxim prej nëne, mori iniciativën për ta ma hequr tubin dhe filloi të më ushqejë me shiringë. Edhe pse shpesh here mbytesha gjatë ushqimit, ajo nuk u dorëzua dhe ia doli të ketë sukses në përpjekjet e saj. Me kohë, unë fillova të ha normalisht dhe pas shumë mundi dhe përpjekjesh unë fillova të rihedh hapat e para, pak nga pak, me ndihmën e të tjerëve, deri sa u përmirësova plotësisht pas një viti.
Kur shoqet e tua, nëna ime, gëzoheshin për arritjet e fëmijëve në shkollë, ti gëzoheshe që unë po filloja të eci prapë, po filloja të përtypem, të vizatoj … e megjithatë, mes gjithë këtyre përpjekjeve dhe vetëmohimi ti, nëna ime, nuk e dite kurrë se çfarë ndjej e çfarë më dhemb… çfarë plage për një nënë!.

Munenis Masha nature

Ti nëna ime, sfidove gjithë opinionin kur ecje me mua nëpër rrugë, ndërsa unë bërtisja e bëja skena të një fëmije autik. Ti u përballe me vështrime e sjellje vrastare të shoqërisë por kurrë s’u sprapse. Ti nuk u turpërove kurrë prej meje por më çoje kudo sepse doje që unë të jetoja jetën, aq sa më ka mbetur, si të gjithë, paçka se unë jam “ndryshe”.
Ti nënë, ke shtatë vite që jeton duke falënderuar Zotin çdo ditë që unë jetova dhe sot. Ti vazhdon të sakrifikosh çdo moment të jetës dhe qetësisë tënde dhe je gjithmonë e vëmendëshme ndaj meje. Ti ngrihesh nga gjumi shumë herë brenda natës dhe ndërsa unë fle, ti vjen e më kontrollon nesë marr frymë apo jo. Ti sakrifikon kaq shumë sepse sëmundja ime vazhdon të jetë akoma aty, edhe pse kam bërë katër operacione.
Sot jam 13 vjeç dhe nëna ime vazhdon të kujdeset për mua me të njëjtin përkushtim. Ajo më çon në terapi e në shkollë, ndërsa unë gjatë rrugës e stresoj pa masë, e godas kudo që të jem, kur ajo nuk ka mundësi të më plotësojë dëshirat për të më blerë ato që unë shoh në vitrinat e dyqaneve ku ne kalojmë.
Unë dua shumë të të gëzoj nëna ime por, jo gjithmonë arrij ta bëj këtë sepse kjo botë ku unë jam zhytur më ngatërron. Kështu unë vazhdoj të të dhunoj por … unë të dua shumë, shumë dhe ti e di këtë nënë.
Nënë!
Ti je shoqja ime, je mbështetja ime, je ajo që më kupton në çdo situatë, je ajo që më dhuron dashuri pa kushte, sido që të jem.
Të lutem më fal nëna ime edhe pse unë nuk kam faj …

Biri yt i shtrenjtë
Muenis Masha