Të ndërmarresh nisma, apo t’i frikësohesh dështimeve?

15

Ndërmarrja e nismave është një qasje proaktive, e cila shpeshherë kërkon vision dhe këmbëngulje për të nisur një rrugëtim dhe të arritur aty ku dëshironi të jeni. Edhe pse përgjatë rrugëtimit mund të hasni vështirësi, duhet t’i rikujtoni vetvetes qëllimin për të cilin po luftoni. Të menduarit shpeshherë është një proçes aq sa delikat po aq dhe i rëndësishëm.Të menduarit ose na shërben për të ndërmarrë nisma ose për t’u zhytur në kthetrat e dështimeve joreale. Zgjidhja qëndron në dorën tonë. Fuqia e të menduarit na përket ne. Duhet të dimë t’i kanalizojmë mendimet tona, dhe mos t’i përkushtohemi analizimit të mendimeve negative. Shpenzimi i kohës dhe energjisë duhet të fokusohet në drejtimin e duhur, që hapat tona drejt përplotësimit të jenë efikase.

Gjithashtu, duhet të kemi parasysh përzgjedhjen e individëve që do i drejtohemi për të kërkuar këshilla, sepse karakteret e individëve janë të larmishme. Secili individ ka një formin dhe pikëpamje të caktuar rreth një situate aktuale. Shkëmbimi i ideve është një pjesë e rëndësishme, por vendimmarrja për të vazhduar duhet të qëndrojë në dorën tuaj. Duhet patur parasysh se shpeshherë nismat mund të rezultojnë në një ndryshim dhe ndryshimet duan kohë të pranohen dhe të përvetësohen.

Ndërrmarrja e nismave në mënyrë efektive kërkon përkushtim, vendosmëri, vullnet dhe besim te vetvetja dhe aftësitë tuaja. Kjo ju lejon të jeni pozitivë dhe realistë në pikëpamjen mbi vetveten dhe situatën në të cilën përfshiheni. Për të marrë nisma, duhet të keni besim në idetë dhe aftësitë tuaja, në mënyrë që të propozoni ndryshimin që dëshironi të arrini. Mungesa e besimit nuk ju lejon të ndërmerrni rreziqe, por ju bën të ndiheni të paralizuar nga frika dhe ankthi kur përballeni me gjërat që doni t’i bëni. Mos bini pre e sindromës Impostor, e cila shkakton vështirësi në pranimin e arritjeve. Kini bindje që i meritoni sukseset tuaja. Sukseset e arrira nuk janë rezultat i fatit, por i përkushtimit për të arritur deri aty.

Përqendrohuni në pikat tuaja të forta. Jepini mundësi vetes për t’u përmirësuar në ato gjëra që nuk jeni të përkryer. Bëni një analizë personale të cilësive që ju i keni dhe atyre që dëshironi të përvetësoni përgjatë rrugëtimit tuaj dhe mundohuni të aftësoheni çdo ditë. Mësoni nga gabimet që bëni përgjatë fazave të panjohura, në mënyrë që të mos bini pre e të njëjtit gabim të ripërsëritur.

Përsa i përket frikës nga dështimi i preceptuar, është një proçev vetëndëshkues, i cili lidhet me mendimet për dobësitë, të cilat nxisin dështimin. Nëpërmjet kësaj frike ne anashkalojmë pikat tona të forta. Dështimi nuk duhet parë si një rezultat përfundimtar, por si një hap i hedhur në mënyrë jo të sigurtë, pa vendosmëri dhe jo në momentin e duhur. Si një ngërç në një moment shumë pranë suksesit.

Dështimet shpeshherë duhen parë në spektrin e përmirësimit të faktorëve, që bën të mundur mosrealizimin e atyre objektivave që synuam për të arritur. Duhet një gjykim i ftohtë për të realizuar një proçes të tillë, pa ia lejuar vetes rënien në demoralizim dhe heqje dorë nga realizimi i asaj që kemi projektuar.

Ju drejtohem ju, të dashur lexues të rinj. Mos u frikësoni përballë një vendimi që dëshironi të merrni. Mos u ndikoni nga mendimet që shpeshherë nuk rezultojnë ashtu siç pandehen.

Ngrihuni çdo ditë me shpresën për t’ia dalë dhe hidhni një hap drejt arritjes së synimit që i keni vënë vetes. Jini të qëndrueshëm në atë çfarë dëshironi të arrini. Guxoni t’i dilni përballë vetvetes, frikërave tuaja më të mëdha. Guxoni t’i dilni përballë realitetit. Guxoni të bëni një ndryshim, sado i vogël qoftë ai, duke ndikuar pozitivisht në shoqëri. Guxoni të ëndërroni, të frymoni lirisht, të bashkoni të gjithë copëzat e mendimeve dhe me to të formoni rreze vizioni. Të shkoni përtej ëndrrës tuaj. Ta idealizoni atë në realizim.

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Fatime Kalaja