Të paraqesësh botën përmes ngjyrave – Intervistë me Natasha Pajën

522

Nga Armida Plumbi

Natasha Paja, fituese e edicionit të parë të konkursit të fotografisë “Jepi ngjyrë idesë tënde!”

Natasha Paja është një piktore e re, nga Elbasani, e apasionuar pas artit, pikturës, fotografisë, ngjyrave, peizazheve e portreteve.

Ajo ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi e Teknologji Ushqimore. Aktualisht vazhdon studimet master në të njëjtin profil.

Natasha ka qenë ndjekëse e disa workshop-eve mbi fotografinë në Shqipëri, aktiviste në lëvizjet shoqërore, fituese dhe pjesëmarrëse në disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare rreth pikturës, fotografisë dhe editimit të fotove.

Piktura është shumë e rëndësishme për të dhe zë një vend shumë të veçantë në jetën e saj.

Për më shumë njihuni në këtë intervistë më Natashën dhe veprimtarinë e saj.

  • Ju jeni një nga piktoret dhe fotografet e reja në Shqipëri. Në çfarë moshe keni filluar të merreni me këto dy pasione dhe cila ka qenë shtysa juaj kryesore?

13697191_300256960318575_1054060370995336576_n

– Piktura dhe fotografia janë dy pasionet e mia që janë rritur dhe zhvilluar me mua pa e kuptuar nje fillim të parë me to, që e vogël çdo gjë që bëja e lidhja me këto dy pasione, të paktën kështu më tregojnë dhe prindërit. Kam qenë dhe me fat që kam motrën time binjake Elsa Paja dhe çdo gjë e bënim bashkë dhe më vonë dhe me motrën tjetër Fatma Paja, ato kanë qenë dhe shtysa ime.

  • Çfarë ju pëlqen më shumë të pikturoni? Cilat janë teknikat dhe mjetet që përdorni?

– Gjithmonë më ka pëlqyer të eksperimentoj me teknika dhe mjete të reja. Ashtu si thotë dhe Marina Abramović: “Kur diçka e bën mirë, provo diçka të re!”. Më shumë pikturoj portrete për shkak të kërkesave më të mëdha të njerëzve, kohët e fundit më pëlqen të pikturoj në gjethe, gurë ose në pemë. Pjesa më e madhe e pikturave që bëjmë me dy motrat janë punime me bojra vaji, por dhe bojrat e ujit kemi filluar t’i përdorim shumë qëkur dhe jemi bërë pjesë e Urban Sketchers Albania.

16601853_1255722687815154_773884734425339105_o

  • Çfarë ju frymëzon më shumë kur pikturoni?

– Çdo gjë më frymëzon, por do ndalesha te bukuritë dhe historia e Shqipërisë. Në Shqipëri ka vende shumë të bukura sidomos ato pjesë të qytetit që janë të vjetra dhe kanë një histori në to. Shpeshherë më vjen keq që shumë vende historike apo monumente nuk mirëmbahen. Por artistët asnjëherë nuk duhen të dorëzohen, ata kanë një përgjegjësi të madhe që me anë të artit të tregojnë historinë dhe ngjarjet e një vendi dhe t’ja transmetojnë ato publikut.

  • Çfarë domethënie ka fotografia për ju?

– Fotografia për mua nuk është thjesht një moment i kapur nga objektivi por është diçka përtej kësaj. Për mua fotografia është si një pikturë e realizuar nga syri përmes aparatit fotografik dhe brenda saj ka një botë tjetër.

  • Çfarë rregullash ndiqni nga ideja deri tek realizimi i fotografisë?

– Për të realizuar një fotografi të mirë duhen realizuar shumë gjëra njëherësh, në çastin e realizimit të shkrepjes mendoj veç për fotografinë të jetë ashtu siç e përfytyroj në ato çaste. Puna më e madhe është në kohën kur nuk e ke aparatin në dorë dhe jam më e lirë të mendoj për çdo gjë dhe të planifikoj çdo situate që do të vijë. Imagjinata është më e madhe në këto momente dhe lejoj vetëm mendjen të punoj.

17373107_681912498636496_557379922_o (1)

  • Çfarë e bën një fotografi të paharrueshme sipas këndvështrimit tuaj?

– Një fotografi e bën të paharrueshme domethënia për të cilën është realizuar ajo.

  • A keni marrë pjesë në ekspozita apo konkurse dhe a keni fituar çmime?

– Po kam marrë pjesë ne ekspozita dhe konkurse të ndryshme, si për fotografi ashtu dhe për pikturë. Të fundit do të veçoja konkursin dhe ekspozitën e realizuar nga Shoqata Kulturore “Gruaja” me temë ‘Jepi ngjyrë idesë tënde!’. Ishte një eksperiencë shumë e veçantë për mua, aty ku u kurorëzova me vendin e parë.

  • Ju jeni pjesë e organizatës Urban Sketchers Albania? Cili është misioni dhe cilat janë objektivat e kësaj organizate? Po puna juaj në të ku konsiston?

– Urban Sketchers Albania është një organizatë jo-fitimprurëse që ka si synim kryesor të tregoj Shqipërinë skicë pas skice. Kemi si mision që çdo fundjavë të përcaktojmë një temë ose të lëvizim nëpër qytetet shqiptare, duke bërë skica të ndryshme dhe duke i ekspozuar në fund të ditës. Roli im kryesor në këtë organizatë është skicimi, por duke qenë anëtare e vjetër e saj, merrem me organizimet duke ndihmuar grupin në punët e brendshme.

  • Cila është sfida juaj më e madhe si fotografe?

– Sfida më e madhe për mua si fotografe është të sfidoj fotografinë e fundit me foton pasardhëse, duke shpresuar gjithmonë të rregulloj gabimet dhe të përmirësohem gjithnjë e më shumë.

17408236_682058415288571_1709699955_o

 

  • Mendoni ta lini ndonjëherë pikturën apo fotografinë për ndonjë profesion tjetër? Ndoshta me të ardhura më të mira?

– Pyetje e bukur kjo. Jam e sigurt që dhe nëse do të doja ta lija unë fotografinë dhe pikturën, ato s’do më linin mua. Edhe pse studimet po i mbyll për ‘Inxhinieri e Proceseve Kimike’, një degë që nuk ka lidhje me këto dy pasione, përsëri piktura dhe fotografia do të jenë pjesë e imja. Të dyja i bëj me shumë pasion dhe dëshirë, dhe asnjëherë s’do i braktis edhe nëse bëhet fjalë për para. Nuk e përfytyroj dot jetën time pa ato.

 

  • A mendoni se piktura dhe fotografia në Shqipëri janë në evoluim?

– Mendoj që, duke qenë se fotografia dhe piktura janë pjesë e artit, atëherë ato janë në evoluim në çdo pjesë të botës ashtu si edhe në Shqipëri, mund të jetë në forma dhe ide të ndryshme por gjithmonë ka diçka për të treguar.

 

  • Ku e shihni veten pas disa vitesh?

– Veten pas disa vitesh e shikoj me një penel dhe një aparat në dorë duke vazhduar eksplorimin e Shqipërisë së madhe.

Faleminderit!

17310367_422743134736623_4209215849072260856_o

15977877_731865696971696_7595368528566771413_n

17309968_426771574333779_2802254339430644500_o

 

Revista “Familja”, prill 2017