Të rejanizojmë agjërimin

43

Agjërimi për çdo musliman është obligim dhe kënaqësi. Ai është shënjues i bindjes ndaj Krijuesit, por njëkohësisht edhe edukuesi më i mirë i durimit. Çdo musliman duhet së paku të mos konsumojë ushqim as pije, pra të mos konsumojë asgjë nga lindja e diellit në perëndim të diellit. Por, kaq është agjërimi? Moskonsumim, etje dhe uri?

Allahu thotë në Kuran, në ajetin 183 të sures Bekare: “O ju që besuat, ju është bërë detyrë agjërimi siç ju ishte bërë detyrë dhe atyre që ishin para jush, që ju të jeni të devotshëm”. Në një hadith kudsi, Allahu thotë: “Çdo punë e mirë që bën njeriu, shpërblehet me 10-fish deri në 700-fish, përveç agjërimit. Agjërimin njeriu e bën për mua dhe vetëm unë do t’ia shpërblejë atij”. Zoti e vlerëson në gradë të lartë agjërimin, kjo edhe për arsyen se shpesh njeriu përballet me egon, nefsin e tij për ta përfunduar ditën. Ka raste që lufton me etjen dhe urinë, pra, si një xhihad fizik brenda tij. Ai për hir të Allahut kundërshton stomakun e tij dhe egon e tij për ta prishur urinë. Devotshmëria, bindshmëria dhe dëgjimi i urdhërave të Allahut është kusht për të qenë musliman, por njëkohësisht, vazhdimisht, vërtetohet dobishmëria që kanë urdhërat e Allahut për njerëzimin.

Shpesh kur flasim për agjërim nënkuptohet Ramazani, sigurisht është pjesë e këtij muaji të shenjtë, por në islam ekziston edhe ramazan i shpirtit, agjërim i moralit, edukatës dhe normave rregullative të jetës së individit dhe vitalitetit të shoqërisë. Në Islam nuk mjafton të mos hash e të mos pish. Ky është një proces fizik që metaforikisht do ta quanim “dyshemeja e Ramazanit apo agjërimit”. Çdo individ mund të agjërojë përditë me anë të sjelljes së tij, të fjalëve të matura, të dorës që nuk bën keq, të syve që nuk shohin gjynahe e të veshëve që valëzojnë fjalë të mira e fisnike. Madje këto janë esenciale kur agjërojmë në Ramazan, për të përfituar nga mirësitë dhe shpërblimet e tij. Në një hadith të trasmetuar nga Ebu Hurejra, profeti Muhammed, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e qartëson vlerën e agjërimit: “Ai që nuk largohet prej fjalëve dhe punëve të këqija, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të jetë i uritur dhe i etur”. Madje në një hadith tjetër Resulallahu, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Agjërimi është një mburojë. Kur dikush nga ju është agjërues, të mos flasë fjalë të këqija dhe të mos bëjë budallallëqe. Nëse dikush tjetër dëshiron të grindet me të apo e fyen, atëherë ai duhet t’i thotë atij dy herë: ‘Jam agjërueshëm, jam agjërueshëm’.” (Buhariu dhe Muslimi)

Agjërimi nga thashethemet, gënjeshtrat, përgojimet, mbartja e fjalëve, përçarjet, nga të shkuarit në gjynahe, të bërit keq, të ortakësuarit me përgojuesin edukojnë zemrën nën freskinë e petaleve të edukatës islame dhe ndriçojnë perlësisht guackën e të qënit musliman i vërtetë, agjërues i vërtetë. Gjatë muajit të Ramazanit muslimanët garojnë për të bërë vepra të mira, përmes dorës që jep pa parë dorën që merr, përmes vizitave të të sëmurëve, të të afërmve, përmes bërjeve të çdo mirësie, qoftë edhe heqja e pengesave në rrugë. Dispozitë obligative e Ramazanit është sadakaja e Fitrit, e cila më së shumti ka kuptimin e socializimit dhe humanitetit. Nën edukimin e kësaj vepre, finalizimi është zekati.

Zekati është një temë mjaft e gjerë, por ne mund ta perifrazojmë në këtë kontekst si një mënyrë edukative nga Zoti për të qenë dorëdhënë, të dimë të japim. Askujt që ka 4 milion lekë nuk i zvogëlohet pasuria nëse jep 100 mijë lekë, por është një mënyrë që individi të mos mbyllet në “bankën e egos” dhe të shohë me mirësi, humanizëm dhe shpirtmadhësi nevojtarin dhe të dobëtin. Kushtetuta e Islamit përmes rregullave, urdhrave dhe detyrimeve që jep, na mundëson t’i afrohemi kuranizimit të moralit tonë. Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, thotë për profetin: “Ai ishte Kur’an që ecën”. Prandaj, përmes agjërimit të çdo gjymtyre tonën dhe agjërimit fizik, ne fitojmë binominë “rejanizim i jetës”. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Vërtet, në Xhenet është një derë, e cila quhet Rejan, nëpër të cilën do të hyjnë në Ditën e Gjykimit vetëm ata që agjërojnë. E, pasi të hyjnë ata, dera do të mbyllet e nuk do të mund të hyjë askush tjetër”.

Të rejanizojmë moralin tonë, agjërimin tonë, shpirtin dhe gymtyrët tona është ambalazhi që na nurëson si në këtë botë edhe në tjetrën. Rejanizimi perifrazon para së gjithash një derë Xheneti, që nëse na pranohet agjërimi ne si agjërues hyjmë në të. Prandaj ta meritojmë përmes mëshirës së Allahut hapjen për ne të kësaj dere Xheneti, do të thotë të agjërojmë jo vetëm fizikisht, por të agjërojë edhe egoja jonë, maturia, disiplina, gjymtyrët dhe shpirti ynë.

Prill, 2021